Drejtoresha e Tatimeve, Shehaj: Kanë funksionuar edhe skema të tjera, jo vetëm në Tiranë


shehajDrejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Brisilda Shehaj, deklaroi se skema e mashtrimit me faturat e TVSH-së mund të jetë më e madhe nga sa dyshohej fillimisht. Ne dyshojmë se skema është akoma dhe më e gjerë. Administrata tatimore javës tjetër, kur të raportojë për shifrat dhe për arritje do të raportojë edhe për evazionin e gjetur, sepse nuk është vetëm Tirana dhe nuk është vetëm skema e TVSH-së, por janë disa skema të tjera që ne, për dy javë, kemi arritur të konstatojmë, tha Shehaj dje, në një takim me studentët e Fakultetit Ekonomik. Qëllimi i këtij takimi është për sensibilizimin e qytetarëve që të tërheqin kuponët tatimorë. Kryetatimorja e shfrytëzoi këtë për t’i bërë një thirrje edhe biznesit. Dua që nga kjo fushatë të sensibilizohet shumë edhe biznesi, pasi në muajin nëntor do të zbresim në terren për regjistrimin e biznesit, tha Shehaj. Ajo u shpreh se bizneset e paregjistruara janë një plagë e madhe për Tiranën dhe të gjithë vendin. Sipas saj, gjatë muajit tetor administrata tatimore bëri bilancet për bizneset, ndërsa tani kanë kaluar në fazë analitike. Drejtoresha e Tatimeve ka folur edhe për performancën e administratës tatimore, ku edhe pse nuk ka bërë publike shifrat në hollësi deklaroi se muaji tetor ka pasur ecuri shumë të mirë në mbledhjen e të ardhurave. Shehaj ftoi studentët e Fakultetit Ekonomik të bëhen pjesë e aplikimeve për punë në administratën tatimore, pasi, siç u shpreh ajo, janë hapur 150 vende të lira pune. Gjithashtu u bë e ditur se në muajin nëntor, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të nisë dhe fushatën tjetër, atë të regjistrimit të të gjitha bizneseve që ushtrojnë aktivitetin në Shqipëri. Ju falënderoj për punën e bërë, pasi kjo është një plagë e jona. Këtë fushatë sensibilizuese do ta shtrijmë në të gjitha qytetet, por sot përmbyllim fazën me Tiranën. Duhet të sensibilizohemi të gjithë për kuponin tatimor, biznesi duhet të sensibilizohet i gjithi për tu regjistruar. Ju ishit të mrekullueshëm, nuk kam fjalë. Dua që nga kjo fushatë të sensibilizohet shumë edhe biznesi, pasi në muajin nëntor do të zbresim në terren për regjistrimin e biznesit, – tha Shehaj.


 


Ky shkrim Skema e mashtrimit me TVSH është më e madhe u publikua me pare te Gazeta SHQIP.