Jonida Tashi

Çdo person që dëshiron të bëjë një master në universitetet europiane, mund të përfitojë nga financimet e Bashkimit Europian. Vetëm pak kohë më parë është njoftuar zyrtarisht nga Brukseli rritja e fondeve për të rinjtë që duan të studiojnë në universitetet e BE-së. Një program i përbashkët mes universiteteve europiane dhe atyre ballkanike, i financuar nga Komisioni Europian në kuadër të programit Erasmus Mundus, ofron mundësi për të gjitha nivelet e sistemit akademik në Shqipëri. Projekti organizohet nga universiteti i Gracit në Austri dhe përfshin 9 universitete të njohura të vendeve të BE-së dhe 10 universitete të vendeve të rajonit.
Tarifat
Për studentët shqiptarë që duan të studiojnë në universitetet europiane, afati maksimal i studimeve është 10 muaj dhe shuma mujore arrin deri në 1000 euro. Ndërsa për të marrë një master, kohëzgjatja shkon deri në 22 muaj dhe ka të njëjtën tarifë. Për të marrë një doktoraturë, e cila zgjat deri në një vit, kostoja arrin deri në 1500 euro në muaj. Tarifat arrijnë deri në 1800 euro për të përfunduar një post-doktoraturë në një nga universitetet europiane. Ndërsa trajnimet për stafet universitare janë 1 muaj dhe shuma që duhet të paguhet arrin deri në 2500 euro. Kostoja e studimit nuk përfshin biletat e udhëtimit apo edhe shumat që do të përdoren për sigurimin e jetës, të cilat arrijnë deri në 75 euro në muaj. Të gjitha financimet bëhen pasi të përzgjidhen aplikimet e bëra në Universitetin e Gracit në Austri, i cili përcakton edhe fituesit e programit të financuar nga BE-ja.
Aplikimet
Aplikimet për të studiuar në universitetet europiane mund të kryhen për të gjitha fushat e studimit. Çdo kush mund të aplikojë në një universitetet më të njohura europiane si ai i Bolonjës, Lëvenit në Belgjikë, Granadës në Spanjë, apo Groningenit në Hollandë. Po ashtu, një ofertë pozitive është edhe për studentët e vendeve anëtare të BE-së, të cilët mund të studiojnë në universitetet e rajonit, përfshirë edhe në Universitetin e Tiranës. Për të garantuar të drejtën e studimit, përcaktohen një sërë kriteresh pranimi duke filluar që nga paraqitja akademike. Konkretisht për studentët kërkohen rezultatet, ndërsa për stafet akademike, ose jo, janë të rëndësishme eksperiencat e punës dhe publikimet shkencore. Po ashtu, në konsideratë merret edhe letra e motivacionit, niveli i gjuhës, aktivitetet shtesë, etj. Për secilin nga kriteret e përcaktuar ka një vlerësim që shkon nga 1–5 pikë dhe që bëhet nga institucioni pritës, që në rastin konkret është Universiteti i Gracit në Austri, vend ku bëhet edhe aplikimi. Për çdo rast, të dhënat gjenden në faqen e internetit: joineusee.eu.
Erasmus Mundus
Programi Erasmus Mundus i BE-së po zgjeron gjithnjë e më shumë mundësitë për të rinjtë nga vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë, që të studiojnë apo marrin tituj akademikë në universitetet europiane. Vetëm për vitin akademik 2009-2010, Komisioni Europian ka miratuar pothuajse 10 000 grante të reja, të cilat do të financohen nga programi Erasmus Mundus. Rreth 8385 studentë dhe akademikë do të vijnë të mësojnë apo të japin mësim në Europë, dhe 1561 europianë do të shkojnë në institucione partnere të vendeve jashtë BE-së. Që prej fillimit të tij në vitin 2004, programi ka qenë në gjendje ta vendosë veten në pararojë të programeve ndërkombëtare të lëvizshmërisë në botë. Me rëndësinë që i jep cilësisë, ai po i shërben shkëlqyeshëm promovimit të arsimit të lartë europian në rang botëror. Me synim forcimin e bashkëpunimit për të përfituar nga ky program edhe vendi ynë, ditën e djeshme, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj zhvilloi një takimin me përfaqësues të Bashkimit Europian, pranë Delegacionit të BE-së në Tiranë, në qendër të të cilit ishte diskutimi për programin Erasmus Mundus. Takimi i përfaqësuesve të BE-së me ministrin Tafaj konfirmoi dukshëm angazhimin e kreut të Arsimit, për promovimin dhe shtrirjen më të gjerë të programit Erasmus Mundus në Shqipëri edhe në të ardhmen.
Në këtë takim, ministri Tafaj përmendi si prioritet përfshirjen në programin Erasmus të studentëve që vazhdojnë studimet në nivelin Master, veçanërisht, të fokusuar në degët Pedagogji (Mësuesi), Matematikë dhe Shkenca. Gjithashtu, me rëndësi sipas kreut të Arsimit, është dhe promovimi dhe përfshirja e nëpunësve të administratës publike, të cilët mund të përfitojnë shumë nga programe të tilla, si Erasmus Mundus.


