Jonida Tashi



Varfëria ka bërë që mbi 4 mijë fëmijë në vendin tonë të braktisin bankat e shkollës për të punuar. Tashmë, pothuajse në të gjitha rrethet e vendit, po

kthehet në fenomen braktisja e shkollës nga fëmijët, të cilët detyrohen të punojnë për të ndihmuar familjen. Sipas një studimi të kryer nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në bashkëpunim me UNICEF-in dhe shoqatën “Save the Children”, për shkaqet që favorizojnë analfabetizmin në vendin tonë, braktisja e shkollës për shkak të punës që kryejnë fëmijët, është më e hasur në komunitetin rom dhe atë egjiptian. Nga studimi rezultoi se fëmijët romë që punojnë i përkasin moshës 3-16 vjeç dhe përbëjnë rreth 4654 fëmijë.

Shifrat

Pavarësisht përhapjes gjeografike dhe masive të fenomenit të punësimit të fëmijëve, Ministria e Punës ende nuk ka të dhëna të plota në rang vendi. Gjatë kontrolleve që ka ushtruar Inspektorati Shtetëror i Punës gjatë

vitit 2009 janë evidentuar 415 fëmijë të punësuar. Fëmijët e evidentuar në punë gjatë kontrolleve rezultojnë të jenë

kryesisht vajza ose 78.7% e fëmijëve në punë. Duke analizuar marrëdhëniet e punës të fëmijëve të evidentuar rezultojnë se 12% e tyre janë gjetur pa kontrata individuale pune. Pjesa tjetër kanë kontratë dhe punojnë 6 orë në ditë dhe me një kohëzgjatje javore pune 30-36 orë. Shqipëria ka ratifikuar konventa kryesore të ILO-s dhe të gjitha konventat e organizatave ndërkombëtare në lidhje me të drejtat e fëmijëve dhe shfrytëzimin e tyre. Në mbështetje të tyre ka edhe akte ligjore dhe nënligjore të hartuara gjatë gjithë këtyre viteve, por që ende kanë mbetur në sirtarët e institucioneve shtetërore dhe nuk janë zbatuar në praktikë.

Braktisja

Çdo vit, rreth gjashtë mijë deri në shtatë mijë fëmijë në vend braktisin shkollën. Ndërkohë që rreth 3 mijë nxënës të tjerë problematikë janë një kontingjent i rriskuar për braktisjen. Shifrat alarmante janë raportuar nga Sindikata e Arsimit në fund të vitit 2009, e cila ka kryer një studim për këtë fenomen. Sipas studimit të kësaj sindikate, vitet e fundit është rritur numri i fëmijëve që braktisin sistemin shkollor parauniversitar. Këtë shifër, Sindikata e Arsimit e ka nxjerrë duke ju referuar statistikave të Ministrisë së Arsimit. Zonat më problematike që kanë një shifër të konsiderueshme të fëmijëve që braktisin shkollën janë zona e Kamzës në Tiranë, Durrësi, Fieri, Korça. Për të frenuar zhvillimin e mëtejshëm të këtij fenomeni, sindikalistët, së bashku me aktorët e tjerë të interesit kanë filluar një projekt pilot në 21 shkolla të vendit, për trajnimin e 120 mësuesve, të cilët po punojnë me rreth 3 mijë nxënës problematikë, që janë një kontingjent i rriskuar për braktisjen e shkollës. Lënia e shkollës fillon në ciklin e ulët. Mësuesit deklarojnë se 5 për qind e nxënësve braktisin shkollën në hapat e parë. Kështu do të jetë derisa të ekzistojnë fenomene të tilla si, gjakmarrja, mungesa e kujdesit prindëror, dhuna në familje apo keqtrajtimi në ambientin shkollor. Shifrat e fundit të raportuara nga organizma vendas, por edhe ndërkombëtarë, thonë thjesht dhe qartë se, braktisja e arsimit të detyruar jo vetëm që nuk po njeh kurbë në ulje, por vazhdon të ketë rritje konstante, e shoqëruar në rrugën e saj edhe nga fenomene të reja, të cilat modifikohen me ato të vjetra.







