Prej vitesh, ndotja akustike vijon të jetë në nivele të larta. Ministria e Mjedisit publikon tetë qytetet me ndotjen më të lartë








Bori makinash, zhurmë nga trafiku i rënduar, automjete të vjetra, ose të konsumuara, e një mori faktorësh të tjerë kanë bërë që tetë qytete shqiptare të kenë ndotje të lartë akustike, në nivel, që specialistët e quajnë alarmante. Nga viti në vit niveli i zhurmave pëson rritje drastike. Në krye të listës vijon të jetë Tirana, e cila ka një nivel mbi normat e lejuara të ndotjes akustike. Sipas studimit të Ministrisë së Mjedisit, rezulton një rritje e vlerave mesatare të nivelit të zhurmave natën në stacionet pranë kryqëzimeve me trafik intensiv, në qytetet Tiranë, Durrës dhe Fier, ndërkohë qytetet e tjera kanë nivel të njëjtë ndotjeje me vitin e kaluar. Sakaq, në qytetet e tjera zhurmat natën janë brenda niveleve të lejuara, bëhet e ditur nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave. Burimet kryesore të zhurmës së mjedisit, sipas specialistëve, përfshijnë trafikun ajror, trafikun rrugor, trafikun hekurudhor, industritë, ndërtimin dhe punët publike, si dhe rrethinat. Burimet kryesore të zhurmës së brendshme janë sistemet e ventilimit, aparaturat (makinat e zyrave), aparatet shtëpiake etj.


Ndotja zanore, veçanërisht e rëndë, në vendet në zhvillim, siç është dhe vendi ynë, i detyrohet kryesisht trafikut rrugor. Por, ndryshe nga shumë probleme të tjera të mjedisit, ndotja nga zhurma vazhdon të evoluojë dhe të krijojë një numër ankesash në rritje të asaj pjese të personave që janë të ekspozuar.


Monitorimi


Monitorimi i zhurmave urbane është kryer në 45 stacione monitorimi, në 8 qytete kryesore, me një popullsi prej 1.093.829 banorësh, që përbën mbi 30 për qind të popullsisë të Shqipërisë (3.401.198 banorësh, referuar INSTAT-it). Po këto qytete, sipas të njëjtit burim të dhënash, kanë mbi 60 për qind të automjeteve në qarkullim.


Qëllimi i monitorimit është njohja e nivelit të ndotjes akustike në pika të ndryshme të 8 qyteteve të vendit, për të dhënë mundësinë që të gjykohet mbi masën e ekspozimit të popullatës ndaj zhurmave në ditët e sotme, mbi ndërtimin e banesave, në lidhje me rrugët me trafik të madh dhe me qendrat industriale. Duke qenë se trafiku rrugor është një dukuri e karakterit të rastësishëm ose pseudo të rastësishëm, monitorimi i zhurmave të prodhuara prej tij u krye për një kohë matjeje prej maksimalisht 5 ditë. Monitorimi është përqendruar në pikat e nxehta të trafikut të këtyre qyteteve, brenda zonave të banuara dhe ku densiteti i trafikut është më i madh. Në secilin qytet janë përcaktuar stacionet e monitorimit të zhurmave në zonat më problematike që mund të shkaktojnë ndotje akustike, ndërsa janë kryer monitorime të vazhdueshme për të parë nivelin gjatë ditës dhe natës. Qyteti i Tiranës ka numrin më të madh të stacioneve të monitorimit, për shkak të popullsisë dhe qarkullimit rrugor më të madh.


Bazuar në vlerat e monitorimit, në shumicën e rretheve të tilla, si Tirana, Durrësi, Vlora dhe Fieri janë vënë re ndryshime të vogla në rritje në disa pikave, krahasuar me një vit më parë dhe ka dhe ulje në disa të tjera.


Në periudha dite, vihen re vlera të larta të zhurmave në të gjitha qytetet, të cilat variojnë në kufijtë e 70 decibel, por përjashtuar qytetin e Tiranës, që vazhdon të ruajë nivelet e tij të larta (74 decibel). Ndërkohë, bazuar në vlerat e monitorimit, vihet re ngritja e nivelit në qytete të tjera me një rritje nga 2-3 dhe në raste të veçanta si Korça dhe Saranda në 4 decibel.


Për qytetin e Tiranës, vlera mesatare më e lartë ditën është në pikën e monitorimit në kryqëzimin e “21 Dhjetorit”, tek “Vasil Shanto”, si dhe në kryqëzimin tek Drejtoria e Policisë, me 74 decibel, ndërsa natën vlera mesatare më e lartë është në kryqëzimin e “21 Dhjetorit” me 65 decibel. Në qytetin e Durrësit, pika me vlera më të larta të zhurmës qoftë ditën, edhe natën, është zona tek ish-Mapoja, përkatësisht 71 decibel ditën dhe 53 decibel natën.


