Virusi vdekjeprurës i gripit të derrit (H1N1) nuk shkakton mutacione në rast të bashkëveprimit me viruset e zakonshme të gripit. Ky është rezultati më i fundit, i dalë nga një studim i Universitetit të Merilandit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke lënë mënjanë shqetësimin e mjekëve dhe shkencëtarëve, të cilët i trembeshin komplikacioneve që mund të sillte bashkëveprimi i viruseve. Por nga ana tjetër, studimi i këtij universiteti ngre shqetësimin se virusi H1N1 do të jetë mbizotërues këtë vit dhe mund të jetë lehtësisht i transmetueshëm. Të dhënat e studimit nga Universiteti i Merilandit në SHBA nxjerrin në pah nevojën e vaksinimit si kundër gripit të zakonshëm edhe kundër atij të derrave. Vaksina kundër virusit A/H1N1 pritet të jetë në treg në mes të muajit tetor.

Shenjat

Derisa virusi po na afrohet gjithnjë edhe neve, mjekët infeksionit japin disa këshilla se cilat janë shenjat e para të prekjes nga ai. Simptomat e gripit të derrave janë të njëjta me simptomat e gripit të zakonshëm, dhe përfshijnë ethe e temperaturë, kollitje, dhimbje fyti, rrjedhje të hundëve, plogështi, dhimbje koke. Shumica e njerëzve me grip të derrave kanë diarre dhe vjellje. Po thuajse secili me këtë grip i ka së paku dy nga këto simptoma. Por kjo nuk do të thotë se jeni prekur nga ky grip, pasi shumë sëmundje shkaktojnë këto shenja. I takon analizave laboratorike të vërtetojnë nëse ky është gripi i derrave, grip i zakonshëm apo ndonjë sëmundje tjetër.

Parandalimi

Ekzistojnë disa mënyra për të parandaluar marrjen e gripit, si dhe për të mbajtur larg sëmundje të tjera ngjitëse. Gripi përhapet nga njerëzit te njerëzit nga të kolliturat dhe teshtimat e njerëzve të infektuar. Më poshtë jepen këshillat e mjekëve për t’u mbrojtur nga infektimi. Mbuloni hundën dhe gojën me shami kur kolliteni apo teshtini. Më pas, hidheni shaminë në koshin e plehrave. Disa viruse dhe baktere mund të jetojnë dy orë apo më gjatë në sipërfaqe si tavolinat e kafeneve, dorezat e dyerve dhe bankat e shkollave. Për këtë nevojitet larja e shpeshtë e duarve, e cila do t’ju ndihmojë që të reduktoni shansin e marrjes së ndotjes nga këto sipërfaqe të përbashkëta. Shmangni prekjen e syve, hundës apo gojës, pasi mikrobet përhapen edhe në këtë mënyrë. Përpiquni të shmangni kontaktet e ngushta me njerëz të sëmurë. Mundohuni të qëndroni në gjendje të mirë të përgjithshme shëndetësore. Flini mjaftueshëm; jini fizikisht aktiv; menaxhoni stresin; pini lëngje mjaftueshëm; hani ushqime të ushqyeshme.





ISHP, rastet kur duhet të merret mjekimi me medikamente



Specialistët apelojnë për t’u drejtuar tek mjekët, për të gjithë ata persona që vënë re simptomat e para, të ngjashme me virusin gripal. Kjo do të mundësonte shmangien e përhapjes së virusit dhe do të mundësonte kurimin e menjëhershëm brenda afateve të caktuara. Në rast se Tamifluja nuk përdoret brenda afateve të caktuara, ajo nuk mund të japë efekt tek pacientët. Specialistët sqarojnë se kura e Tamiflusë aplikohet brenda 48-orëshit të parë të shfaqjes së simptomave të gripit të derrit. Ndërsa, lidhur me efektin shërues të ilaçit, pohojnë se arrin deri në 98 për qind të shkatërrimit të virusit. Por përdorimi i këtij mjekimi që rezulton si shkatërrues i sëmundjes, rrezikon të japë efektet e tij kuruese për shkak të vonesave në kthimin e përgjigjeve të sakta të analizave. Në buletinin e ISHP-së, specialistët sqarojnë qartazi se cilët persona mund të quhen të prekur nga virusi i gripit. ISHP-ja shprehet se raste të konfirmuara janë ato të cilat kanë plotësuar përkufizimin e rastit dhe janë konfirmuar të infektuar me virusin e gripit pandemik A(H1N1) në laboratorin e referencës për Europën Juglindore në Rumani. Raste të dyshimta janë të gjitha rastet që plotësojnë përkufizimin e rastit. Çdo ditë në ISHP-së përpunohen mostra të rasteve të dyshuara nga Tirana dhe rrethet e tjera të vendit. Laboratori i virologjisë është pjesë e rrjetit evropian të survejancës së gripit dhe raporton çdo javë pranë këtij rrjeti. Sipas ISHP-së, të gjitha rastet e mundshme të identifikuara me virusin e Gripit A trajtohen njësoj si A(H1N1) nga pikëpamja e ndjekjes dhe kontrollit. Specialistët e shëndetit publik bëjnë apel për qytetarët që të mos shqetësohen, por dhe të mos neglizhojnë rekomandimet e mjekëve. Ata vënë theksin tek respektimi i rregullave të higjienës personale dhe në rast të shfaqjes së shenjave gripale, qytetarët duhet të drejtohen menjëherë tek mjeku. Për informimin e popullatës mbi simptomat dhe mënyrën e sjelljes në rast të prekjes nga ky virus, ISHP-ja ka marrë masa me shpërndarjen e posterave të ndryshëm, fletëpalosje, si dhe përgatitjen e spoteve televizive.





Simptomat e gripit të derrave

Simptomat e gripit të derrave janë të njëjta me simptomat e gripit të zakonshëm, dhe përfshijnë:

Ethe e temperaturë

Kollitje

Dhimbje fyti

Rrjedhje të hundëve

Plogështi

Dhimbje koke

Diarre dhe vjellje





Masat për parandalimin e gripit të derrit

Pastroni duart rregullisht me sapun dhe ujë, veçanërisht pas kollitjeve dhe teshtitjeve. Ose përdorni facoleta me alkool

Shmangni kontaktin me njerëz të sëmurë

Shmangni prekjen e gojës, hundës ose syve

Kujdesuni që duart tuaja të jenë vazhdimisht të pastra

Nëse ndjeheni i sëmurë, qëndroni në shtëpi

Mundohuni të qëndroni në gjendje të mirë shëndetësore

Flini mjaftueshëm

Jini fizikisht aktiv

Menaxhoni stresin

Pini lëngje mjaftueshëm

Hani ushqime të ushqyeshme













10 Shtator 2009