Një numër studimesh janë marrë me problemet e gjumit tek të rriturit siç është për shembull Apnea ose mungesa e frymëmarrjes në gjumë, gjendje që mund të çojë në goditje në zemër, hemorragji cerebrale ose bllokim arteriesh të gjakut në tru. Por shkencëtarët tani po i studiojnë këto probleme kur ato shfaqen tek fëmijët, madje edhe tek foshnjat. Fëmijët që kanë mungesë frymëmarrjeje në gjumë ose Apnea, thotë doktor Bargava, shpesh kur flenë, mbyllin pjesërisht ose plotësisht rrugët e frymëmarrjes. Dhe mungesa e frymëmarrjes në gjumë mund të shkaktojë probleme në zemër e diabet. Gjatë ditës, fëmijët me Apnea mund të mos përqendrohen ose mund të tregohen tepër aktivë, por edhe të acaruar. Ata mund të ndeshen me vështirësi edhe në të mësuar. Prandaj diagnostikimi i hershëm i Apneas ka shumë rëndësi. Gjatë vizitës, fëmijës iu vendosen elektroda në trup për të matur veprimtarinë e trurit si dhe iu bën analiza për të matur nivelin e frymëmarrjes. Kur Timin e zë gjumi, kompjuteri fillon të regjistrojë të dhënat e organizmit. Doktor Bargava vuri re se gërhitja tek ky fëmijë shkaktonte hiperaktivitet. Mjeku gjithashtu konstatoi se mungesa e frymëmarrjes në gjumë tek Timi nuk ishte edhe aq e zhvilluar, prandaj vendosi të mos ia heqë bajamet. Por mjekët thanë se do të vazhdojnë mbikëqyrin gjumin e tij. Foshnjat diagnostikohen ndryshe, sepse edhe ato mund të kenë probleme gjumi, por dallimi i Apneas tek ta është pak i ndërlikuar. Sanatha Kasven në spitalin Saint Luke në Denver të Kolorados është specialiste në laboratorin e gjumit ku një kamera fokusohet në sytë e foshnjës për të parë sesa i thellë është gjumi që bën.


Foshnjat e diagnostikuar me një çrregullim gjumi si ato të fëmijëve dhe të rriturve, mund të trajtohen me operacion. Disa ekspertë mendojnë se trajtimi me oksigjen eliminon nevojën për shumicën e ndërhyrjeve kirurgjike, ndërsa të tjerë thonë se nëse gjumi i çrregullt shkaktohet nga ndonjë deformim në rrugët e frymëmarrjes, atëherë operimi mund të jetë i nevojshëm.





Studim





Personat me depresion preken nga diabeti





Një studim i ri vendos lidhjen midis diabetit dhe depresionit. Studimi i kryer nga shkencëtarët pranë universitetit Xhons Hopkins në Meriland, thotë se njerëzit që vuajnë nga depresioni kanë më shumë gjasa të preken nga diabeti dhe anasjelltas. Shkencëtarët pranë shkollës mjekësore të universitetit Xhons Hopkins në Baltimor thonë se disa pacientë mund të kenë nevojë të trajtohen njëkohësisht për diabet e depresion. Kjo për arsye se gjatë studimit ata gjetën një lidhje midis këtyre dy sëmundjeve.


Mjekja Sherita Golden dhe një grup shkencëtarësh vëzhguan 5 mijë pacientë për një periudhë 3-vjeçare. Ata vunë re se pacientët që nuk flinin mirë ose nuk kishin oreks, të gjitha këto simptoma të depresionit, ishin më në rrezik të prekeshin nga diabeti sesa të tjerët pa këto simptoma. Mjekja Golden thotë se depresioni duket se i parandalon njerëzit për t'u kujdesur për shëndetin e tyre. Ajo thotë se personat që vuanin nga depresioni tregohen më pak aktivë dhe hanë më shumë se ç'duhet. Këto qëndrime shtojnë rrezikun e zhvillimit të diabetit të tipit 2.


Gjatë studimit, shkencëtarët gjithashtu vunë re se personat me diabet të tipit 2 ishin më shumë në rrezik të prekeshin nga depresioni sesa ata që nuk vuanin nga diabeti. Rozalin Terborgpen ka vite që vuan nga diabeti dhe vazhdimisht kontrollon rregullisht nivelin e sheqerit në gjak dhe merr insulinë. Nga gjithë kjo, ajo ndjehet e lodhur e munduar dhe shpesh bie në dëshpërim e nuk ka vullnet të bëjë asnjë veprim. Mjekja Golden thotë se persona të tillë që trajtohen për diabet janë më në rrezik të preken nga depresioni dhe kur preken, kjo gjendje ndikon në aftësitë e tyre për të luftuar diabetin.