Vaji i salmonit, tunës dhe peshqve të tjerë ndihmojnë pacientët me arteriet e sëmura që të jetojnë më gjatë. Ky është rezultati kryesor i studimit të fundit të realizuar nga Universiteti i Kalifornisë në San Francisko. Sipas studimit, tek pacientët me nivele të larta të acidit yndyror omega-3, që gjendet në vajin e peshkut, duket se ngadalësohet procesi i plakjes biologjike. Për këtë qëllim, telomeret e pacientëve që merrnin vaj peshku, u matën për të vënë re ndryshimet në gjatësi.

Rezultatet

Studiuesit thonë se dietat e pasura me acide yndyrorë omega-3 mund t’i ndihmojnë njerëzit me sëmundjet e zemrës që të jetojnë më gjatë. Studim mori në shqyrtim se sa i lartë duhet niveli i vajit të peshkut në gjak që të jetë në gjendje të mbrojë telomeret e kromozoneve të cilat ndihmojnë për përcaktimin e moshës dhe plakjes biologjike. Një nga autorët e studimit është doktor Ramin Farzane-Far në Universitetin e Kalifornisë në San Francisko. Ai thotë se rezultati kryesor i studimit është se tek pacientët me nivele të larta të acidit yndyror omega-3, që gjendet në vajin e peshkut, duket se ngadalësohet procesi i plakjes biologjike. Për këtë qëllim, telomeret e pacientëve që merrnin vaj peshku, u matën për të vënë re ndryshimet në gjatësi. Telomeret janë mbështjellëse në fund të kromozoneve që i mbrojnë ato nga shthurja. Me kalimin e kohës, ndërsa mosha biologjike rritet, telomeret mund të dëmtohen dhe shkurtohen për shkaqe të inflamacioneve a pezmatimeve të ndryshme, pirjes së duhanit, mbi pesha trupore ose mungesa e ushtrimeve fizike. Në studim u përfshinë rreth 600 pacientë me sëmundje në arteret koronare. Duke matur telomeret në kohë të ndryshme, shkencëtarët ishin në gjendje të përcaktonin shpejtësinë me të cilat ato shkurtoheshin dhe të gjenin se sa shpejtë ose ngadalë zhvillohej procesi i plakjes biologjike tek këta pacientë. Në rezultatet e studimit që u botuan në revistën e shoqatës amerikane të mjekësisë theksohet se pacientët me sëmundje në arteret koronare duhet të përfshijnë në dietën e tyre të përditshme të paktën një gram vaj peshku Omega-3.

Vaji i peshkut

Acidet yndyrore omega 3-6-9 që gjenden tek vaji i peshkut janë shumë të rëndësishme për trupin e njeriut, por ato nuk mundet të sintetizohen nga organizmi ndaj dhe quhen acide yndyrore thelbësore. Çdo qelizë e trupit përdor acidet yndyrore. Ato janë gjithashtu, të rëndësishme në prodhimin e prostaglandinave mjaft të rëndësishme këto si mesazhere dhe rregullatore e shumë proceseve në organizëm. Ato ndihmojnë në uljen e triglicerideve, ulin viskozitetin e gjakut dhe tensionin arterial si dhe reduktojnë rrezikun e aritmisë. Njerëzit që konsumojnë një drekë me peshk në javë kanë 50 për qind më pak risk për infarkt. Vetëm tre kapsula në ditë omega janë më të mjaftueshme se sa të hash peshk çdo ditë. Marrja e saj mund të reduktojë deri në 40 për qind vdekjet nga zemra te burrat e moshës së mesme. Përsa i përket inflamacionit, acidet yndyrore luajnë një rol të rëndësishëm në sintezën e prostaglandinave (kryesisht PGE1), prandaj ndihmojnë në të gjitha llojet e artriteve, sidomos në ngurtësimin mëngjesor. Nga një studim është parë se disa njerëz kanë ndërprerë anti-imflamatorët josteroide nga marrja e omega-s. Ato ndikojnë në uljen e dhimbjeve menstruale, kur dihet se te gratë me çrregullime janë të rritura substancat inflamatore. Gjithashtu, marrja e omega 3-6-9 ndikon në depresion dhe migrenë si dhe është e nevojshme te gratë shtatzëna sidomos në periudhën e krijimit të trurit dhe të syve të bebes së ardhshme.

