Ndotja akustike në një pjesë të madhe të qyteteve tona është ende në nivele të larta. Sipas një studimi të bërë nga specialistët e mjedisit rezulton se ndotja akustike është ende në nivele të larta dhe bëhet shkaktare për disa probleme shëndetësore. Nga monitorimi vërehet një tendencë në rritje e vlerave mesatare të nivelit të zhurmave natën për pjesën më të madhe të qyteteve të monitoruara, përjashtuar qytetet e Fierit dhe Elbasanit, që paraqesin përmirësim të ndotjes akustike, krahasuar me vitin 2007. Sipas raportit të fundit që përmbajnë vëzhgimet dhe analizat e kryera, monitorimi i zhurmave urbane është bërë në 8 qytetet kryesore të Shqipërisë: Tiranë, Durrës, Shkodër, Korçë, Vlorë, Sarandë, Fier dhe Elbasan. Gjithsej, në studim janë përfshirë rreth 32 stacione ose pika studimi. Sipas specialistëve të mjedisit, qëllimi i monitorimit është njohja e nivelit të ndotjes akustike në pika të ndryshme, me qëllim që të gjykohet mbi masën e ekspozimit të popullatës ndaj zhurmave në ditët e sotme, mbi ndërtimin e banesave në lidhje me rrugët me trafik të madh dhe me qendrat industriale. Burimet kryesore të zhurmës së mjedisit përfshijnë trafiqet ajrore, rrugore dhe hekurudhore, industritë, ndërtimin dhe punët publike dhe rrethinat. Burimet kryesore të zhurmës së brendshme janë sistemet e ventilimit, aparaturat (makinat e zyrave), aparatet shtëpiake etj. Efektet negative të zhurmës mbi shëndetin janë deficiti auditiv, interferencat me transmetimin e fjalës, prishja e gjumit dhe gjendjeve të pushimit, efektet psikofiziologjike, efektet mbi shëndetin mendor, performancat, sjelljen me fqinjët, reagime patologjike, interferenca me aktivitetet e tjera. Specialistët konsiderojnë si ndotje akustike hyrjen e zhurmës në mjediset e banuara, zhurmat e jashtme, të cilat provokojë bezdi, shqetësim ndaj pushimit dhe aktiviteteve të tjera njerëzore, rrezik për shëndetin e njeriut, prishje të ekosistemit etj.



4 Korrik 2009