Jonida Tashi



Dalin rezultatet e provimit për marrjen e certifikatës së njohjes së gjuhës italiane “Celi 3”, për 1194 kandidatët që i janë nënshtruar këtij testimi në datën 6 mars të këtij viti. Instituti Italian i Kulturës në Tiranë ka publikuar dje zyrtarisht rezultatet e këtij provimi, falë të cilave do të procedohet më tej për pajisjen e kandidatëve me certifikatën “Celi 3”. Provimi për certifikatën e gjuhës italiane “Celi 3 e 5”, lëshuar nga Università per Stranieri di Perugia (Universiteti për të Huajt në Peruxhia) organizohet nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, e cila shërben edhe për të bërë kërkesën për pararegjistrim në universitetet italiane. Për rrjedhojë, të gjithë kandidatët që do të pajisen me certifikatën “Celi 3” kanë të drejtë të aplikojnë për të siguruar një vend në universitetet italiane.

Aplikimi

Ditën e hënë të kësaj jave, Ambasada Italiane në Tiranë njoftoi zyrtarisht hapjen e procedurave të aplikimit, për studentët shqiptarë që duan t’i vijojnë studimet e larta në universitetet italiane. Të rinjtë shqiptarë do të kenë mundësi që deri në datën 6 qershor të tërheqin dokumentet e nevojshme për të paraqitur kërkesën e regjistrimit paraprak për në universitetet italiane. Sipas njoftimit të posaçëm, të publikuar nga Ambasada Italiane në Tiranë, “Për procedurat për regjistrimin në universitetet italiane nga ana e studentëve të huaj, për vitin akademik 2010-2011”, studentët që synojnë të regjistrohen pranë universiteteve italiane mund të tërheqin, duke filluar nga data 24 maj, pranë sportelit të Ambasadës, një dosje të veçantë për pararegjistrimin, që përmban formularët e nevojshëm dhe udhëzimet përkatëse, si dhe kalendarin për paraqitjen e kërkesave. Këto të fundit, pas plotësimit duhet të dorëzohen nga data 7 qershor deri më 21 qershor, pranë Pallatit të Kulturës, sheshi “Skënderbej”, nga ora 14.00 deri në orën 17.00.

Regjistrimi

Ambasada Italiane ka bërë të ditur se për t’u regjistruar pranë universiteteve italiane, duke filluar nga ky vit është e detyrueshme certifikata e njohjes së gjuhës italiane “Celi 3”, lëshuar nga Universiteti i Peruxhias në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës. Po ashtu, për të ndjekur universitetin në Itali është e nevojshme të kalohen të dyja provimet fakultative që janë të domosdoshëm për regjistrimin në universitetet shqiptare. Kurse kandidatët që nuk kanë mbushur moshën madhore duhet të jenë të shoqëruar nga të dy prindërit, ditën e paraqitjes së kërkesës. Në përfundim të procesit të regjistrimit paraprak, pas datës 10 gusht do të publikohet kalendari i paraqitjes së studentëve për kërkesën e vizës. Në të njëjtën ditë, studentët do të tërheqin zarfin me dokumentet për regjistrim që do të duhet të paraqesin personalisht pranë sekretarive të universiteteve në Itali. Ambasada Italiane njofton se për lëshimin e vizës së studimit, të interesuarit duhet të paraqesin garanci bankare dhe qëndrimi në Itali përmes një llogarie bankare të mbyllur prej rreth 5000 euro dhe një ftesë apo prenotim hoteli për 15 ditët e para të qëndrimit.







28 Maj 2010