Viti 2010 do të shënojë çastin e ndryshimit jo vetëm të arsimit universitar, por edhe të arsimit parauniversitar, me anë të reformës së re që po përgatitet nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Reforma e re do të ketë bazë kurrikulat, kualifikimin e mësuesve dhe ndryshimin e mësimdhënies, si përparësi për modernizimin dhe zhvillimin e arsimit nëntëvjeçar dhe të mesëm në vend. Çështja kryesore që do të tentojë të zgjidhë kjo reformë, ka të bëjë



me decentralizimin në arsimin parauniversitar. Ndonëse shteti do të vijojë të jetë baza e drejtimit të shkollave në vend, pushteti vendor dhe aktorë të tjerë, si mësuesit e prindërit, do të marrin në duar disa frena të sistemit parauniversitar. Reforma e cila është paralajmëruar nga ministri Tafaj, do të tentojë që të japë më shumë zë në menaxhimin e shkollave, prindërve, mësuesve dhe pushtetit vendor, me anë të bordeve drejtuese që do të kenë shkollat e që do të jenë baza vendimmarrëse për to, sipas burimeve nga ministria. Qëllimi kryesor i këtij ndryshimi do të jetë rritja e cilësisë në arsimin parauniversitar, çka do të mundësonte njohjen e diplomave të pjekurisë dhe të maturës në mbarë botën, pa provime shtesë, nga ana e nxënësve. Një tjetër objektiv që do të ketë MASH gjatë vitit të ardhshëm, është ulja e analfabetizmit. Përfshirja 100% e fëmijëve në moshë të hershme në kopshte, reduktimi i plotë i braktisjes së shkollës në arsimin bazë, ndërkohë që edhe për të rinjtë që përfundojnë shkollën 9-vjeçare duhet të tregohet kujdes i veçantë për ti tërhequr drejt shkollave të mesme dhe më tej, drejt universiteteve, - është deklaruar kohë më parë si prioritet nga ministri Tafaj. E në një kohë me të, edhe kthimi i arsimit të mesëm në arsim të detyrueshëm pas vitit 2013, do të jetë një tjetër sfidë. Në të njëjtin limit, mësuesit e gjimnazeve në vend do të duhet të kenë përfunduar masterin, si një shenjë tjetër cilësie, sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.




Last Updated on E Merkure, 06 Janar 2010 22:47