Për herë të parë në një studio televizive, në programin e Rudina Magjistarit të shtunën e kaluar në Vizion Plus, është rrëfyer ekskluzivisht nga Abu Bekkir Qassim historia e tij dhe 5 vitet që ai kaloi si i burgosur pa faj në burgun famëkeq të Guantanamos. Në rrëfimin e tij Abu ka shpjeguar itinerarin e largimit nga vendlindja e tij, në krahinën autonome ujgure, në pjesën veriperëndimore të Kinës. Arsyet e largimit të tij kanë qenë shkaqet ekonomike. Në kufi Pakistanin, në Afganistan ndodhej një fshat ujgur, ku Abu së bashku me miqtë e tij presin tre muaj, deri në momentin kur në këtë territor fillojnë bombardimet nga amerikanët. Pas shumë peripecive ujgurët përfundojnë në Burgun e Guantanamos në dhjetor të vitit 2001. Në burg Abu ka pasur numrin 283 dhe dhomat, të cilat nuk e kalonin madhësinë e 2 metravë katrorë, ndaheshin nga njëra-tjetra me rrjeta teli si kafaze. Brenda në dhomë ndodhej gjithçka: tualeti, lavamani dhe shtrati. Sipas Abusë, ushtarët përdorin presione psikologjike ndaj të burgosurve, aq sa pas 3 muajsh të burgosjes së tyre 20 prej të burgosurve patën probleme psikike dhe u transferuan të gjithë në një qeli të veçantë. Pas shpalljes së tyre të pafajshëm në maj të vitit 2006 ata dalin nga burgu dhe transferohen në Shqipëri, duke i ndaluar kategorikisht të kthehen në SHBA dhe rikthimin e tyre pranë familjeve në Kinë. Fajtorë pa faj, që gjenden për herë të parë në Shqipëri dhe që pa asnjë lloj zgjidhjeje tjetër, do të jetë atdheu u tyre i dytë. Me familjen e tij në Kine, Abu mban vetëm kontakte telefonike, pa mundur t`i shohë më dot kurrë. Gjatë komunikimit me Rudinën, Abu Bekkir Qassim ka kërkuar t`u bëjë apel shqiptarëve që ai së bashku me miqtë e tij të integrohen, si gjithë të tjerët tashmë, në atdheun e tyre të ri, Shqipëri.

27 janari, Dita e kujtesës së hebrenjve, solli të ftuar në studion e Magjistarit Apollon Zenunin, fëmijë i një nëne hebraike dhe i një babai shqiptar, një prej përfaqësuesve më të mirë të mikpritjes shqiptare dhe të mirënjohjes së popullit hebre, si dhe historianin Apostol Kotani, i cili ka botuar një libër për mikpritjen e shqiptarëve ndaj hebrenjve, “Shqiptarët dhe hebrenjtë në shekuj”. Rreth 20 familje hebre janë strehuar në familjet shqiptare. Luftimet, bastisjet, arrestimet, burgimet, torturat, vrasjet, mungesa e ushqimit dhe shkatërrimet e banesave ishin bashkudhëtare të jetës së përditshme të popullit shqiptar. E në ato kohë të vështira, shqiptarët e quajtën detyrë njerëzore dhe morale të merrnin në mbrojtje hebrenjtë e pafajshëm dhe të pambrojtur, populli shqiptar e tregoi shpirtmadhësinë e tij të vërtetë. Në shenjë respekti ndaj viktimave të holokaustit, nga programi “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon” për publikun shqiptar u transmetua një video homazh me pamje reale të atyre kohëve, shkëputur nga filmi i Stiven Spilpergut, “Schlindler`s list”. Severino Molla ishte një djalë 8-vjeçar nga Shkodra, i cili me iniciativën e tij dhe pa dijeninë e prindërve i kishte shkruar një letër Rudinës pasi kishte prishur pa dashje celularin e mamasë së tij. I pasionuar ndaj lojërave elektronike Severino i kishte shkruar Rudinës që t`i plotësonte atij dëshirën për të pasur një lojë elektronike në shtëpinë e tij. I ftuar në program, vogëlushi i çiltër ka rrëfyer me Rudinën, për mënyrën se si e kishte shkruar vetë letrën, shkollën dhe lëndën e tij të preferuar, Matematikën, dhe dëshira të tjera të tij. Duke iu referuar këtyre të fundit Rudina i kishte përgatitur atij dhe motrës së vogël një varg surprizash. Për motrën e tij ishte zgjedhur një kukull e madhe në supermarketin e lodrave për fëmijë “Rikiro”, ndërsa për Severinon ishte realizuar një abonim 2-vjeçar në revistën për fëmijë “Revista ime”, Kolana e 7 volumeve të personazhit më të famshëm për fëmijë, Harry Potter, nga shtëpia botuese “Dituria”, e cila ka ekskluzivitetin e botimeve të Harry Potter-it. Nga dyqani i veshjeve për fëmijë “Bimbus”, tek ETC-ja, atij i është ofruar një celular “Nokia” për mamanë e tij si dhe “qershia mbi tortë” po nga i njëjti dyqan, atij iu dhurua videogame më i fundit, një playstation 3. I konceptuar për lojëra elektronike, në formatin 3D, por i përshtatshëm edhe për DVD, muzikë etj. Këto dhurata Severino i mori në këmbim të një premtimi: Që çdo natë, para se ai të flejë, ai duhej të lexonte dy faqe libër.

Dy javë më parë një rast urgjent mbërriti në redaksinë e programit. Bëhej fjalë për 51-vjeçarin nga Lezha, Bardhok Ndreca, i cili kishte humbur kontaktet me familjen e tij teksa është nisur për në Tuz, Mal i Zi, në datën 28 dhjetor të vitit 2008, por nga verifikime paraprake ai ishte kthyer në Shqipëri në datën 31 dhjetor. Nga publikimi i fotos në emision dhe bashkëpunimit me policinë e Ulqinit u arrit që në mesjavën e kaluar Bardhoku të gjendej shëndoshë e mirë, nga vëllai i tij në Ulqin të Malit të Zi.





31 Janar 2009