03/06/2005  Me përmasa të mëdha, stil aviatori dhe superluks. Këto janë elementët kryesorë të modeleve të reja të syzeve të diellit që propozojnë stilistët për sezonin e verës. Edhe sytë kanë nevojë të mbrohen, por duke ndjekur tendencat më të fundit të modës.


Sezoni pranverë-verë 2005 si gjithmonë do të sjellë propozime të reja dhe gjithmonë duke ndjekur stilimet e veshjeve të këtij sezonit. Për stilistët, syzet e diellit gjithnjë edhe më shumë janë në modë, janë pjesë e rëndësishme e aksesorëve, dhe jo më vetëm një ndihmë apo kujdes për të mbrojtur sytë nga dielli.


Kjo verë do të jetë një sezon i pasur me sugjerime të reja, me modele tërheqëse dhe ekstravagante. Stilistët propozojnë modelet klasike të viteve ‘50 – ’70, syzet klasike me përmasa të mëdha.


Kjo verë i jep dorë të lirë ekzagjerimit të tyre, kështu tashmë do të jeni të lirë të vini syzet ‘mburojë’, super të mëdha, që tashmë konsiderohen çelësi modern i kësaj vere.


Stilistët këtë sezon duket se kanë pasur një ide të përbashkët për propozimet e reja të syzeve të diellit. Syze që të mbulojnë pjesën me të madhe të shikimit, dhe që të mbrojnë nga dielli, por edhe nga era dhe rëra nëse do të jeni buzë detit. Në linjën e parë të adhuruesve të modeleve të reja janë edhe sportistët, skiatorët, sërfistët apo të apasionuarit e sporteve ekstreme.


Shumë tërheqëse janë edhe syzet e stilit aviator, që edhe ato janë frymëzuar nga bota e sportit. Pak më të çmendura se modelet ‘mburojë’ me përmasa të mëdha, ato janë edhe më të lehta dhe më të rehatshme për t’u mbajtur edhe gjatë jetës së përditshme.


Këtë sezon duket se ka pasur një rikthim fantastik Ray Ban me modelet e tij moderne, me stilin e tij tërheqës, duke i kthyer syzet e krijuara prej tij në aksesorët më të pëlqyera. Kanë një strukturë të lehtë, shpesh me një ngjyrë argjendi apo ar, ndërsa xhamat do të variojnë nga e verdha e errët në të kaltërt e hapur.


Por krahas modelet sportive stilistët këtë sezon propozojnë edhe syze elegante, madje që mund të mbahen edhe me veshje mbrëmjeje.


Rikthimi i viteve '50, kohën kur të vjen në mendje stili i Audrey Hepburn, Jaqueline Kennedy apo Sofia Loren, me syzet me skelet të zi, të thjeshta, me formën e tyre kuadrate dhe të lakuara, me xhama të errëta. Por ndryshe nga ky stil duket se e vetmja gjë që ka ndryshuar është ngjyra e syzeve.


E kuqja dhe e verdha janë tendencat e reja. Në këto linja ecin propozimet që vijnë nga stilistët e famshëm si Gucci, Versace, Dolce & Gabbana apo Laura Biagiotti. Por edhe Antonio Marras dhe stilistet shumëngjyrshme Agatha Ruiz dhe Prada, që prej disa kohësh duket se ngjyrat janë pjesë e pandarë e krijimeve të tyre, shpesh herë që shoqërohen me kontraste të fuqishme por tërheqëse.


Por edhe këtë vit ka fituar ‘pop arti’ që po sjell një frymë të freskët dhe të re. Vitet ‘70, dyngjyrëshe dhe optike janë një tjetër sugjerim i verës 2005. Ajo që ka krijuar një koleksion të ri ekstravagant por edhe trendi është Paloma Picasso, që ka realizuar një koleksion me forma të bollshme dhe me ngjyra të veçanta, por duke mos harruar asnjërën prej tyre.


Praktike dhe të rehatshme, struktura tërheqëse dhe e bukur, ky koleksion dallohet edhe për ndërthurjen interesante të ngjyrave të skeletit dhe xhamit. Për stilistet më të preferuara kanë qenë kombinimet e blu dhe e bardhë, e bardha me të zezën, blu me kafe, e kuqja me të zezë si dhe kafe me të bardhë.


Së fundmi, një nga të rejat e këtij sezoni janë edhe syzet më të bukura për këtë sezon janë ato që luajnë me dritën e diellit që realizohet përmes brilanteve të vegjël Swarovsky, kryesisht të vendosura në bishtat e syzeve madje edhe te vetë lenteve. Lojëra me gurët zirkon duket se i kanë bërë shumë modernë modelet e reja të syzeve.


Lente kozmetike, tendencat e fundit


Ndryshimi i ngjyrës së syve për t’ia përshtatur ditës, veshjes, make up-it apo edhe gjendjes shpirtërore duket se është tendenca më e re midis të rinjve. Preferoni të ndërroni ngjyrën e syve tuaj, duke hequr dorë nga ajo natyrale?


Tashmë është e mundur vetëm falë lenteve kozmetike, që sipas nevojave dhe kërkesave të përdoruesve, të ndihmojnë të krijosh një stil tërësisht të ri dhe të veçantë, duke qenë në modë dhe duke sigurisht duke pasur edhe një rezultat fantastik.


Kjo është arsyeja se pse moda e fundit i ka kthyer lentet kozmetike të syve në një element shumë të rëndësishëm të look-ut personal. Ato mund të vendosen shumë lehtë, janë të rehatshme dhe me një siguri maksimale nga mëngjesi në mbrëmje, duke qenë një aksesor tërheqës shumë herë duke qenë në një linjë shumë të mirë edhe me syze.


Megjithëse modelet e tyre më të fundit na garantojnë një rezultat estetik natyral, por zgjedhja juaj duhet të jetë edhe në varësi të ngjyrës së syve.


Nëse keni sy të kaltërt lentet perfekte janë blu safiri, vjollcë, e kaltërt, gri apo edhe blu, duke i dhënë syve një nuancë të bukur dhe natyrale.


Për sytë jeshilë këshillohen lentet gri, ngjyrë lajthie dhe jeshile e thellë.


Për sytë ngjyrë kafe, për të thelluar apo zbutur tonalitetin natyral ideale do të jenë lentet çokollatë apo ngjyrë mjalti. Por nëse preferoni të keni një nuancë më tërheqëse këshillohet edhe ngjyra jeshile.


Shumë intriguese janë edhe nuancat ekstravagante, si psh.


nuancat e ngjashme me sytë e maceve, që këshillohen për rastet shumë speciale.


Stil i ri edhe për syzet optike


Krahas modeleve të reja për syzet e diellit duket se edhe syzet optike këtë sezon nuk mbesin prapa. Elegante dhe të rafinuara, por edhe të çuditshme dhe shumëngjyrëshe koleksionet e reja të syzeve optike po ndjekin modën dhe tendencat e fundit të saj.


Modelet e vjetra këtë vit janë tendencë. Edhe për syzet e shikimit janë rikthyer fuqishëm linjat tipike të viteve ’50-’60. Ngjyrat dhe format bazohet plotësisht në modele origjinale dhe shumë moderne, por duke mos lënë pas dore elementë të rëndësishëm si lehtësia, funksionaliteti dhe komfortin.


Sugjerimeve të kromuara dhe formave intrigante u është shtuar edhe detaje të veçanta dhe kurioze, si simbole, vende, që përzihen së bashku për të krijuar modele tërheqëse dhe të bukura.