Ky universitet ka propozuar 1.100 kuota pranimi për këtë vit akademik. Kushtet për të ndjekur studimet e larta në këtë universitet


Jonida Tashi



Rektori i Universitetit “Aleksandër Moisiu”, në Durrës, Mit’hat Mema, në kuadrin e Këshillimit të Karrierës, informoi të gjithë maturantët për degët që ofron ky institucion. Gjatë një konference për shtyp, Mema u shpreh: “Universiteti e ka konsideruar të nevojshme dhe të dobishme për maturantët një njohje më të gjërë jo vetëm për degët që ofrohen në universitetin tonë por dhe të filozofisë dhe mënyrës së organizimit të mësimdhënies dhe kontrollit të dijeve”. Për këtë janë përgatitur fletëpalosje një kopje e të cilave në bashkëpunim dhe me Drejtoritë Rajonale Arsimore u është dërguar të gjitha shkollave të mesme në të gjithë vendin. Në kuadrin e Këshillimit të Karrierës, por dhe të strategjisë së universitetit për tërheqjen e studentëve për të studiuar në këtë universitet në përputhje dhe me Programin e punës “Ditët e Gjimnazistëve në Universitete” të MASH-it janë organizuar si takime të pedagogëve me gjimnazistë në shkollat e mesme të qarkut të Durrësit, po ashtu dhe Ditët e Hapura të Universiteteve për gjimnazistët. Përveç këtyre aktiviteteve, ky universitet e ka konsideruar të nevojshme për maturantët një njohje më të gjerë jo vetëm për degët që ofrohen në të por edhe për mënyrën se si organizohen studimet.

Universiteti

Universiteti “Aleksandër Xhuvani” hapi dyert e tij në vitin akademik 2006-2007 me rreth 1 mijë studentë. Për këtë vit, ky universitet ka propozuar rreth 1.100 kuota pranimi. Aktualisht, në të janë përfshirë tri fakultete dhe një shkollë të lartë profesionale. Fakulteti i Ekonomisë dhe Administrimit në këtë universitet është me kohëzgjatje normale 3-vjeçare me dy degë, dega Shkencat e Administrimit dhe dega Menaxhim Turizëm. Edhe në fakultetin e Edukimit studimet zgjatin po 3 vjet dhe ofrohen degët Cikli i Ulët dhe Gjuha Angleze. Në vitin e dytë akademik duke u nisur nga nevojat e tregut të punës të identifikuara nga Universiteti u hap dega e re e Ekspertit në Proceset e Formimit pranë Fakultetit të Edukimit. Fakulteti i tretë është ai FASTIP, që do të hapet këtë vit akademik. Ky fakultet i ri, është i pari në vend që ofron studime të larta të integruar me praktikën. Ndërsa Shkolla e Lartë Profesionale në degët Bachelor Infermieri (e vetmja 3-vjeçare në këtë fakultet) me kohëzgjatje 2-vjeçare Asistent Ligjor, Specialist Rrjetesh Kompjuterike, Ndihmës Dentist, Asistent Administrativ, Menaxhim Ndërtimi, Teknologji Automobilash si dhe Menaxhim Transporti Detar e Tokësor.

Studentët

Studentët që përfundojnë studimet në degët që ofrohen pranë Fakultetit të Ekonomisë dhe Administrimit, Fakultetit të Edukimit dhe dega e Infermierisë së Përgjithshme pranë Shkollës së Lartë Profesionale, duhet të kualifikohen në të 180 kreditet ETCS dhe kanë një kohëzgjatje minimale prej 3 vitesh. Diploma që përfitohet është Diplomë e Nivelit të Parë (DNP) Bachelor në përputhje ligjin për Arsimin e Lartë. Kjo diplomë duke u nisur nga fakti që qysh në hapje kurikulat e të gjitha degëve janë të ndërtuara në përputhje me Deklaratën e Bolonjës është lehtësisht e konvertueshme si brenda po ashtu dhe jashtë vendit. Degët e tjera pranë Shkollës së Lartë Profesionale janë programe studimi për degë të natyrës profesionale shumë të kërkuara nga tregu i punës. Kohëzgjatja normale e këtyre degëve është minimalisht 2 vite akademike dhe me përfitimin e 120 krediteve ETCS përfitojnë Diplomë. Edhe për këto degë diploma që lëshohet bën të mundur transferimin e krediteve të përfituara në universitete të tjera brenda dhe jashtë vendit për të përfituar diplomë të një niveli më të lartë.





26 Qershor 2008