Peshku

I pasur në përbërës ushqimorë thelbësorë, peshku është mjaft i dobishëm për shëndetin e njeriut dhe ai duhet përdorur sa më shpesh. Përmbajtja në fosfor te peshqit është e lartë: 300 mg/100 gr për peshkun ton dhe deri në 470 mg për sardelet. I shoqëruar me kalcium, fosfori është i mrekullueshëm për kockat. Peshku na furnizon me jod (më pak peshqit e ujërave të ëmbla), i cili është i nevojshëm për fabrikimin e hormoneve të tiroideve. Këto të fundit janë të rëndësishme për krijimin e embrionit të bebes si dhe në moshën e pubertetit të fëmijëve. Gjithashtu, në përbërje të peshkut gjenden dhe fluori, kobalti, magnezi, por edhe kaliumi, bakri, selenium etj. Gratë shtatzëna e kanë të nevojshme të ushqehen me peshk, sepse gjatë shtatzënisë ato kanë nevojë dy herë më shumë për hekur. Peshku ton ka hekur me shumicë. Por sidoqoftë, nuk duhet abuzuar me ngrënie masive dhe të vazhdueshme, ose peshqit duhet të jenë të ndryshëm, pasi shumë mërkur, sjell jo vetëm probleme kardiovaskulare, por ndikon në zhvillimin jo të mirë neurologjik të bebes në bark të nënës. Peshku përmban vitamina B, si vitaminën B6, e cila lufton aneminë, vitaminën D, që është shumë e rëndësishme për asimilimin e kalciumit etj. Ndërsa mëlçia e peshkut është e pasur me vitaminën A, antioksiduese, e cila është tepër e dobishme për sytë dhe lëkurën. Gjithashtu, te peshku gjenden edhe vitaminat B2, B12, PP. Vetëm peshqit e dhjamtë janë të pasur me omega 3, e cila ka acide yndyrore të pangopura dhe mbron zemrën nga sëmundjet kardiovaskulare, ndryshe nga dhjami i mishrave, i cili përmban acide yndyrore të ngopura. Peshqit e dhjamtë kane 6 për qind lipide dhe midis tyre janë: ngjalat, sardelet, salmoni, toni etj. Peshqit gjysmë të dhjamtë, si peshku shpatë, barbunji etj., kanë 2-6 për qind lipide, kurse ata pa dhjamë si koci, levreku etj., kanë më pak se 2 për qind. Disa njerëz nuk e hanë lëkurën e peshkut, edhe pse ajo është e payndyrshme, por është mjaft e pasur me omega 3.







Roli i acideve yndyrore omega-3 dhe 6 në organizëm

Gjatë 15 viteve të fundit janë bërë ndryshime në tipet e yndyrës që ne konsumojmë. Në veçanti, marrjet tona në ushqime të acideve omega-6 (drithëra dhe luledielli) dhe i acideve trans-yndyrore (ushqime të skuqura dhe margarinë) janë rritur, ndërsa marrjet tona të yndyrave të saturuara (gjalpë) dhe të acideve yndyrore omega-3 (salmon dhe sardele) janë ulur. Ky ndryshim në konsumin e acideve yndyrore mund të luajë një rol në zhvillimin e alergjive te fëmijët dhe në rritjen e rrezikut për astmë. Prandaj marrja e acideve yndyrore omega-6 dhe trans-yndyrore duhet të jetë në minimum. Acidet yndyrore omega-3 janë të përfshira në uljen e sintezës së leukotrieneve, në frenimin e sintezës se prostaglandinave E2 dhe rregullimin e rritjes së qelizave malinje. Acidet yndyrore omega-3 mund të gjenden në vajin e peshkut, te peshku dhe frutat e detit, soja, vaji i farave të lirit dhe zarzavatet me gjethe. Nuk ka aq shumë rëndësi sasia e acideve yndyrore omega-3 sesa raporti i acideve yndyrore omega-6 me omega-3. Acidet yndyrore omega-6 gjenden në vajin vegjetal, margarinën, majonezë dhe ushqimet e përpunuara me vaj. Ne duhet të ushqehemi 4 deri 10 herë më shumë me acide yndyrore omega-3 në krahasim me acidet yndyrore omega-6.





15 Prill 2010