Një në dhjetë maturantë nuk ka arritur t`ia dalë me sukses provimit të dytë të Maturës Shtetërore, sipas Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve, e cila ka bërë të ditur dje rezultatet statistikore të maturantëve për këtë provim. Ankthi për rezultatet e provimit të matematikës për rreth 31.959 maturantë mbaron sot. Të gjithë do të mund të shohin rezultatet e provimit në shkollat e mesme, pasi ato do të afishohen nga drejtoritë.


Rezultatet


AVA bëri dje me dije se nga të gjithë maturantët që morën pjesë në provim rreth 89,11 % kanë marrë notë kaluese, ndërsa pjesa tjetër kanë marrë notë jokaluese. Bëhet me dije se me nota të nivelit 5-6 janë vlerësuar gjithsej 19.015 maturantë, domethënë 59.60% e sasisë totale. Ndërsa nota të nivelit 7-8 kanë marrë gjithsej rreth 7368 maturantë, pra 23.06% e sasisë totale. Mësohet se me nota të nivelit 9-10 janë vlerësuar gjithsej 2097 maturantë, domethënë 6.56% e totalit të tyre. Nga 31.959 maturantë që kanë marrë pjesë në provimin e matematikës të Maturës Shtetërore 2008, vetëm 535 janë vlerësuar me notën 10 dhe vetëm 8 prej tyre kanë arritur që të marrin sasinë maksimale të pikëve të mundshme. Rezultatet e matematikës për këtë vit kanë qenë dukshëm më të dobëta nga vlerësimi i tyre në provimin e letërsisë, ku nga totali i nxënësve ngelës rezultuan vetëm 8 për qind.


Ankesat


Por, edhe nëse maturanti është ngelës, ai do të ketë një mundësi të dytë. Bëhet me dije se për të gjithë ata që nuk janë dakord me vlerësimin e bërë, mund të depozitojnë një ankimim dhe të kërkojnë të shikojnë fletën e tyre të provimit.


Sipas rregullores së maturës, çdo maturant pas shpalljes së rezultateve të provimit ka të drejtë të kërkojë një kopje të testit që ai ka zhvilluar, me rezultatet përkatëse të vlerësimit. Brenda 7 ditëve pas shpalljes së rezultateve të provimit, ai paraqet pranë Komisionit Shkollor të Maturës Shtetërore një kërkesë duke paguar një tarifë prej 400 lekësh për çdo kopje të testit, në sekretarinë e shkollës. Komisioni i Maturës Shtetërore pranë Drejtorive Arsimore shqyrton kërkesat e paraqitura dhe i përcjell ato zyrtarisht tek AVA, shoqëruar me mandatarkëtimet përkatëse. Ndërsa AVA, pasi merr kërkesat, dërgon në Drejtoritë Arsimore Rajonale fotokopjet e testeve të kërkuesve. Pas kësaj procedure, çdo kërkues firmos për tërheqjen e fotokopjes së testit. Nisur nga procedurat e vlerësimit të testeve, vlerësimi i shpallur nga AVA, për çdo pjesëmarrës në provime, nuk do të rishikohet.


Formulari A2 dhe fundi i Maturës


Me këtë provim ata u kanë dhënë fund katër viteve të shkollës së mesme. Nota e marrë në lëndën e matematikës dhe të letërsisë, ndryshe quhet nota e meritës. Ato kanë rëndësi jo vetëm për të treguar rezultatet e shkollës së mesme, por sidomos në procedurat për studimet e larta. Tanimë mbetet që maturantët t’i nënshtrohen vetëm provimit të përbashkët të dy lëndëve me zgjedhje më datë 10 korrik. Procesi i korrigjimit të këtyre provimeve ka mbaruar prej disa ditësh. Por pas përfundimit të këtij procesi në katër qendrat e vlerësimit në Tiranë, Shkodër, Elbasan e Fier, ka filluar që dje shpërndarja e tyre nëpër Drejtoritë Arsimore dhe në zonat rajonale përkatëse, prej nga do të nisen për tu afishuar nëpër shkolla. Rezultatet e provimeve do të ndihmojnë maturantët për të zgjedhur shkollat e larta në Formularin A2.