Banka Qendrore, do të miratojë javën që vjen, "Strategjinë e zhvillimit të Bankës së Shqipërisë për periudhën 2009- 2011". BSH-ja, bënë të ditur se në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Mbikëqyrës, një vend të rëndësishëm do të zërë diskutimi i politikës afatgjatë, e cila synon stabilitetin e përgjithshëm makroekonomik të vendit, me qëllim rritjen e mëtejshme të investimeve vendase e të huaja. Ekspertet bankar shprehen se, përballë kushteve të krizës financiare ndërkombëtare, ruajtja e stabilitetit makroekonomik të vendit mbetet një nga sfidat kryesore të BSH-së. Sipas BSH-së, burimet e rritjes së qëndrueshme për periudhën afatmesme dhe afatgjatë, do të konsistojnë jo vetëm në nxitjen e rritjes së produktivitetit të punës apo të investimeve në industri e ndërtim, por edhe në sektorë të tjerë strategjikë. Investimet vendase dhe ato të huaja direkte në sektorë strategjikë si turizëm dhe infrastrukturë, do të përbënin një burim real të rritjes ekonomike, duke ndikuar në zbutjen e efekteve negative të krizës.







Ndryshon rregullorja për regjistrin e kredive



Mënyra e mbajtjes së të dhënave të klientëve në regjistrin e kredive, si dhe raporti i kredimarrësve do të jenë ndryshimet që do të pësojë rregullorja përkatëse. Bëhet fjalë për projektet për disa ndryshime në rregulloren “Për funksionimin e regjistrit të kredive” dhe në udhëzimin “Për procedurën e nxjerrjes së raportit mbi kredimarrësin dhe rishikimin e të dhënave që mbahen në regjistrin e kredive”, të cilat do të diskutohen në fund të këtij muaji në mbledhjen e radhës së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Burimet zyrtare të këtij institucioni bëjnë të ditur se në këtë mbledhje do të diskutohet edhe raporti mujor i politikës monetare për muajin maj 2009, si dhe marrja e vendimit të politikës monetare. Të tjera pika të përfshira për diskutim në mbledhjen e radhës janë edhe projekti për miratimin e rregullores “Mbi buxhetin e Bankës së Shqipërisë” dhe informacioni mbi pasqyrat financiare të Bankës së Shqipërisë për muajin maj të këtij viti.









19 Qershor 2009