Ashtu si në produktet e konsumit, Shqipëria mban një rekord çmimesh edhe në shërbimet e udhëtimeve të ndryshme ajrore ose detare. Kulmi arrihet sidomos gjatë këtyre muajve, ku fluksi i udhëtarëve që lëvizin në drejtim të Shqipërisë, por dhe nga vendi ynë për jashtë shtetit, është më i madhi. Pikërisht kjo kohë shënon edhe “fushatën” korrjes së fitimeve nga kompanitë e udhëtimit, sidomos nga ato shqiptare që përpiqen të përfitojnë pa marrë parasysh kushtet dhe të drejtat e udhëtarëve. Fjala është për kompanitë e ndryshme të udhëtimit, veçanërisht për ato ajrore dhe detare, të cilat janë shumë herë më të shtrenjta se homologet e tyre që qarkullojnë në vendet e tjera të rajonit. Përveç kësaj, edhe shërbimi dhe cilësia që ofrohet nga këto të fundit lë mjaft për të dëshiruar dhe çdokujt që i takon të udhëtojë shpesh, i ndodh të vërejë ndryshimet drastike që ekzistojnë midis linjave që mbulojnë Shqipërinë dhe atyre që veprojnë në BE apo më gjerë. Tragetet, por dhe avionët që kompanitë e ndryshme detare dhe ajrore përdorin për linjat me Shqipërinë, janë pa dyshim të cilësisë më të dobët përsa i përket shërbimit. Edhe pse shtetasit shqiptarë paguajnë më shtrenjtë nga të gjithë fqinjët e tyre apo shtetasit e tjerë europianë për të udhëtuar, ata përsëri kanë shërbimet më të këqija të këtyre udhëtimeve. E meritojnë apo jo, kjo mbetet për t’u parë.

Tregu monopol

Mjafton që të bësh një xhiro të shkurtër në disa prej zyrave të agjencive të udhëtimit në Tiranë, qofshin ato të huaja apo shqiptare, për të kuptuar tregun monopol të biletave të udhëtimit. Kjo është më e dukshme në udhëtimet ajrore, ku biletat e avionëve të kompanive të huaja dhe shqiptare, madje edhe atyre “lloid coste” (me kosto të ulët), janë më të shtrenjta për linjat me dhe nga Shqipëria. Në shumicën dërrmuese të rasteve dy udhëtime nga dy vende të ndryshme të BE-së të kushtojnë më lirë se një udhëtim nga Tirana për në një shtet apo anasjelltas. Vetëm dy javë më parë, ndërsa po kërkoja një biletë fluturimi nga Tirana për në Milano, vura re se, së paku tri kompani ajrore zotërojnë një monopol virtual në destinacionet e para, si Vjena, Budapesti apo Roma. Kërkova në faqet web të këtyre kompanive dhe vërejta se një udhëtim nga Tirana në Vjenë, vajtje-ardhje, mund të kushtojë 450 euro, nëse nuk arrin të kapësh një biletë të kuqe; ndërsa po të udhëtosh Tiranë-Vjenë-Bruksel, çuditërisht bileta kushton më lirë, rreth 447 euro. Nëse udhëton në linjën Tiranë-Vjenë-Londër (dy udhëtime dhe një distancë tri herë më e madhe sesa linja Tiranë-Vjenë), bileta mund të kushtojë 424 euro, ose shumë më lirë sesa të udhëtosh vetëm për në Vjenë. E njëjta gjë ndodh po të shohësh çmimet e ofruara nga kompanitë “Malev” apo “Alitalia”. Për të udhëtuar për në Budapest, kushton 303.9 euro, ndërsa po të udhëtosh për në Bruksel, kushton 329 euro. Dukshëm, këto kompani shfrytëzojnë situatën monopol në të cilën operojnë në udhëtimet me një destinacion, ndërsa konkurrenca duket se shtohet vetëm kur bëhet fjalë për destinacionet e dyta, ku në lojë hyjnë pa dyshim edhe kompani të tjera.



Mungesa e konkurrencës

Mungesa e konkurrencës së qartë në linjat e udhëtimit që mbulojnë hapësirat shqiptare detare dhe ajrore, është edhe shkaku që çdo udhëtari shqiptar që i takon të udhëtojë jashtë vendit i takon të paguajë shumë më tepër sesa paguajnë shtetasit e tjerë europianë. Sipas ekspertëve të Transportit, shoqëritë e këtyre lloj transporteve shfrytëzojnë edhe “favorin” që u krijohet atyre nga mbulimi i hapësirave shqiptare nga një numër i madh kompanish udhëtimi si ajrore, ashtu edhe detare. Gjithashtu, logjikisht për të udhëtuar për në Itali me avion, duhet të zgjedhësh një linjë direkte, por praktikisht mund të kursesh para duke i rënë nga Gjermania. Kur kompania gjermane e fluturimeve “Lufthansa” erdhi në Shqipëri disa vite më parë, njoftoi se do të ofronte çmime konkurruese për një numër të madh destinacionesh në Itali, përmes Munihut. Nëse e shikon në hartë, është e lehtë të thuash se është absurde që të udhëtosh 3 mijë kilometra, por në realitet të kushton më lirë sesa po të udhëtosh vetëm 700 kilometra, pra Tiranë-Romë. Nëse kërkon të udhëtosh nga Tirana në Romë, bileta mund të të kushtojë edhe 450 euro. Por nëse bën një xhiro dhe i bie nga Vjena, të kushton 410 euro. Konkurrenca për linjat italiane është e ashpër, veçanërisht për faktin se Italia zë më shumë se gjysmën e destinacionit ajror të Shqipërisë.



