Autori i Lajmit: Entela Duraj
Pas përfundimit të provimeve të vjeshtës për studentët e sistemit të ditës, fakultetet kanë shpallur edhe datat për provimet e ngelura në sistemin me kohë të pjesshme. Studentët e sistemit part-time do të mund t i japin këto provime në javën e fundit të muajit shtator duke nisur nga data 22 deri më 30 shtator 2008. Konkretisht provimet janë lënë në datat 22, 23, 24, 25, 26, 27, 29 dhe 30 në orën 10 e 30. Burime nga Fakulteti Histori-Filologji bëjnë të ditur se notat e provimeve shpallen pesë ditë duke nisur që nga data e dhënies së testit. Po ashtu, notat e part-time nuk shpallen në sekretari, por nga vetë pedagogu i lëndës. “Pra të gjithë studentët që kanë provime të mbartura në sistemin me kohë të pjesshme (part-time) të interesohen për notën te pedagogu i lëndës dhe jo në sekretari. Notat dalin pesë ditë pas dhënies së provimit”, thuhet në njoftimin e afishuar pranë Fakultetit Histori-Filologji. Ndërsa në javën e parë të tetorit, pasi studentët të kenë kaluar në provimet e ngelura, do të mund të shlyejnë provimin e formimit për degën e tyre, në javën e parë të tetorit (në datat 7 dhe 8 në orën 13:00). Gjithashtu studentët që do të japin provimin e formimit duhet të paraqesin më parë këto dokumente në sekretari: katër kopje të mandatarkëtimeve të katër viteve të fakultetit, certifikatë personale, dy foto MAT, si dhe duhet të përcaktojnë drejtimin për provimin e formimit si për shembull (gjuhë apo letërsi). Ndërsa këtë vit aplikimet e reja për studimet part-time, do të nisin në muajin nëntor të 2008-ës. Pritet dhe një ulje e tarifave të studimit deri në 50 mijë lekë më pak. Në të njëjtën kohë, burime nga Rektorati i Universitetit të Tiranës pohojnë se do të ndryshojnë edhe kriteret e pranimit ku mesatarja do të merret parasysh në rast se kërkesat janë shumë të larta. Aktualisht janë propozuar dhe kuotat përkatëse sipas degëve të universiteteve publike, që do të ofrojnë studime part-time gjatë këtij viti akademik. Në një konferencë për shtyp para pak javësh të rektorit Dhori Kule, u deklarua se Ekonomiku, Informatika dhe Biologjia janë fakultetet që kanë ofruar kuotat më të larta për studimet part-time.

Ky lajm është publikuar: 20/09/2008