Autori i Lajmit: red.
Partia Demokratike do të kishte fituar zgjedhjet, nëse ato do të ishin realizuar në dhjetor të vitit 2008. Kështu, sipas një sondazhi të realizuar nga qendra për studime humanistike "Gain Bobi", rezulton se e djathta do të fitonte një mandat të dytë të qeverisjes me 48% të votave, ndërkohë që Partia Socialiste do të merrte vetëm 37% të votave të qytetarëve, dhe LSI-ja arrin të marrë vetëm 6.1%. Sipas sondazhit të "Gain Bobi", humbëset e mëdha të këtyre zgjedhjeve do të jenë partitë e vogla, pasi përveç Partisë Republikane, asnjë parti tjetër nuk do të marrë më shumë se 1% të votave të shqiptarëve. Një surprizë politike rezulton nga sondazhi i realizuar nga "Gain Bobi" Partia G99, e cila, edhe pse e re, arrin të marrë 2.5% të votave. Ndërkaq, sipas sondazhit të realizuar, politikani më popullor është Presidenti i Republikës, Bamir Topi, me mbështetjen e 76.7% të qytetarëve. Ky sondazh është realizuar gjatë muajit dhjetor dhe janë pyetur 747 qytetarë shqiptarë. "Gain Bobi" njihet si shoqata që organizoi "Exit Pollin" e 3 korrikut të vitit 2005, sipas të cilit, PD-ja kishte fituar në Tiranë dhe Durrës.



Ky lajm është publikuar: 10/02/2009