Autori i Lajmit: Entela Duraj
Qyteti Studenti



Drejtoria e QS-së i ka hedhur në internet emrat e studentëve nga rrethet dhe numrat e dhomave ku ata do të strehohen për vitin akademik 2008-2009. Sipas drejtorit Bujar Brovina, dixhitalizimi i të dhënave të studentëve do të shmangë radhët e gjata që janë krijuar çdo shtator në periudhën e regjistrimeve për strehimin në konvikte.



Studentët nga rrethet mund ta gjejnë në internet numrin e dhomës dhe të godinës ku do të strehohen. Drejtoria e Qytetit Studenti ka gjetur një mënyrë krejt origjinale për të shmangur radhët për një dhomë në qytetin e të rinjve. Drejtori Bujar Brovina ka shpjeguar se janë hedhur në internet emrat e studentëve nga rrethet dhe numrat e dhomave ku ata do të strehohen për vitin akademik 2008-2009. "Në adresën ëëë.qytetistudenti.com do të jenë të afishur emrat e të gjithë studentëve si dhe numri përkatës i dhomës dhe i godinës, në mënyrë që të shmangen radhët e gjata", - shpjegon ai, ndërsa shton se tarifa do të jetë e njëjtë me atë të një viti më parë, 12000 lekë. Ndërkohë këtë vit akademik godinat në Qytetin Studenti janë në pritje të 6400 studentëve. Katër nga këto godina janë duke u restauruar, në vendosjen e dyerve dhe dritareve të reja, po riparohen dushet, por mbi të gjitha punimet konsistojnë në eliminimin e lagështirës, sidomos në godinën 27, ku strehohen studentet femra. Për sa i përket regjistrimit nëpër godina, këtë vit, me përjashtim të studentëve të vitit të parë, studentët e viteve të tjera janë të pajisur me listëpasaportën e tyre, ku përfshihet numri i godinës dhe numri i dhomës përkatëse që çdo student ka bërë sipas përzgjedhjes së tij. Pikërisht kjo listëpasaportë është hedhur në internet për të lehtësuar procedurën e regjistrimit të studentëve dhe për të shmangur radhët shtypëse. Ashtu si dhe në vitet e kaluara regjistrimi në konvikte do të bëhet në fund të muajit shtator. Pasi të kenë bërë pagesën në bankë, të dorëzojnë kuponin studentët mund të transferohen në dhomat e tyre pa pritur radhët e gjata të regjistrimit. Ndërsa studentët e vitit të parë mund të vinë dhe të regjistrohen në godinat e qytetit studenti menjëherë sapo Ministria e Arsimit të bëjë afishimin e listës së studentëve fitues në degët dhe në universitetet përkatëse. Në një dhomë do të jetojnë jo më shumë se dy apo tre studentë, kushtet premtohet që do të jenë më të mira dhe më të përshtatshme se ato të vitit të kaluar, shërbimi mjekësor, uji dhe dritat do të jenë në dispozicion të tyre gjatë 24 orëve.

Ky lajm është publikuar: 22/08/2008