OKB e ka shpallur 10 tetorin si Ditën Botërore të Shëndetit Mendor, kur shoqëria e ka për detyrë të përkujdeset më shumë se ditët e tjera ndaj njerëzve me probleme psikike dhe familjeve të tyre. Shteti ka për detyrë t’i ndihmojë këto kategori, edhe kur ata protestojnë, meqenëse kështu rritet nocioni i tyre i qytetarisë dhe ndalet përkeqësimi i situatës drejt depresionit, kthimit në infantilitet tek krevati i nënës dhe kalimi në fazën kur shndërrohen në një rrezik publik


10 tetori është shpallur nga OKB si Dita Botërore e Shëndetit Mendor. Kjo datë është e rëndësishme, veçanërisht për shoqëri ende të pastabilizuara dhe që kanë dalë nga shoqëri të traumatizuara, siç ka qenë diktatura komuniste 50 vjeçare. Kjo datë përkujtohet zakonisht me aktivitete të shumta, ku institucionet shtetërore shfaqin kujdesin e tyre ndaj kësaj kategorie me risk, duke u bërë të qartë bartësve të sëmundjeve të shëndetit mendor, se edhe ata, si gjithë të tjerët, mund ta çojnë jetën e tyre të përditshme sa më afër normales, me solidarizime, shfaqje publike, apo edhe protesta në rrugë. Shëndeti Mendor në epokën moderne është përherë e më shumë një shqetësim për autoritetet, meqenëse vlerësohet se sot në botë, vuajnë nga shqetësime mendore më shumë se 450 milionë njerëz në të gjithë botën. Në vigjilje të 10 tetorit, edhe njëherë OKB-ja ka kujtuar dje se kjo datë, apo edhe manifestimet (e protestat) që mund të mbahen, duhet të shërbejnë për të tërhequr vëmendjen ndaj gjendjes në të cilën gjenden të sëmurët mendorë dhe familjet e tyre. Në Shqipëri nuk ekzistojnë statistika të plota për të sëmurët mendorë, por subjekte të këtyre patologjive janë ata që kanë çekuilibrime të humorit apo patologji të tjera që afrojnë me çrregullime psikike. Shfaqjet më normale që këtij çekuilibrimi në shëndetin mendor janë rëniet në gjendje depresive, shndërrimi i jetës në një listë të dështimeve të njëpasnjëshme në jetën familjare e profesionale, rikthimin në infantilitet apo futjen në krevatin e nënës, për të rifituar atë garanci që tashmë është humbur për shkak të çekuilibrimit mendor, etj. Shoqëria shqiptare, ashtu si edhe shoqëritë e tjera perëndimore shfaqin probleme në pranimin e shkallës së këtij çekuilibrimi. Raportet ndërkombëtare flasin se shoqëritë duhet t’i ndihmojnë këto subjekte, edhe kur ato sjellin probleme për ushtrimin e instancave shtetërore, pasi thuhet se kjo do të shtojë vetëvlerësimin e të sëmurëve për veten, duke u mundësuar atyre ushtrimin si duhet të të drejtës së qytetarisë. Mendja e shëndoshë në një trup të shëndoshë/Kalimi nga një sistem ekonomik komunist në atë kapitalist pa dyshim që ka lënë pasoja, natyrisht po flasim për shëndetin e shoqërisë shqiptare në përgjithësi dhe atij mendor në veçanti. Sot është protesta e opozitës së Edi Ramës dhe është disi e vështirë për disa individë që kanë pasur një jetesë të hallakatur të përshtaten me principet demokratike, me një ekonomi liberiste që kërkon një angazhim të pasur në mendime, ide, reflektime dhe veprime, që ajo të mos jetë e centralizuar... pra e varur kryekëput nga shteti. Tranzicioni shqiptar po shfaqet me një egërsi të paparë në shou-t dhe po duket se do të jetë i vështirë dhe për fat të keq, i gjatë. Mendimet dhe qëndrimet e njerëzve, qoftë përsa i përket ekonomisë, apo edhe kujdesit karshi shëndetit të tyre, marrin një kthesë tjetër. Edhe politika opozitare me bojkotet e saj nuk është se e ndërgjegjëson qytetarin, përkundrazi, e fut atë në një vorbull pa krye,pa kauzë duke humbur kështu energjitë në probleme artificiale. Ndërsa disa grupe sociale që preken më rëndë nga tranzicioni në pikëpamjen ekonomikee sociale, ka  grupe të tjera, të cilat gjejnë vetveten me kauzat  ideologjike dhe pësojnë një ngritje të standardit të jetesës nga ky qëllim. Mirëpo a kanë probleme shqiptarët përgjithësisht me shëndetin e tyre mendor në këto vite të një tranzicioni të vështirë? Natyrisht që ka mjaft, por ka dhe rreze drite shpresëdhënëse. Realiteti të thotë se vihet re një rritje e frekuencave të çrregullimeve psikike nga faktorë të panumërt si: problemet ekonomike, lëvizjet e theksuara demografike në vitet e fundit, një emigracion i madh i pa kontrolluar, abuzimet me alkoolin, medikamentet dhe drogat, alibitë më të hershme të çrregullimeve mendore se vite me parë, ndikimi i dukshëm i medies etj. Nuk duhet të ngatërrohen nga specialistët dhe mbarë shoqëria shqiptare “depresioni politik apo ai  publik” si një reaksion i kushteve, sidomos ato të krijuar ad hoc të reja për një jetesë me standarde. Ne po flasim në këto