Ministria e Arsimit pranon skandalin, vendos të ndryshojë tezën natën. Diskriminohen 54 mijë nxënësve që do të zhvillojnë sot provimin


Shënohet incidenti i parë në zhvillimin e Provimeve të Lirimit në vend. Në më pak se 24 orë nga provimi i dytë i Lirimit, Matematika, për klasat e nënta, testi i zgjidhur i kësaj lënde ka qarkulluar dje lirshëm në “treg”. Menjëherë pas skandalit të publikuar në media, Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), që merret me hartimin e tezave të provimeve të Lirimit dhe Maturës, ka pranuar se testi i publikuar ka ngjashmëri me një prej tezave të hartuar nga specialistët e kësaj agjencie.

Ndryshimi

Pas skandalit, drejtori i arsimit parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Vejsiu ka deklaruar se do të nisin menjëherë hetimet për të gjetur dhe ndëshkuar përgjegjësin, që ka nxjerrë sekretin e provimit të Matematikës. Madje, jo vetëm kaq, por Vejsiu nuk ka nguruar të cilësojë skandalin e nxjerrjes së testit të Matematikës si një veprim të qëllimshëm politik. Pas publikimit të këtij skandali dhe informimit të mjaft prindërve, kreu i AVA-s ka deklaruar se sot nxënësit do t’i nënshtrohen provimit të Matematikës, me një test tërësisht të ndryshëm nga ai që u nxor dje nga kjo agjenci në mënyrë jo-zyrtare. Pasditen e djeshme, ka reaguar edhe Ministria e Arsimit ndaj nxjerrjes së testit të Matematikës një ditë përpara provimit. Në një deklaratë për shtyp MASH-i shprehet se testi i nxjerrë është një nga dhjetë tezat e hartuara. Gjithashtu, MASH-i ka bërë të ditur se do të merren masa ndaj përgjegjësve për nxjerrjen e testit duke shtuar se testi i sotëm do të jetë krejtësisht i ri.

Teza

Nxjerrja e tezës së provimit, me pyetjet dhe përgjigjet e sakta një ditë para zhvillimit të tij është një skandal i vërtetë, pasi sipas rregullave të vendosura nga vetë Ministria e Arsimit për hartimin e tezave të provimit, këto të fundit teorikisht duhet të jenë të sekretuara dhe dalja e tyre jo vetëm që është e ndaluar, por nxjerrja përbën edhe shkelje penale. Por, në rastin e djeshëm, skandali i vërtetë është diskriminimi i rreth 54 mijë nxënësve, të cilët i drejtohen provimit, në konkurrencë të pandershme me ata që kanë paguar për të pasur paraprakisht, tezën me zgjidhjet. 23 pyetjet e hartuara nga një grup mësuesish duhet të mbaheshin sekret deri në mëngjesin e sotëm, ndërkohë që teza ka mbërritur dje në duart e një pjese të mirë të interesuarve.





20 Qershor 2009