Shpallen sot listat me pikët e maturantëve që kanë plotësuar formularët e pasaktësive. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë të ditur se të gjithë maturantët që kanë plotësuar formularin e korrigjimeve do të njihen sot me vlerësimin e APRIAL. Publikimi i kësaj liste do të bëhet një ditë pasi ka përfunduar dorëzimi i ankesave nga të gjithë maturantët që nuk kanë qenë dakord me vlerësimin për rezultatet e Maturës Shtetërore.



Formulari



Maturantët që janë njohur me pikët e fituara nga Matura Shtetërore dhe nuk kanë qenë dakord me vlerësimin apo kanë vënë re pasaktësi kanë pasur dy javë kohë për të plotësuar ankesën. Çdo maturant ka të drejtë të plotësojë formularin e Korrigjimit të Pasaktësive, që lidhet me të dhënat personale dhe notën mesatare dhe nota e provimeve të detyruara (D1, D2) dhe atyre me zgjedhje (Z1, Z2) të çdo maturanti. Ky formular është përgatitur për të evidentuar korrigjimet e pasaktësive që duhen bërë për një maturant. Ai u jepet vetëm maturantëve që kanë kontestime për të dhënat e tyre në Librin e Transparencës. Secili maturant që konstaton një pasaktësi, ka të drejtë të plotësojë këtë formular duke kërkuar korrigjimin e pasaktësisë. Në Formularin e Korrigjimit të Pasaktësive është e detyrueshme të plotësohen të dhënat për Rrethin, Bashkinë/Komunën, Shkollën dhe ID e maturantit si dhe të dhëna të tjera. Kjo kërkesë duhet të konfirmohet zyrtarisht nga drejtoria e shkollës dhe Drejtoria Arsimore Rajonale dhe Zyra Arsimore (DAR/ZA), pasi këto institucione të arsimit kanë të drejtën dhe përgjegjësinë e verifikimit të dokumentacionit shkollor. Të dhënat që kanë lidhje me notat D1, D2, Z1, Z2 konsultohen nga ana e specialistëve të APRIAL-it dhe AVA-s me bazën e të dhënave dhe më pas konfirmohen nga Drejtori i APRIAL-it. Pra, APRIAL-i, për secilin prej maturantëve disponon në kompjuter jo vetëm të dhënat e gjeneraliteteve, notave, por dhe imazhin e formularit A2 si dhe imazhin e këtij formulari, për ata që e kanë plotësuar.



Afati



Sipas afateve të përcaktuara nga MASH-i, deri më datën 30 gusht u dorëzuan në APRIAL formularët e korrigjimit të pasaktësive. Bashkë me Librin e Transparencës për maturantët u shpërnda edhe formulari i Korrigjimit të Pasaktësive, i cili është plotësuar nga të rinjtë që kanë pasur ankesa lidhur me vlerësimin që u është bërë atyre për provimet e Maturës Shtetërore. Pas shpalljes së listës së pikëve për maturantët që kanë plotësuar ankesa APRIAL do të nis punën për përfundimin e procesit. Do të jenë disa ditë pune për të saktësuar e përfunduar bazën e të dhënave të të gjithë maturantëve kandidatë për studime në universitete. Vetëm pas saktësimit të bazës së të dhënave, do të futet në punë programi kompjuterik për të përcaktuar fituesit në të gjithë programet e studimit të universiteteve shqiptare. Pas kësaj, APRIAL-i do të përgatisë listat e fituesve për secilin program studimi dhe do t’i shpërndajë ato në formë elektronike në të gjitha universitetet.

































31 Gusht 2010