Në qytetin e Fierit, vlera më e lartë ditën është në zonën përballë bankës (tregu) me 69 decibel dhe më e larta natën tek kryqëzimi për Vlorë me 48 decibel.


Në qytetin e Shkodrës, vlerat më të larta të zhurmës ditën dhe natën janë përkatësisht 72 decibel tek Tregu i Shumicës dhe 44 decibel natën tek zona përballë xhamisë. Ndërsa, në qytetin e Vlorës vlerat e zhurmës janë 71 decibel vlera mesatare ditën tek zona përballë hotel “Bolonjës” dhe 43 vlera mesatare natën tek kryqëzimi i hyrjes.


Në qytetin e Sarandës vlera mesatare ditën është 72 decibel tek kryqëzimi për Lagjen Kodër dhe vlera mesatare natën tek Tregu i Valutës me 41 decibel. Në qytetin e Korçës, këto vlera paraqiten 70 decibel ditën dhe 44 decibel natën, përkatësisht tek kryqëzimi i hyrjes dhe tek Tregu i Shumicës.


Në Elbasan, vlera mesatare ditën rezulton të jetë tek kryqëzimi (Fusha e Loparit) me 72 decibel dhe vlera mesatare natën tek po ky kryqëzim me 44 decibel.


Bazuar në vlerat e monitorimit, rezulton se në shumicën e rretheve të tilla, si Tirana, Durrësi, Vlora dhe Fieri janë vënë re ndryshime të vogla në rritje në disa pika krahasuar me një vit më parë dhe ka dhe ulje në disa të tjera.


Krahasuar me vitet 2005-2006, del qartë ndryshimi i nivelit të zhurmave urbane të 8 qyteteve nga viti 2005 në vitin 2006 e më tej. Vlerat mesatare ditën në zonën metropol Tiranë–Durrës për vitin 2005 janë rreth 70 decibel (A), duke e kapërcyer këtë vlerë dhe më pas duke u ndjekur nga qytetet e tjera ku vlerat variojnë nga 62-68 decibel (A).


Por, vihet re një ndryshim i madh i nivelit të zhurmave të qyteteve të tjera, duke përjashtuar Tiranën dhe një ulje e vlerave mesatare natën të qyteteve.





Si shkaktohet ndotja akustike





Specialistët përcaktojnë si ndotje akustike hyrjen e zhurmës në mjediset e banuara ose të jashtme, e tillë që provokon bezdi apo shqetësim ndaj pushimit dhe aktiviteteve të tjera njerëzore, rrezik për shëndetin e njeriut, prishje të ekosistemit, të të mirave materiale, të monumenteve, të mjedisit të banuar ose atij të jashtëm apo i tillë që të interferojë me vetë përbërjen normale legjitime të mjedisit. Impiantet teknike të godinave dhe instalimet e tjera të bashkuara edhe në rrugë kalimtare, përdorimi i të cilave prodhon zhurmë, infrastruktura rrugore, hekurudhore, aeroportuale, ujore, industriale, artizanale, agrikultura, parkimet, zona të transportit të personave e mallrave dhe zonat sportive e rekreative (pushimi) krijojnë një burim zhurme fikse, i cili ndikon negativisht në shëndetin njerëzor.


Rritja e ndotjes zanore, e cila ka efekte negative mbi shëndetin (direkt dhe të grumbulluara), prek gjithashtu brezat e ardhshëm, por ajo ka implikime edhe mbi efektet social-kulturore, fizike dhe ekonomike.


Efektet mbi shëndetin të ndotjes nga zhurma janë deficiti auditiv, interferencat me transmetimin e fjalës, prishja e gjumit dhe gjendjeve të pushimit, efektet psikofiziologjike, efektet mbi shëndetin mendor, performancat mbi sjelljen me fqinjët dhe reagime patologjike, interferenca me aktivitetet e tjera.


Ndërkohë, qëllimi final i administrimit të zhurmave është përcaktimi i kritereve, mbi bazën e të cilave do të krijohen limitet e normave të ekspozimit në zhurmë dhe të nxisë vlerësimin e zhurmave dhe luftën kundër zhurmës, si pjesë përbërëse e programeve të shëndetësisë për mjedisin. Këta objektiva bazë duhet të udhëheqin politikat ndërkombëtare dhe kombëtare të kontrollit të zhurmave.