17/04/2005  I sëmuri nuk ka nevoj për t’u mbyllur në spital, por për t’u trajtuar në qendra multidisiplinare, nga psikiatri, psikologu e punonjësi social


Numri i njerëzve të stresuar, me depresion të rëndë, deri në skizofreni, shtohet nga viti në vit mes shqiptarëve. Në shumë raste, këta njerëz bëhen dhe shkak për të ndodhur krime. E ndërsa skizofrenia është e matshme, krejt ndryshe ndodh me ata që vujanë nga stresi kronik, apo depresionet e rënda, pasi në Shqipëri studimet mbi psikoterapinë mungojnë.


***


“0.5-0.6 për qind e njerëzve vuajnë nga skizofrenia në vendin tonë”, thotë mjeku psikiatër, që është njëkohësisht dhe shefi i Spitalit të Psikiatrisë, Anastas Suli. Kjo nuk është një shifër tepër e lartë, për shembull në Amerikë është 2 për qind, por e rëndësishme është që këta njerëz të trajtohen rregullisht. Ndërkohë, problematike shfaqen dhe rastet e çrregullimeve të sjelljes, kryesisht te të rinjtë.


“Ç’do gjë ka të bëjë me periudhën e fëmijërisë. Nëse ka qenë një fëmijë, të cilit i ka munguar ngrohtësia dhe përkujdesi familjar, apo është abandonuar shpejt nga i rrituri në familje, pasojat janë të dukshme dhe ndërsa rritet. Krejt ndryshe është një ri, i cili është rritur në një familje me kushte normale jetese”, thotë Suli.


***


Në shërbimin e psikiatrisë qëndrojnë 120 të sëmurë, për të cilët kujdesen rreth 35 infermierë. A mund të quhet ky një ekip i plotë? Sigurisht që jo. “Gjëja më e mirë është që këta të sëmurë të mos mbahen të shtruar në spital për një kohë të gjatë, por të trajtohen në qendra multidisiplinare. Por, për këtë duhen shumë para, është investimi madh”, thotë një tjetër psikiatër. Në këto qendra psikiatri së bashku me infermierin trajton me barna të sëmurin. Më pas, me uljen e shkallës së sëmundjes, psikiatri ul dhe dozën e barnave. Pastaj me pacientin merret psiko-terapisti dhe pas kësaj merret punonjësi social, i cili shikon marrëdhëniet e këtij personi me familjen, shoqërinë, si ka ndikuar shoqëria tek ai dhe përpiqet që të riintegroj pacientin në shoqëri e familje. Ky është suksesi maksimal i një qendre multidisiplinare.


***


Sipas një studimi, këtë herë nga psikologët klinikë, në vendin tonë 5 deri 10 për qind e njerëzve vuajnë nga makthi, ndërrimi i shpeshtë i gjendjeve psikologjike, lodhje nervore si edhe simptoma stresi posttraumatike.


Çrregullimet e personalitetit, rrezikojnë adoleshentët


Çrregullimet e personalitetit, janë simptoma të rënda, por më të përhapura që prekin më tepër fëmijët e shkollave, adoleshentët dhe që po s’u trajtua në kohë trashëgohen dhe më pas në moshë të rritur. Një psikolog thotë se me këta lloj tipash duhet bërë shumë kujdes dhe duhet patur shumë durim në trajtimin e tyre. Nëse mbeten pa kuruar, ata mund të kthehen në antisocial. Rast tipik ishte ai i ndodhur disa vite më parë në Amerikë, ku një nxënës vrau 8 shokë të klasës, me ndërgjegje dhe nuk ndjente as keqardhje. Në fakt në shumë raste të ngjarjeve të kronikës, vrasjesh, apo të mbetura në tentativë, të ndodhura në Shqipëri, mungon psikologu dhe trajtimi. Në këto raste është e vështirë të përcaktosh diagnozën, pasi janë disa probleme të bëra së bashku dhe të zgjatura shumë kohë, pasi s’janë trajtuar ndonjëherë. Në Shqipëri, është shumë i nevojshëm psikoterapisti, por roli i tij ndihet shumë pak.


