REXHEP MEIDANI:Midis vendeve demokratike, dallohen pamje të ndryshme të organizimit të sistemit politik pluralist. Në një skicim të parë mund të veçohen, demokracia monarkike kushtetuese (parlamentare), republika parlamentare, republika gjysmë-presidenciale dhe ajo presidenciale. Monarki kushtetuese në Evropë, me monarkun (mbretin, mbretëreshën, dukën apo princin) si kryetar shteti dhe kryeministrin në krye të qeverisë, si rrjedhojë e zgjedhjeve të përgjithshme, janë: krahas Britanisë së Madhe, Belgjikës, Danimarkës, Holandës, Norvegjisë, Spanjës, Suedisë, edhe Luksemburgu, Monako, Lihtenshtajni e Andora. Variant tjetër i sistemit politik demokratik në Evropë është republika gjysmë-presidenciale franceze. Ajo, në kushte koabitacioni të vështirë midis shumicës parlamentare që prodhon qeverinë dhe presidentit të zgjedhur nga populli nën një "sigël" të kundërt politike, është konvertuar praktikisht në raste të tilla, deri në një sistem më tepër parlamentar; apo e kundërta, p.sh., me presidencën e fortë Sarkozi, ku vihet re një zbehje e qartë e peshës ekzekutive e legjislative qeveritare. Një situatë gjysmë-presidenciale ndeshet në Rusi (që në bazë të kushtetutës së vitit 1993), me një dyshe ekzekutive: Presidentin dhe Kryeministrin, ku figurë dominuese është ajo e presidentit. Bile, presidenca e fortë ruse, sidomos e kohës së Putinit, mund të krahasohet me atë të de Golit (Charles de Gaulle), në vitet 1958-69 të Republikës së Pestë Franceze. Megjithatë, edhe në të tilla raste, formalisht, pushteti ekzekutiv ndahet midis kryetarit të shtetit dhe kryetarit të qeverisë, ndërkohë që në sistemin presidencial amerikan, presidenti është kryetari i qeverisë dhe i shtetit, i zgjedhur me anë të zgjedhjeve presidenciale. Në vende të tjera, si Greqia, Italia, Gjermania, Australia, etj., sistemi politik demokratik shfaq një variant apo tjetrin të një republike parlamentare, diku me kryetar shteti (president) me detyra të konsiderueshme, diku me profil më tepër honorifik. Republika parlamentare janë dhe të gjitha vendet ish-socialiste të Evropës Lindore. Në ndryshim nga vende të tilla si, Greqia, Italia, Gjermani, etj., ku presidenti zgjidhet nga Parlamenti, nga Parlamenti dhe senati, apo nga konventa federative, etj.; në vendet ish-socialiste, në shumicën e rasteve, zgjedhja e presidentit bëhet drejtpërsëdrejti nga populli, por, praktikisht, pa prekur thelbin e një republike parlamentare.


Ndryshe është procesi i zgjedhjes së presidentit në praktikën legjislative shqiptare të tranzicionit. Ky proces, pavarësisht ndryshimeve aktuale, është realizuar në Kuvend, sipas paketës kushtetuese në fillim të këtij tranzicioni deri në zgjedhjen e vitit 1997, dhe në vitet 2002 dhe 2007, sipas Kushtetutës së vitit 1998. Megjithatë, pas hedhjes së poshtë të draftit të Kushtetutës së vitit 1994, ku u synua të formulohej në mënyrë shumë më eksplicite praktika e viteve 1992-1994 e paketës kushtetuese (e vazhduar dhe tre vitet e mëvonshme, brenda skemës politike me president të fortë dhe kryeministër të dobët, me të drejtën kushtetuese për iniciativë legjislative të presidentit dhe të drejtë të tij për të drejtuar kabinetin qeveritar), në përgatitjen e kushtetutës së vitit 1998 u arrit në gjykimin se, një skemë e tillë me president të fortë, mund të krijonte po ato deformime të ndeshura të procesit demokratik të 5 viteve të para të tranzicionit. Aq më tepër, duke parë dhe shembjen e godinës së shtetit gjatë krizës së piramidave, brenda asaj "logjike dramatike" të individit të fortë! Bile, po të studiohen prodhime të tilla negative si, në Rusi apo Bjellorusi, arrihet në përfundimin se forma e zgjedhur e republikës parlamentare shqiptare, në vende të tilla ku ka shqetësime të zhvillimit demokratik, përfshirë nivelin e ulët të opinionit publik, janë më se të domosdoshme.


