Deri në vitin 2007, tatimi ishte progresiv, në bazë të të ardhurave. Çdo qytetar që kishte një pagë më të lartë, paguante më tepër taksa për buxhetin e shtetit. Kështu për një pagë prej 150 mijë lekësh paguhej një tatim prej më tepër se 22 mijë, ndërsa sot ky qytetar paguan 10 për qind të kësaj shume, pra 15 mijë lekë.

Taksimi progresiv prekte më tepër pagat e administratës, shuma e të cilave deklarohej e plotë. Sot, kur është rikthyer diskutimi për taksën e sheshtë dhe atë progresive, ekspertët e ekonomisë ndalen tek rëndësia e mos ndryshimit të tatimit mbi të ardhurat e qytetarëve.

Po kompanitë?

E njëjta situatë ishte edhe për kompanitë, tatimi mbi fitimin e tyre ishte në një nivel nga 30 për qind deri në 20 për qind. Brenda mandatit të parë të qeverisë aktuale, në vitin 2007 u mor vendimi për t’i bërë këto taksa të sheshta, në një nivel unik, prej 10 për qind.

Nga ekspertë financiarë, pohohet se kjo taksë dhe investimet e larta publike mbajti larg krizën e vitit 2008, duke i rezervuar vendit një nga rritjet ekonomike më të larta se shumë vende në botë. Kjo dëshmi përforcohet edhe në deklaratat e përfaqësuesve të qeverisë.

Megjithëse ritmi i rritjes së të ardhurave nga taksat pas kësaj periudhe ra, kjo nuk i dedikohet taksës së sheshtë. Aktualisht janë shfaqur të njëjtat simptoma si në vitin 2008-2009, ku faktorët ndërkombëtarë që mbajnë krizën gjallë po thellohen.

Madje këta faktorë nuk janë larg nesh, por në vende fqinje. Edhe deficiti buxhetor këtë pjesë të parë të vitit është rritur. Ndoshta kjo është arsyeja pse FMN tha në një tjetër koment të pakënaqësisë për nivelin e taksës së sheshtë, duke këshilluar një rritje taksash.

Megjithatë,nuk është ende koha për të ndryshuar politikën e taksave të ulëta, politikë që po josh gjithmonë e më tepër investitorët e huaj, por edhe bizneset vendase.

Bizneset

Ekspertët e shifrave tregojnë se rritja e taksës, apo qoftë ndryshimi i pjesor i parimit të taksës së sheshtë, do të rriste evazionin, do të cenonte të ardhurat individuale e për pasojë, konsumi, i cili sipas edhe të dhënave të fundit është pakësuar, do të zvogëlohej edhe më.

Në këtë pikë nevoja më e madhe është të administrohen si duhet taksat, me qëllim që të grumbullohen sa më tepër të ardhura në buxhet. Por, jo të ndryshohen ato.  Në bazë të sqarimeve që japin ekspertët, kalimi i taksave nga të ulëta në atë progresive ka të bëjë ndoshta me atë politikë, që kërkon të marrë më tepër të ardhura të pasurve dhe t’ua shpërndajë njerëzve që janë në nevojë.

Aktualisht, qeveria është duke përforcuar kapitalin dhe rritur investimet në vend, duke ndjekur politikën e taksave të ulëta, në mënyrë të barabartë për të gjithë. /Abc/Start/


                                                                                             2011-11-13 17:32