Autoriteti Konkurrencës nuk heton dot pozitat monopol të kompanive ajrore



Nëse midis kompanive ajrore dhe agjencive të udhëtimit në vend është vendosur një pozitë monopol, përsa i përket çmimit të shtrenjtë të biletave të udhëtimit, këtë më mirë se kushdo duhet ta dijë Autoriteti i Konkurrencës. Por ky i fundit nuk është në gjendje të hetojë shkeljen e konkurrencës në udhëtimet ndërkombëtare, për shkak se ky aktivitet kryhet jashtë kufijve të Shqipërisë, ndërsa vendimet e AK kanë vlerë ligjore vetëm brenda territorit shqiptar. Kjo e bën situatën të pashpresë, sepse teorikisht, një shkelje të tillë konkurrence duhet ta shqyrtojë Autoriteti Evropian i Konkurrencës, i cili nuk vepron dot, gjithashtu, për shkak se Shqipëria nuk është pjesë e BE-së. Tregu i fluturimeve ajrore në Shqipëri shënoi më shumë se 1.5 milionë klientë gjatë vitit të kaluar. Xhiroja totale vlerësohet me mbi 350 milionë euro në vit. Tregu i fluturimeve ajrore në të gjithë botën ka qenë i prekur nga monopoli ose oligopoli, për shkak se fluturimet ndërkombëtare rregulloheshin përmes marrëveshjeve dypalëshe të komplikuara dhe të kushtueshme. Kështu, nëse një kompani italiane vendos të udhëtojë drejt Tiranës, një kompani shqiptare duhet të kryejë të njëjtin numër fluturimesh. Por gjatë viteve të fundit, BE-ja dhe SHBA-të kanë punuar për liberalizimin e këtij tregu, duke hequr kufizimet ligjore të reciprocitetit dhe duke ulur çmimet. Që nga viti 1994, kur BE-ja hapi kufijtë, një numër i madh kompanish me kosto të ulëta mbuluan pjesën më të madhe të tregut të kontinentit. Në janar të vitit 2007, BE-ja nënshkroi marrëveshjen “Për Hapjen e Qiejve” edhe me vendet e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë. Për pasojë, nuk ka më kufizime në transportin ajror. Megjithatë, konkurrenca nuk duket gjëkundi.









Çmimet mesatare të udhëtimeve ajrore nga Tirana për në destinacionet kryesore



Destinacioni/vajtje Çmimi në euro/personi

Tiranë-Romë 179 euro

Tiranë-Bolonja 190 euro

Tiranë-Firence 180 euro

Tiranë-Milano Malpensa 159 euro

Tiranë-Budapest 303.9 euro

Tiranë-Bruksel 329 euro

Tiranë-Vjenë 424 euro

Tiranë-Stamboll 230 euro

Tiranë-Paris 219 euro

Tiranë-Londër 370 euro



(Çmimet e biletave të avionëve ndryshojnë në varësi të kompanive, klasit, numrit të personave, orareve të fluturimit dhe ditëve)





Kompanitë ajrore, si veprojnë në mënyrë preferenciale me çmimet



Kompanitë ajrore kanë një sistem të veçantë për shitjen e biletave. Bëhet fjalë për ndarjen e vendeve në disa kategori. Kjo lidhet ngushtë me çmimin e biletave. Një punonjëse pranë një zyre për shitje biletash tregon mekanizmin e këtij sistemi. Sipas saj, në kategorinë e parë, që njihet si "Red Tickets", vendosen disa vende me çmim të lirë, në kategorinë e dytë "economy" çmimet fillojnë të rriten dhe pjesa tjetër që mbetet përfshihet në kategorinë e biletave "economy flexible", të cilat shiten me çmim maksimal kundrejt kërkesës dhe ofertës. "Ky është një mekanizëm kundrejt të gjitha ligjeve të cilin e aplikojnë kompanitë ajrore. Ajo që nuk dihet ka të bëjë me numrin e vendeve që përfshihen në ‘Red Tickets‘ nga ku edhe nisin çmimet", thotë punonjësja. Rritjen e çmimeve gjatë sezonit të verës ajo e konsideron si të lidhur ngushtë me kërkesën e madhe për bileta nga shqiptarët, gjë që në ekonominë e tregut përdoret maksimalisht nga kompanitë ajrore për të përfituar.





11 Gusht 2010