Edhe brenda kësaj zgjedhjeje parlamentare shqiptare mund të veçohen dallime, që lidhen me specifikat apo situatat konkrete të konsideruar të "profilit presidencial", pas miratimit të Kushtetutës së vitit 1998. Sipas saj, me iniciativën e shembullin tim personal, individi që duhet të marrë detyrën e kryetarit të shtetit ka detyrimin kushtetues të "ngrijë" funksionet e mëparshme partiake për t'iu përshtatur nga ana ligjore pozicionit neutrale të kryetarit të shtetit. Pas një pjekurie të mëtejshme të demokracisë shqiptare, mund të bëhet fare normale një "shkrirje" e një praktike të tillë, që në momente të caktuara ka krijuar jo pak ngërçe në kryerjen e detyrës së kryetarit të shtetit.


Pra, ndryshe nga praktika presidenciale e një republike gjysmë-presidenciale të viteve 1992-1997, që në vitin korrik 1997 unë kam imponuar praktikën presidenciale të një republike parlamentare, edhe pse paketa kushtetuese më mundësonte të kundërtën deri në 28 nëntor 1998. Ndoshta dhe për këtë arsye fillestare, gjatë detyrës sime ka qenë fare normale një praktikë pune e vazhdueshme, një kontakt e bashkëpunim intensiv i institucionit të presidentit me anëtarë të kabinetit qeveritar apo me Kuvendin, dhe mbi të gjitha një komunikim sistematik me Kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit. Po ashtu, një praktikë shumë e vlefshme ka qenë dhe ajo konsultimit dhe bashkëpunimit të ngushtë midis Presidentit me Kryeministrit, në ndërtimin apo ndryshimin e kabinetit qeveritar, sidomos për emërimin e ministrave (p.sh. ministrit të Jashtëm, ministrit të Mbrojtjes, ministrit të Drejtësisë, etj.), lidhur ngushtë me detyrat kryesore kushtetuese të Presidentit të Republikës. Në gjykimin tim, kjo praktikë edhe pse jo e shkruar në mënyrë eksplicite në nenet përkatëse të kushtetutës, duhet të ishte sanksionuar në praktikën tonë shtetërore, ligjore e funksionale. Dhe, me gjithë përpjekjet e Presidentit Moisiu për ta ruajtur këtë dinamikë të mëparshme në ndërtimin e një kabineti qeveritar, ajo u mënjanua fillimisht nga Nano në qeverisjet e tij pasuese (2002-2005), apo nga Berisha (pas 2005). Solla këtë shembull për të treguar se "profili presidencial", jo vetëm shpreh aspektin kushtetues të detyrës së kryetarit të shtetit, por ai mishëron edhe konceptin e pasionin, integritetin e fuqinë e tij individuale. Nga ana tjetër, edhe numrat apo procedurat e zgjedhjes kanë vlerën dhe rëndësinë e tyre, gjë që me ndërhyrjet e fundit kushtetuese, madje me shmangien e referendumit popullor, nuk duken të përputhshme, bile të rrezikshme, në kushtet e demokracisë shqiptare. Dhe, mbi të gjitha, ky profil lidhet edhe me situatat e ndryshme, me mundësitë konkrete hapësinore e kohore, në të cilat mund të realizohen aspekte të veçanta të vizionit e misionit të kryetarit të shtetit. Gjithmonë me detyrimin e madh, njerëzor e ligjor, për t'u shërbyer interesave të vendit e qytetarëve, jo interesave personale apo etheve të pushtetit. Për këtë "profil presidencial", në shërbim të qytetarit, unë do të imponoja përvojën dhe energjinë, për atë do të jepja mbështetjen apo votën time...