AIDA MALAJ

I ftohti dhe viruset që qarkullojnë në ajër ndikojnë në shtimin e numrit të rasteve me prostatite, infeksion që prek kapsulën e gjëndrës së prostatës. Mjekët tërheqin vëmendjen që çdo rast të trajtohet me kujdes dhe në kohë, sepse sëmundja mund të bëhet kronike. Në një intervistë për gazetën, kirurgu urolog Niko Nushi, shpjegon se pse shfaqet kjo sëmundje dhe çfarë mund të bëhet në këto raste:
Doktor, është e vërtetë që në këtë periudhë kemi një shtim të rasteve me prostatite?
Po. Është e vërtetë që ditët e fundit ka një shtim të numrit të rasteve me prostatite, apo siç njihet infeksioni që prek kapsulën e prostatës. I ftohti dhe sidomos viruset që qarkullojnë, dhe në kushte të caktuara atmosferike, krijon terren për zhvillimin e infeksionit. Po ashtu shkak mund të bëhen disa baktere Gram negativ: Escherichia Coli etj. Vetë i ftohti krijon kushte për shfaqjen e problemeve, madje njihet se personat që punojnë në ambiente me temperatura të ulëta (dhomat frigoriferike), janë të predispozuar të kenë probleme me prostatitet.
Si shfaqet kjo sëmundje dhe kur duhet shkuar te mjeku?
Kjo është një sëmundje që shfaqet me temperaturë të lartë, ethe me të dridhura dhe djersë. Pacienti ka ndjesinë e të urinuarit shpesh, urinon me djegie dhe me pika. Gjatë defekimit i sëmuri ankon se ka dhimbje të forta në zonën e kanalit të urinës. Në përgjithësi janë shenja që janë shqetësuese dhe të detyrojnë të shkosh te mjeku, por gjithsesi çdo njëra nga këto simptoma duhet vlerësuar seriozisht. Nëse shfaqet dhe vetëm njëra nga këto shenja, jo të gjitha bashkë, duhet të konsultoheni sa më parë me mjekun specialist, në mënyrë që të shmanget kronicizimi i sëmundjes dhe ndërlikimet e tjera të mundshme.
Çfarë ekzaminimesh mund të bëhen në këtë rast?
Së pari bëhet analiza e urinës dhe D.R.E, si dhe ekzaminim fizik nëpërmjet zorrës së trashë. Përveç këtyre rekomandohet që të bëhet dhe echo e prostatës.
Si mund të parandalohen këto probleme?
Parandalimi është mjaft kompleks dhe jo fort specifik. Më tepër konsiston në forcimin e sistemit imunitar dhe shmangien e faktorëve që ndikojnë në shfaqjen e sëmundjes. Kështu, së pari duhet treguar seriozitet në trajtimin e virozave apo gripërave që mund t’ju shfaqen. Këshillë tjetër që mund të jepet është shmangia e të ftohtit: si qëndrimi në ambiente të ftohta. Mbi të gjitha rekomandohet kujdes maksimal në respektimin e higjienës personale.