Dje, Dita e Talasemisë, problem mungesa e gjakut për të sëmurët



Dita Botërore Kundër Talasemisë edhe këtë vit në vendin tonë i ka gjetur të sëmurët nga kjo sëmundje duke vuajtur mungesën e gjakut. Të paktën 300 talasemikë në vend, që çdo muaj drejtohen drejt qendrave përkatëse për të marrë dozën e nevojshme të gjakut, shpeshherë kthehen në shtëpi pa e siguruar atë. Megjithë apelet e vazhdueshme të autoriteteve shëndetësore për të dhuruar gjak në mënyrë vullnetare, ende në vendin tonë nuk ekziston një kulturë e tillë. Kjo ka bërë që edhe numri i dhuruesve vullnetarë të gjakut të jetë i kufizuar, pasi pjesa më e madhe e tyre i përkasin familjarëve të të sëmurëve. Sipas drejtoreshës së Qendrës së Transfuzionit të Gjakut në kryeqytet, që është edhe banka më e madhe e gjakut në vendin tonë, numri i dhuruesve vullnetarë është rritur disi krahasuar me vitet e mëparshme, por sërish apeli për gjak vazhdon. Drejtoresha e kësaj qendre, Irena Qendro, ka bërë të ditur dje se në pranë saj numërohen rreth 18 mijë dhurues vullnetarë gjaku dhe 4 mijë dhurues me pagesë. Megjithëse një vit më parë, qeveria nëpërmjet një ligji të posaçëm vendosi të ndalonte dhurimin e gjakut me pagesë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur për të vetmen arsye se nevojat për gjak gjithmonë kanë ardhur në rritje. Aktivitetet për Ditën Botërore të Talasemisë u zhvendosën në Lushnjë, duke qenë se nga ky rreth figuron një numër i lartë i të prekurve me talasemi. Në këtë aktivitet, kreu i Shoqatës së talasemikëve, Musa Zeneli bëri apel për dhurimin vullnetar të gjakut. Ndërsa zonja Liri Berisha në këtë ditë mori titullin “Nderi i Lushnjës” akorduar nga Këshilli Bashkiak i këtij qyteti me motivacionin për kontributin e madh dhënë në ndihmë të fëmijëve talasemikë.









Ligji i ri “Për arsimin e lartë”, Kacani: “Unifikon titujt e diplomave”



Ndryshimet e Ministrisë së Arsimit në ligjin “Për arsimin e lartë”, të cilat tashmë ju janë dorëzuar universiteteve, pritet të ngjallin mjaft diskutime. Dy nga pikat më të kontestueshme janë ndryshimet e titujve të masterave, por edhe përmbajtja e diplomës. Tashmë në universitete nuk do të ketë master të nivelit të parë apo master të nivelit të dytë, por do të ketë thjesht master me 90 kredite si dhe master shkencor. Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Jorgaq Kacani, shprehet se këto ndryshime duhet të mirëpriten nga studentët, pasi titujt e diplomave të tyre tashmë unifikohen me ato të universiteteve perëndimore. “Titujt që merren sot, me ndryshimet që i bëhen ligjit bëjnë një unifikim të titujve të diplomave që jepen në universitetet publike dhe private të Shqipërisë me titujt e diplomave që jepen në universitetet e vendeve perëndimore të cilat janë përfshirë në procesin e implementimit të Bolonjës”,- tha Kacani. Rektori shprehet se kjo i jep fund dhe procesit te masivizimit të masterave si në universitetet publike dhe ato private. Më tej ai shpjegon se diplomat që janë dhënë me sistemin e vjetër 4-vjeçar e kanë të përfshirë masterin. “Diploma master jepet për të gjitha nivelet e diplomave të cilat janë për bursa 300 kredite. Kjo merr parasysh unifikimin e të gjitha diplomave që janë dhënë deri më sot, të cilat nuk plotësojnë 300 kreditshin, këto njihen si diploma master që jepen dhe në universitetet perëndimore”,- tha Kacani. Nesër do të mblidhet Konferenca e Rektorëve e cila do të shqyrtojë të gjitha ndryshimet që i janë bërë ligjit “Për arsimin e lartë”.







10 Maj 2010