Ku ndryshon psikiatri nga psikologu


Psikologjia është shkenca e sjelljes dhe kognicionit, terapia e njohjes. Kjo përfshin sjelljet mendore. Psikologjia, ose më sakte psikologjia klinike, që të gjithë njerëzit e njohin dhe përdorin zakonisht termin psikologji ose psikolog. Këtë emërtim e përdorin për atë që merret me trajtimin e njerëzve që kanë nevojë. Psikologët klinikë gjenden në spitale për sëmundjet mendore, institucione për prapambetjen mendore, në burgje, klinika të shëndetit mendor, në gjykatat e të miturve, në qendra shëndetësore universitare, klinika për këshillimin e fëmijve etj.


Psikoterapisti


Psikologu klinik merr një diplomë në psikologji dhe më pas vazhdon studimet pasuniversitare. Pas pothuaj dy vjetesh ai/ajo merr gradën e masterit në psikologjinë klinike dhe pas përafërsisht 3 vitesh të tjera studimi, i jepet grada doktor i filozofisë, grada e zakonshme për psikologët. Pasi merr këtë gradë, ai praktikohet 1 vit në një institucion, nën kujdesin e psikologëve të tjerë, përpara se të fillojë të diagnostikojë dhe të trajtojë njerëzit në mënyrë të pavarur.


Psikiatri


Psikiatri është krejtësisht ndryshe. Psikiatrët janë mjekë të specializuar për trajtimin e sjelljeve anormale dhe, si të tillë, ata mund të rekomandojnë ilaçe, gjë që nuk mund ta bëjnë psikologët. Psikiatrët ndjekin shkollën mjekësore dhe marrin gradën doktor në mjekësi. Pastaj ata specializohen në trajtimin e sjelljes anormale. Psikiatrët shpesh i shohin sjelljet e pacientit të lidhura me shkaqe mjekësore dhe në këtë mënyrë përdorin shpesh trajtim mjekësor, si psh., terapi me medikamente, krahas terapisë psikologjike. Psikiatria është degë e mjekësisë. Ajo nuk është degë e psikologjisë.


Psikologjia trajton individin, psikiatria: patologjinë e tij. Një psikiatër mund të jetë edhe psikolog i mirë, këtë e vlerëson pacienti, nëse krijon besim. Te psikologu mund të drejtohen edhe ata që nuk konsiderohen të sëmurë. Psikologu të kthjellon mendimet, ndërsa nevoja e psikiatrit lind në një stad më të avancuar, atëherë kur je semurë dhe nuk funksionon psikoterapia dhe detyrimisht duhet t`i nështrohesh terapisë sedative, me barna qetësuese.


Thellimi i depresionit


Këta tipa janë të prirur më shumë për depresione të ndryshme, të cilat po nuk u trajtuan nga një psikolog i zoti, mund të thellohen dhe të bëhen objekt i sëmundjeve kronike, me të cilat merret mjeku psikiatër. Për sa i përket psikiatrisë, kjo është një degë, e cila kryesisht merret me sëmundje me bazë origjine familjare të trashëguara, të cilat janë sëmundje kronike dhe mund të përmirësohen vetëm me mjekim të vazhdueshem, janë kryesisht skizofrenitë, paranojat dhe çrregullimet e rënda në sjellje. Por, ka edhe sëmundje, të cilat krijohen nga rrethanat e vështira të jetës, kryesisht depresionet, të cilat po të kapen dhe mjekohen në kohën e duhur ato shkojnë shumë mirë.


Në vend të psikoterapistit


Stresi e depresioni, terapia më e mirë sporti e joga


Streset dhe depresionet mund të kurohen dhe vetëm me sport. Kush nuk merret me ndonjë sport të veçantë, mund të bëjë palestër. Një orë palestër në ditë mban jo vetëm trupin në formë, por edhe trurin. Në Amerikë dhe në vendet e Evropës për të kuruar depresionet po përdoret gjerësisht një terapi 6-mujore, duke përfshirë dhe jogën brenda. Sipas mjekëve, kjo jep rezultate mjaft të larta. Pas këtyre seancave ka rezultate konkrete dhe të sëmurët nuk kanë më probleme. Kjo është deri tani arritja e fundit, e cila garanton shërimin dhe pa nevojën e mjekimeve.