10 tetori është Dita Ndërkombëtare e Shëndetit Mendor. E festuar për herë të parë në vitin 1992, si një nismë e Federatës Ndërkombëtare të Shëndetit Mendor, një organizatë me anëtarë nga më shumë se 150 vende. Kjo ditë i kushtohet edukimit mbi shëndetin mendor, përkujdesit dhe ndihmës shoqërore. Në disa vende, kjo ditë festohet si pjesë e Javës së Përkujdesit ndaj Shëndetit Mendor. Shëndeti mendor është cilësuar si një ndër problematikat e rëndësishme të vendit tonë. Sipas studimeve të Institutit të Shëndetit Publik, rezulton se një në shtatë persona vuan nga probleme të shëndetit mendor, prej depresionit e deri në forma më të rënda si skizofrenia. Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik kanë hartuar një strategji për luftën ndaj shëndetit mendor, e cila përmban masa specifike për krijimin e kushteve të nevojshme për parandalimin, trajtimin ose kurimin e këtyre sëmundjeve.