Të gjithë mjekët dhe mamitë pensioniste, të cilat me punën e tyre gjatë shumë viteve kanë punuar në shërbim të nënës dhe fëmijës në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik (SUOGJ) “Mbretëresha Geraldinë”, do të nderohen në një ceremoni të veçantë nga Drejtoria e këtij spitali, ditën e hënë në mjediset e Hotel "Tirana International".
Zëdhënësja e SUOGj “Mbretëresha Geraldinë”, Ervina Nuri tha të shtunën për ATSH-në se “Drejtoria e spitalit, me rastin e Festave të fundvitit do të organizojë aktivitetin ‘Mirënjohjeje’, për të nderuar personelin mjekësor të dalë në pension ndër vite, që me punën e tyre kanë dhënë një ndihmesë të vyer në rritjen e vazhdueshme të cilësisë të shërbimit ndaj nënës dhe fëmijës”.
"Që në fillimet e punës së tij, Materniteti i Tiranës, (sot Spitali Universitar Obstetrik Gjinekologjik ‘Mbretëresha Geraldinë’) ka pasur personel jo vetëm profesionalisht të aftë, por dhe human dhe të përkushtuar", tha zëdhënësja Nuri.  Sipas saj, personelit, për nder të të cilit do të zhvillohet aktiviteti, do t’u shpëndahen Çertifikata Mirënjohjeje.
Spitali Obstetrik Gjinekologjik "Mbretëresha Gerladinë" në Tiranë, i krijuar që në vitin 1936 dhe i njohur në atë kohë me emrin “Nëna dhe fëmija”, ofron shërbimet gjinekologji, obstetrikë, patologji, neonatologji (pediatri), si dhe labotarorë. Në të kryhen me mijëra analiza të ndryshme, qoftë të hospitalizuar, qoftë dhe ambulatore, nga më të thjeshtat deri tek ato hormonalë.
Numri i shtretërve në këtë spital arrin në 150 për të rriturit, 62 për fëmijë, prej të cilëve 12 inkubatorë dhe 40 të zakonshëm. Çdo vit spitali përballon një volum të madh pune. Sipas statistikave, në vitin 2005 numri i lindjeve ishte 5800, në vitin 2006 zbriti në 5800, në vitin 2007 u rrit në 5600, ndërkohë që në 6 mujorin e parë të vitit 2008, numri i lindjeve ishte 2600.
Në fillim të qershorit të këtij viti, spitali “Mbretëresha Geraldinë” është pajisur me Qendrën e Pranimit të Urgjencave, e cila konsiderohet nga drejtuesit e këtij materniteti si pika më e rëndësishme e takimit të pacientëve me stafin mjekësor për përcaktimin e diagnozës dhe dhënien e ndihmës së parë. Përurimi i kësaj qendre përkoi me 1 vjetorin e vizitës së znj. Laura Bush në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në 10 qershor 2007.

...