radhë, më tepër për çrregullimet psikike të moshave të ndryshme, edhe politike, të cilat kanë bërë që të rritet numri i shtrimeve në klinikat dhe spitalet psikiatrike. Nga statistikat që kemi të çdo viti, vihet re një rritje e numrit të konsultave në konsulentët ditorë, të cilët mbulojnë një pjesë të mirë të konsultimeve, të rasteve të vështira që vijnë nga mbarë Shqipëria dhe jashtë saj. Ngarkesa është e konsiderueshme për mjekët specialistë, të cilët shpesh ndihen dhe të lodhur nga puna e përditshme. Do të analizojmë shkurtimisht rëndësinë që kanë të tre nivelet e shërbimit psikiatrik në nivel kombëtar. Kjo, për faktin se një bashkërendim i detyrave dhe funksioneve të çdo hallke luan një rol kardinal në alibitë, ndjekjen spitalore dhe më tej atë komunitare të të sëmurëve. Statistikat botërore flasin për ndikimin që kanë traumat e lindjes në dëmtimin e shëndetit mendor. Gjithashtu, nuk mund të rrisë një fëmijë të shëndetshëm në pikëpamje fizike dhe mendore, një nënë e cila vuan vetë nga një sëmundje somato-psikike. Mjeku i familjes duhet të mbajë lidhje të rregullta me specialistët e shëndetit mendor pranë qendrave ambulatore. Detyra është e vështirë, por jo e parealizueshme me standardet ndërkombëtare. Dihet se terreni tek ne shpesh paraqet vështirësi në drejtim të ndjekjes së rregulltë të të sëmurit dhe ndodh që niveli i kulturës shëndetësore lë për të dëshiruar. Na ndodh shpesh që kompliancionet (marrja e medikamentit) të jetë negative, si për shkak të mungesës së një kulture shëndetësore në familje, ashtu dhe për shkak të mungesës së kritikës së gjendjes mendore nga ana e pacientit. Mjekët psikiatër ambulatorë kanë për detyrë të ushtrojnë kontrolle periodike të të sëmurëve, si me rastet e reja ashtu dhe të atyre që dalin nga klinikat dhe spitalet. Sot strategjia botërore në ndjekjen ambulatore të të sëmurëve është në drejtim të uljes në maksimum të recidivave (përsëritjes) së krizave. Falë futjes së psikotropeve të reja me avantazhe, në tregun e farmaceutikës shqiptare kemi një ulje të krizave të përsëritura, pra nëse dëgjohen “zëra nga lart” problemi është diku tjetër, më akut. Është shumë e rëndësishme nga ana e specialistëve ambulatorë e mbajtjes së lidhjeve të rregullta me klinikat dhe spitalet psikiatrike, duke kryer atë që cilësohet si “rotacion bipolar”. Qëndrimi afatshkurtër në klinikat dhe spitalet për të rifreskuar si anën klinike të çrregullimeve mendore ashtu dhe diskutimi i gjerë mbi literaturën psikiatrike bashkëkohore. Për arsye të ndryshme, që nuk varen vetëm nga personeli shëndetësor, ky rotacion ka vite që është harruar dhe akoma nuk po gjendet gjuha e përbashkët. Mendojmë që në të ardhmen të vihet në vend ky funksionim mjaft i rëndësishëm si vite më parë. Ngritja vitet e fundit e qendrave komunitare do të sjellë padyshim një përmirësim në ngjitje të ndjekjes së të sëmurëve. Disiplina e psikiatrisë avancon me hapa të shpejta, ashtu si dhe gjithë mjekësia. Çrregullimet mendore, për shkak të asaj që emërtohet si psikiatria trans-kulturale, po pësojnë modifikime të rëndësishme që e vënë në lëvizje specialistin psikiatër-psikolog. Po kështu, sot vihet re një rritje e konsiderueshme e frekuencave të komorbiditetit në patologjinë mendore dhe kjo bën që specialisti psikiatër të jetë i angazhuar në vazhdimësi me kolegët e tjerë të mjekësisë interne apo të neurologjisë dhe neurokirurgjisë në plan të parë. Sot për sot, specialisti psikiatër nuk mund të funksionojë i veçuar nga pjesa tjetër e mjekësisë. Përkundrazi, ai është pjesë e pandashme e saj. Specialisti psikiatër dhe ai psikolog dhe me punonjësin social, duhet të jenë figura kyçe në shoqërinë shqiptare. Sëmundjet mendore kanë jo vetëm aspektin biologjik të tyre, por dhe atë psikologjike e sociale. Niveli i demokracisë i një shoqërie që meriton të jetë demokratike dhe e emancipuar, varet nga koeficienti i ruajtjes së shëndetit të individit. Janë bërë hapa progresive në shoqërinë shqiptare drejt asaj që cilësohet sot si shërbimi komunitar për shëndetin mendor, por akoma duhet bërë një punë e madhe në drejtim të ngritjes së kualifikimit të personelit shëndetësor që punon në shërbimin psikiatrik qoftë atë spitalor dhe komunitar. Psikologët dhe punonjësit social duhet të kenë pozicionet e tyre në shoqërinë tonë si nëpër klinikat ashtu dhe në komunitet. Është i papranueshëm realiteti i mungesës së psikologut dhe punonjësit social në ambientet spitalore apo të klinikave. Këta janë elementë të rëndësishëm të shërbimit psikiatrik në përgjithësi. “Mente sana in corpore sana”.

...