Emanuela Sako



Tirana është qyteti me ambientin më të ndotur në vend. Nga matjet e fundit për cilësinë e ajrit në disa qytete të vendit, kryeqyteti që ka dhe popullsinë dhe përqendrimin më të madh të biznese është cilësuar me një ndotje 2 herë mbi normat e BE-së. Monitorimet janë kryer nga Agjencia Rajonale e Mjedisit, e cila e ka vendosur në krye të listës. Specialistët mendojnë se shkak për këtë është bërë trafiku i rënduar i kryeqytetit, numri i lartë i automjeteve, rrugët e ngushta, mungesa e transportit publik etj. Derisa këto probleme të zgjidhen situata në kryeqytet pritet të jetë e njëjtë për një kohë të gjatë. Ata që vuajnë më tepër problemet e ajrit të ndotur janë fëmijët dhe të moshuarit, të cilët bëjnë pjesë në kategoritë më delikate që kanë organizëm më të dobët për t’i përballuar.

Studimi

Pikat me ndotje më të lartë në kryeqytet janë zona e 21 Dhjetorit, Rruga Elbasanit, dhe Zogu i Zi. Por nuk përjashtohen dhe zonat e tjera, ku është ndërtimet janë përqendruar më tepër.

Specialistët këshillojnë që të krijohen korsi për biçikleta dhe të mos përdoret makina si mjeti i vetëm për lëvizjen. Njëkohësisht, një zgjidhje tjetër është shtimi i ambienteve të gjelbra në mënyrë që të shmanget ndotja e ambientit dhe qytetarët të kenë mundësi të kalojnë disa kohë në këto ambiente për të marrë ajër të pastër. Aktualisht nuk është marrë ende një zgjidhje konkrete për përmirësimin e situatës në Tiranë dhe rrethet e vendit që janë renditur me ndotje të lartë të ajrit.

Situata

Studimi më i fundit ISHP-së tregon të njëjtat rezultate, duke vënë në dukje se ndotja e ajrit është më të lartë se normat e lejuara nga BE-ja. Qytetet ku është kryer studimi për një afat të gjatë kohor, përreth një vit, janë: Tirana, Vlora, Korça, Shkodra, Durrësi dhe Fieri. Në këto qytete janë marrë 8 mostra ajri në pika të ndryshme dhe ndotja ka rezultuar sa dyfishi i normave të lejuara nga BE-ja. Të gjitha mostrat e marra janë analizuar gjatë këtyre muajve dhe janë nxjerrë rezultatet përfundimtare. Sipas rezultateve të nxjerra nga ky laborator, Tirana është problem kryesor për përmbajtjen e grimcave në ajër. Vërehet se edhe dioksidi i azotit NO2 ka vlera të konsiderueshme në shumicën e pikave të Tiranës dhe në disa qytete të tjera kryesore të vendit. Përmbajtja e grimcave të ngurta (LNP e PM 10) në ajrin e qytetit të Shkodrës, Durrësit, Tiranës, Fierit, Vlorës dhe Korçës në mënyrë të qëndrueshme tejkalon në masën 2-4.5 herë normat e lejuara të vendeve të BE-së. Dioksidi i azotit NO2 është në rritje të vazhdueshme brenda pesë viteve të fundit. Po kështu edhe benzeni C6H6 pritet të jetë problem i madh në të ardhmen. Këto gazra shkarkohen kryesisht nga trafiku që në shkallë kombëtare përbën një problem shëndetësor e mjedisor. Niveli i lartë i ndotjes ndikon në uljen e jetëgjatësisë së shqiptarëve. Specialistët e ISHP-së kanë bërë matje të gazrave në ajër, të NO2 dhe Benzenit, të cilat kanë rezultuar tepër të larta, 30 për qind mbi normat e lejuara nga BE-ja. Këta elementë merren nëpërmjet ajrit dhe janë të dëmshëm për shëndetin e njeriut, pasi përmbajnë elemente kancerogjene. Jeta e shqiptarëve rrezikohet të shkurtohet nga 1,5 deri në dy vjet më pak. Në 6 qytetet kryesore janë analizuar dhe janë gjetur me tepricë në ajër këto lëndë: LNP, PM 10, SO2, NO2, C6H6, etj.



Rreziku që u kanoset qytetarëve nga ndotja e ajrit

Specialistët shpeshherë kanë bërë të ditur se ka një shtim të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë. Në kohët e fundit, në jo pak raste është konstatuar ndotje e ujit dhe e ajrit duke provokuar kështu shumë sëmundje të tjera nga këto ndryshime. Shqipëria ka probleme për shkak të një ekosistemi të dëmtuar dhe të ndotjeve që ka shkaktuar urbanizimi i shpejtë, trefishimi i popullsisë në qendrat kryesore urbane, brenda një periudhe të shkurtër kohore. Mosha e tretë apo fëmijët e vegjël i ndiejnë më shumë pasojat e këtyre rreziqeve që vijnë nga ndryshimi i klimës. Sipas specialistëve të ISHP-së, ndotja rrezikon shfaqjen e një numri të lartë sëmundjesh. Kështu, sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes pasohen nga sëmundjet e moshës prenatale, sëmundje simptomatike, sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut, infeksione të sistemit nervor qendror, infektive, etj.