Universitetet që përfshin programi Erasmus Mundus

Universitetet e BE-së
Universiti i Gracit Austri
Universiteti Katolik i Luvenit Belgjikë
Universiteti Masaryk, Brno, Çeki
Universiteti i Bolonjës Itali
Universiteti i Granadës Spanjë
Universiteti i Groningenit Hollandë
Universiteti i Lativas Latvia
Universiteti i Turkut Finlandë
Universiteti i Vilniusit Lituani

Universitetet e rajonit
Universiteti Teknik i Lindjes së Mesme Turqi
Universiteti i Shkupit Maqedoni
Universiteti i Beogradit Serbi
Universiteti i Malit të Zi Mali i Zi
Universiteti i Mostarit Bosnje
Universiteti i Novi Sadit Serbi
Universiteti i Prishtinës Kosovë
Universiteti i Sarajevës Bosnjë
Universiteti i Tiranës Shqipëri
Universiteti i Tuzlës Bosnjë


Kohëzgjatja dhe tarifat e shkollimit sipas studimeve
Tipi i studimeve Kohëzgjatja Shuma mujore
Studime 1 semestër 10 muaj 1000 euro
Master 1 semestër 22 muaj 1000 euro
Doktoraturë 6-12 muaj 1500 euro
Post-doktoraturë 6 muaj 1800 euro
Stafet 1 muaj 2500 euro

Kush mund të aplikojë
Studentët apo pedagogët e universiteteve partnere në Ballkan
Shtetasit e rajonit të regjistruar në universitetet e një prej 6 vendeve partnere, por që nuk janë përfshirë në programin “Join EU-SEE”
Shtetasit e rajonit që kanë mbaruar studimet në këto universitete dhe punojnë në sektorin privat apo administratën publike
Shtetasit e vendeve të rajonit që kanë mbaruar studimet dhe përfshihen në kategori të tilla; si janë minoritarë, refugjatë, azil-kërkues, janë të sëmurë, apo kanë probleme ekonomike



Çfarë është programi Erasmus Mundus dhe mundësitë që ofron
Erasmus Mundus është një program bashkëpunimi dhe lëvizshmërie në fushën e arsimit të lartë dhe synon të rrisë cilësinë e arsimit të lartë europian dhe të promovojë dialog dhe mirëkuptim mes popujve e kulturave nëpërmjet bashkëpunimit me vende jashtë BE-së. Erasmus Mundus ofron kurse master dhe bursa studimi. Duke filluar nga viti akademik 2009-2010, 1833 studentë do të përftojnë bursa për të studiuar për një ose dy vjet në një kurs masteri të zgjedhur nga ata, përkrahë studenteve nga Europa. Studentët i ndjekin studimet e tyre master në dy ose më shumë universitete brenda partneritetit të atij masteri. Fituesit e bursave vijnë nga 105 vende: Kina është vendi me përfaqësinë më të madhe, e pasuar nga India, Brazili, Meksika, Bangladeshi, SHBA, Etiopia, Rusia dhe Indonezia. Akademikët vijnë nga 75 vende: ato më të përfaqësuarat në këtë kategori janë SHBA, Kina, India, Australia dhe Kanada-ja. Në të përfshihet edhe Shqipëria. Erasmus Mundus mbështet partneritete institucionale ndërkombëtare për lëvizshmërinë e arsimit të lartë Për periudhën 2009-2010. Erasmus Mundus do të financojë edhe 39 partneritete mes institucioneve europiane të arsimit të lartë dhe ato që janë pjesë e politikës së jashtme të bashkëpunimi të BE-së. Ajo që synohet është rritja e burimeve njerëzore dhe kapaciteteve për bashkëpunim ndërkombëtar të vendeve jo-evropiane nëpërmjet lëvizshmërisë mes Bashkimit Europian dhe këtyre vendeve. Gjithsej, këto partneritete përfshijnë 735 institucione të arsimit të lartë, 349 nga BE-ja dhe 386 nga vende të tjera dhe përqendrohen te bashkëpunimi akademik dhe shkëmbimet e studentëve dhe akademikëve. Për periudhën 2009-2010, do të jepen 7624 grante lëvizshmërie për vizita studimore, punë kërkimore dhe mësimdhënie me kohëzgjatje nga tre muaj deri në tre vjet për nivelet akademike universitare, pasuniversitare (master), doktorature dhe pas-doktorature, dhe për stafin akademik. Përfshihet këtu mundësia për 1561 europianë që të vizitojnë institucionet partnere në vendet jashtë Europës dhe për 6063 studentë dhe akademikë nga jashtë Europës të vizitojnë institucionet partnere europiane.



Dy programet e tjera të BE-së që po zbatohen në vendin tonë
Programi Tempus
Programi Tempus pranë MASH-it zbaton pjesën për arsimin e lartë në Programin CARDS të Komisionit Europian për Shqipërinë. Ky program është një bashkëpunim ndëreuropian në ndihmë të arsimit të lartë, në mënyrë që ai të integrohet sa më mirë dhe më shpejt në arsimin e lartë europian. Një ndër synimet kryesore të Tempusit është realizimi nga universitetet shqiptare i procesit të Bolonjës, i cili është dhe përparësia kryesore e tij. Gjatë këtyre viteve ky program është financuar në tre drejtimet kryesore të tij që janë: projektet e përbashkëta evropiane; bursat individuale; masat strukturore dhe plotësuese.
Programi Ceepus
Vitet e fundit është nënshkruar një marrëveshje për përfshirjen e arsimit të lartë shqiptar në një program të ri europian bashkëpunimi të quajtur CEEPUS (Central Europe Program for University Studies). Në këtë program bëjnë pjesë universitetet e 12 vendeve të Europës Qendrore dhe Jugore si: Shqipëria, Austria, Polonia, Hungaria, Çekia, Sllovakia, Rumania, Bullgaria, Sllovenia, Kroacia, Serbia dhe Mali i Zi, Maqedonia. Programi synon ndërtimin e hapësirës europiane të arsimit të lartë dhe zbatimin e kërkesave të procesit të Bolonjës për arsimin e lartë të vendeve europiane.




28 Janar 2010