Stilistët shqiptarë sugjerojnë tendencat e tyre. Dje në mbrëmje ka nisur edicioni i radhës i Javës Shqiptare të Modës. Stil dhe tendencë, veshje ekstravagante e klasike, ngjyra dhe larmi modelesh janë shfaqur mbrëmë në pasarelën e kryeqytetit. Ka qenë stilistja Stamatina Stefani, e cila çeli këtë javë mode. Aktiviteti i saj prej më shumë se 15 vitesh është i përqendruar në Greqinë fqinje. Stefani është prezantuar për publikun me një gamë të gjerë veshjesh, duke filluar nga ato për fëmijë, tendencat e fundit për moshat rinore për gruan në karrierë etj. "Afërsisht 70 vjet më parë, Lufta e Dytë Botërore transformoi jetët e miliona njerëzve. Një nga aspektet që u ndikuan nga lufta, ishte dhe moda e veshjes te femrat. Ky revolucion po ndodh dhe sot teksa sheh rrugëve të Tiranës. Ndihet se shqiptarët i kushtojnë rëndësi veshjes", u shpreh stilistja Stamatina Stefani. Pas saj ishte radha e institutit të modës "Burgo", që ka ofruar krijimet e studentëve më të talentuar të shkollës, të cilët kanë ardhur me një sfilatë plot ngjyra e cohëra të përzgjedhura me kujdes. Ndërkaq në ditët në vijim, Java e Modës do të vijojë me prezantimin e krijimeve nga një tjetër shkollë, e cila kësaj here vjen nga Kosova. "Desing Factory", vjen në pasarelat e Tiranës pasi ka marrë pjesë Javën e Modës në Sarajevë. Po ashtu, nesër do të jetë para publikut kryeqytetas për të paraqitur krijimet e saj një stiliste e re, e cila vjen nën siglën "Angel‘s Style". Ndërsa shkolla Sipam AB do të sjellë eksperiencën greke prej nga ka dhe origjinën, nëpërmjet studentëve më të talentuar.