Sopranoja shqiptare me famë botërore Inva Mula, është nga shoqata “Shqiptarët e Francës” ku performoi me një koncert më 30 maj në Orlean, e shoqëruar në piano nga një tjetër artist i njohur shqiptar David Tukiçi. Dy artistët sollën në këtë mbrëmje të veçantë jo vetëm tingujt botërore të muzikës, por edhe ata shqiptarë. Të dy të talentuar, të përkushtuar dhe pasionantë, ata krijuan emocione të jashtëzakonshme në këtë koncert, i cili u duartrokit gjatë nga publiku në sallën. Salla e Orleanit ishte e tejmbushur me spektatorë që kishin ardhur të ndiqnin nga afër mrekullinë e zërit të Inva Mulës dhe perfeksionin e pianistit David Tukiçi. Nuk është hera e parë që kjo shoqatë, me presidente, Bujana Sojlin organizon aktivitete të rëndësishme në fushën e artit. E krijuar vetëm katër vjet më parë, kjo shoqatë është kthyer në një bërthamë të rëndësishme në Orlean, ku kanë qenë pjesëmarrës shumë artistë shqiptarë, të njohur tashmë në skenat botërore. Mund të përmendim këtu koncertin për violinë e piano të artistëve Suela Mullai (violinë) dhe Masimo Palumbo (piano), realizuar në katedralen e madhe të Orleanit, takimet me autorë si Klara Budo, etj. Inva Mula është një nga artistet që ka pushtuar skenat botërore që nga Parisi, Neu-York-u, Moska, Athina. Ajo është aktualisht sopranoja shqiptare më e njohur në botë. Mbasi fitoi konkurset George Enescu në Bukuresht (1992), "Butterfly" në Barcelonë (1992) dhe konkursin e parë për këngëtarë të operave të organizuar nga tenori spanjoll Placido Domingo në Paris (1993) asaj iu hapën portat e teatrove më të famshëm në botë, duke filluar nga "La Scala" në Milano, Arena në Veronë, Covent Garden në Londër dhe deri në "Metropolitan Opera" në Nju Jork. Me zërin e Divës në filmin fantastiko-shkencor të regjisorit francez Luc Besson "Elementi i pestë" (1997) ajo arriti të bëhej e njohur edhe në skenën e muzikës pop. Që nga viti 2002, Inva Mula është interpretuese e rregullt në Deutsche Oper Berlin, këtë vit ajo interpreton aty rolin kryesor të "La Traviata"-s së kompozitorit italian Giuseppe Verdi (1813-1901). Së fundi, ka dalë në treg edhe CD-ja e saj më e fundit "Il Bel Sogno" (Virgin Classics), një përmbledhje ariesh e regjistruar me Orkestrën e Filarmonisë të Zagrebit nën drejtimin e Ivo Lipanoviçit.

“Pianisti i ri”, çmimi “Lola Gjoka” për Viola Paçon

Festivali Mbarëkombëtar “Pianisti i ri” në edicionin XV, ka pritur rreth 120 të rinj nga 7-18 vjeç në shkollën e mesme kombëtare Artistike "Jordan Misja", i zhvilluar në datat 27 -30 Maj! Pjesëmarrësit ishin nga të gjitha shkollat muzikore të vendit, si dhe nga Kosova, Gjakova e Prizreni të cilat në këtë evenimenti ballafaquan arritjet vjetore përpara një jurie të përbërë nga pedagogë të huaj, konkretisht nga pianistja japoneze Takako Okatomo Economou, dhe pianisti italian pedagog në Konservatorin e Venecias, Massimo Somenzi në cilësinë e Kryetarit të Jurisë. I organizuar nga EPTA-Albania në bashkëpunim me Shk. Artistike "Jordan Misja" ai shpalli aritjet e tij ne Koncertin e Finalisteve dt. 29 Maj në sallën “Tefta Tashko” në MTKRS nga ku juria përcaktoi çmimet si më poshtë: çmimin "Lola Gjoka" dhe atë “Feim Ibraimi” që iu dhanë pianistes së re, maturantes Viola Paco; çmimin "Tonin Guraziu" per pianistin e ri Mario Sula dhe çmimin "Shopen' pianistit 10 vjeçar Gjergji Bejko dhënë nga Ambasada Polake. Gjithë festivali zhvillohej ne kuadrin e 100 vjetorit te pianistes se shquar Lola Gjoka, Presidente nderi e Shoqatës “EPTA-Albania” e cila përveç promovimit të talenteve që prej 16 vjetësh çdo vit përpiqet te evidentojë vlera te kulturës sonë dhe njëkohësisht te sjelle kërkesat bashkëkohore nëpërmjet kontakteve me pedagogë të huaj të karrierës ndërkombëtare. Gjithashtu, masterclassi i Prof. M. Somenzit në datën 30 Maj .Në shkollën artistike "Jordan Misja" ishte një përvoje cilësore e kontakteve të domosdoshëm me të cilat duhet të formohen artistët tanë të rinj.







2 Qershor 2010