Konferenca, 50 % e fëmijëve kanë probleme me dhëmbët



Rreth 50 % e fëmijëve të moshës nga 1 deri në 4 vjeç në kryeqytet i kanë dhëmbët e prishur. Të dhënat mbi këtë sëmundje dhe projektet për luftën kundër saj u bënë publike në një konferencë mbarëkombëtare, në Tiranë, me specialistë të stomatologjisë nga të gjitha trevat shqipfolëse. Studimi është kryer në çerdhet e Tiranës ka vërtetuar se kariesi i fëmijërisë së hershme është sëmundja më e përhapur, e cila vjen si pasojë e mos ushqyerjes me gji. Sipas këtij studimi vetëm 27% e fëmijëve ushqehem me gji. “Kariesi është një ndër sëmundjet dentare që fillon që prej moshës 1 vjeç dhe stomatologët rekomandojnë nisjen e kontrolleve tek dentisti pikërisht në vitin e parë të jetës. Sipas mjekëve aktualisht shërbimi stomatologjik shqiptar po i afrohet standardeve më të larta europiane”,- theksuan specialistët gjatë konferencës për kariesin e dhëmbëve. Sipas specialistëve, duke pasur parasysh të gjitha moshat, një higjienë e keqe është shkaku kryesor i kariesit dhe infeksionet e mishrave të dhëmbëve. Këto sëmundje janë të lidhura ngushtë me mënyrën e jetesës së individëve. Dhëmbët e shëndetshëm përveçse përmirësojnë paraqitjen estetike, kontribuojnë në mirëqenien e përgjithshme dhe pakësojnë ndërhyrjet e dentistit. Specialistët bëjnë të ditur se është arritur në përfundimin se një higjienë jo e mirë e gojës, një ushqim jo i rregullt dhe një mënyrë të jetuari që mund të shkaktojë stres dhe ulje të imunitetit, janë shkaktarët e problemeve të gojës dhe të dhëmbëve. Një higjienë e keqe jo vetëm që është origjina e kariesit të dhëmbëve por dhe shkaktari kryesor i infeksionit të mishit të dhëmbëve. Tartari është një pllakëz bakteriale e ngurtësuar dhe e depozituar përreth dhëmbëve. Fillimisht kjo pllakëz shkakton infeksion në mishin e dhëmbit dhe më vonë infeksioni përhapet dhe mund të arrijë deri në kockë, gjë që çon në mënyrë të pashmangshme në rënien e dhëmbit. Bakteret e para që mbulojnë sipërfaqen janë përgjithësisht bakteret gram-pozitive, koket, sidomos streptokokët dhe kokobacilet siç është antinomyces. Shtresa fillestare është e karakterizuar nga një veshje e përkohshme e sipërfaqes së dhëmbëve. Me kalimin e kohës ngurtësimi bëhet më i fortë dhe më i vështirë për t’u shkatërruar. Bakteret Fillojnë të vihen re dhe fryrje të mishrave të dhëmbëve që i hapin rrugë një infeksioni të thellë të tyre duke krijuar një ambient ideal për mikrobet anaerobe të cilat nuk kanë nevojë për praninë e ajrit për t’u zhvilluar. Prezenca e baktereve specifike në sipërfaqen e dhëmbëve është një element i padiskutueshëm për të shkaktuar infeksione të ndryshme. Vetëm prezenca e mikroorganizmave nuk është e mjaftueshme për të shkatërruar pllakëzat që ngurtësohen në sipërfaqen e dhëmbëve. Në të vërtetë bakteret provokojnë një përgjigje të imunitetit (reagime mbrojtëse dhe stimulime irrituese) të organizmit në të cilin përhapen. Kjo përgjigje është dhe shkaktare e shkatërrimit të disa pllakëzave. Dallohen mishrat e dhëmbëve të veshur të cilët është e mundur të “pastrohen” pas një terapie të duhur nga paradonititët të cilët shkaktojnë një veshje shkatërruese për sipërfaqen e dhëmbëve. Mishrat e “sëmurë” janë për t’u specifikuar mishrat margjinale që karakterizohen nga skuqje e theksuar, fryrje, rrjedhje gjaku dhe ndonjëherë dhe rritje të dimensioneve të tyre.





31 Tetor 2009