Ligji për Sigurinë dhe shëndetin në punë cakton detyrimet e punëdhënësit dhe punëmarrësit. Mjek, në vendet e punës



Ligji





Siguria dhe shëndeti në punë tashmë është detyrim i punëmarrësit, i cili duhet të marrë të garantojë sigurinë dhe mbrojtjen e shëndetit. Por, edhe punëmarrësi duhet të plotësojë disa detyrime pikërisht në lidhje me sigurinë dhe shëndetin në punë.





Pikërisht në lidhje me miratimin ligjit "Për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë" dje u zhvillua seminari mbi rritjen e ndërgjegjësimit mbi sfidat që sjell implementimi i këtij ligji, ku morën pjesë ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, Inspektorja e Përgjithshme, Znj. Vikrita Çuto, dhe përfaqësues nga Komisioni Europian në Tiranë, të cilët shpjeguan detaje për detyrimet ndaj punëdhënësve, punëmarrësve, klasifikimet e dëmtimeve në punë dhe për grupet më të rrezikuara në punë.





Punëdhënësi



Ky ligj rregullon detyrimet e punëdhënësve për sigurimin e mbrojtjes së punëmarrësve në të gjitha aspektet që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në punë, si dhe merr masat e nevojshme nëpërmjet parandalimit të rreziqeve për aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale, informimit dhe formimit profesional të punëmarrësve, organizimit të mbrojtjes kolektive dhe individuale, sigurimit të organizimit të vendit të punës dhe mjeteve të nevojshme.





Është parashikuar ngritja për herë të parë dhe funksionimi i shërbimeve të mbrojtjes dhe parandalimit, si dhe Këshillit Ndërministror të sigurisë dhe shëndetit në punë. Këto struktura do të shërbejnë për zbatimin e masave parandaluese dhe pjesëmarrjen e balancuar të punëmarrësve në hartimin e dokumentit të vlerësimit dhe parandalimit të rreziqeve që burojnë nga puna.





Një tjetër risi është detyrimi i punëdhënësve për të hartuar dokumentin e vlerësimit dhe parandalimit të rrezikut, i cili përmban masat me karakter teknik, organizativ, higjieno - sanitare, të cilat do të zbatohen sipas kushteve specifike të vendeve të punës të aktivitetit. Ligji parashikon që çdo punëdhënës i një subjekti publik apo privat, vendas apo i huaj, fizik apo juridik është i detyruar të mbulojë me shërbim mjekësor në punë, nëpërmjet mjekut të punës.





Një tjetër detyrim është që në rastet e aksidenteve në punë, si dhe të sëmundjeve profesionale, punëdhënësi është i detyruar të njoftojë menjëherë Inspektoratin e Punës, Institutin e Sigurimeve Shoqërore, Organet e prokurorisë, etj.



Punëmarrësi



Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë parashikon detyrime jo vetëm ndaj punëdhënësit, por edhe ndaj punëmarrësit. Kështu punëmarrësi ka detyrim të përdorë me korrektësi makineritë, aparaturat, veglat, substancat e rrezikshme, pajisjet e transportit dhe mjetet e tjera, si edhe të përdorë me korrektësi pajisjet mbrojtëse individuale, të vëna në dispozicion të tyre dhe, pas përdorimit, rikthimin e tyre në vendin që është planifikuar ruajtja e tyre e sigurt.





"Gjithashtu, punëmarrësi ka detyrim të mos nxjerrë jashtë shërbimit, të ndryshojë ose të zhvendosë arbitrarisht mekanizmat e sigurisë të montuara në makineri, të aparaturave, veglave, impianteve dhe ndërtesave, dhe t'i përdorë si duhet këta mekanizma" - bëhet e ditur në ligjin për sigurinë në punë.





Sipas këtij ligji, punëmarrësi duhet të njoftojë, në mënyrë të menjëhershme, punëdhënësin, punëmarrësin e ngarkuar për çështjet e sigurisë dhe shëndetit në punë dhe përfaqësuesit e punëmarrësve, për çdo situatë pune, për të cilën kanë një motiv të arsyeshëm për ta vlerësuar si rast që paraqet një rrezik të rëndë të menjëhershëm për sigurinë dhe shëndetin, si dhe për çdo defekt të konstatuar në sistemin e mbrojtjes.





Sipas ligjit, aksident në punë konsiderohet gjatë punës, kohës së pushimit të punës apo edhe rrugës për në punë



Ligji, ja rastet kur vlerësohet aksidenti në punë





Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë parashikon vlerësimin e aksidentit në punë çka do të thotë se në cilat raste dhe situata kemi aksidente në punë. Kështu sipas aksidentit vlerësohet se ka ndodhur në punë ose për shkak të punës, kur punëmarrësi dëmtohet në këto raste si gjatë kryerjes së punës, sipas përshkrimit të saj, si edhe kryerjes së një pune tjetër, pa urdhër të punëdhënësit, por për arsye madhore, në interes të punës, kryerjes së një pune tjetër me porosi të punëdhënësit.





"Gjithashtu aksident në punë konsiderohet edhe gjatë kohës së pushimit në vendin e përcaktuar nga punëdhënësi, ose për vënien në rregull të makinerive, veglave të punës, veshmbathjeve, para ose pas mbarimit të punës", - bëhet e ditur në ligj, duke shtuar se aksident në punë është edhe gjatë rrugës në linjën e drejtpërdrejtë, nga banesa për në punë dhe anasjelltas, në rastet kur transporti është i organizuar nga punëdhënësi apo individualisht nga punëmarrësi, si edhe gjatë kryerjes së kurseve të formimit profesional.





Gjithashtu, aksident në punë konsiderohet edhe dëmtimi gjatë dhënies së ndihmës së parë, për motive të kryerjes së detyrës, në rastet e fatkeqësive natyrore.





Aksidentet në punë, katër kategoritë



Aksidentet në punë, bazuar në pasojat dhe numrin e personave të dëmtuar, klasifikohen në katër kategori. Sipas ligjit, janë aksidente që shkaktojnë paaftësi të përkohshme në punë për më shumë se 3 ditë kalendarike.





Kategoria e dytë janë aksidente që shkaktojnë invaliditet të përkohshëm ose të përhershëm e pasur nga kategoria e tretë që janë aksidente me vdekje. Ndërsa kategoria e katërt janë aksidente masive, ku të paktën dy apo më shumë persona dëmtohen në të njëjtën kohë dhe për shkak të së njëjtës arsye.





Aksidentet në punë, ja grupet më të rrezikuara





Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë ka përcaktuar edhe kategoritë më të rrezikuara. Kështu, sipas këtij ligji, gratë shtatzëna, gratë me fëmijë në gji, të miturit, si dhe personat me aftësi të kufizuar mbrohen ndaj rreziqeve, që i prekin ata në mënyrë të vçantë. "Punëdhënësit detyrohen të përshtatin vendet e punës, duke marrë parasysh praninë e grupeve, që janë të ndjeshme ndaj rreziqeve.





Mbrojtja e sigurisë dhe e shëndetit për grupet, që janë të ndjeshme ndaj rreziqeve, nuk duhet të përbëjë shkak për të krijuar situata të pafavorshme për gruan në tregun e punës", thuhet në ligjin për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.