Dalin 5 mijë ndër 200 mijë emrat e parë që kanë aplikuar për të fituar hipotekën. Procesi nis në Tiranë, Durrës, Elbasan, Vlorë, Korçë, Shkodër, Gjirokastër, Fier, Kukës, Berat e Lezhë. Publikohet lista e atyre që perfitojnë shtëpitë pa leje dhe kompensimet. 

TIRANE- "Gazeta Shqiptare" publikon sot emrat e një pjese të personave, që mund të përfitojnë nga ligji në fuqi për legalizimet, si dhe lista të blloqeve të ndërtimeve informale, banorët e të cilave mund të marrin tapitë e të regjistrohen në Hipotekë. Po kështu, shoqëruar nga lista të ishpronarëve, trojet e të cilëve janë zënë, pa lejen e tyre, që përfitojnë shpërblim. Suplementi i sotëm përmban listat emërore për kalim pronësie në Durrës qytet, ish- Këneta; Kukës qytet; Lezhë qytet, lagja Kodër Marlekaj; Shkodër qytet, lagja Bahçallëk; Vlorë qytet; Orikum; Sarandë qytet dhe zonat Berdenesh e Gjashtë; Berat, zona ish-fusha e Pyllit; Elbasan qytet e Fier, zona Bishanakë. Ghithashtu, përfshihet lista emërore e pronarëve dhe sipërfaqet takuese për shpërblim në qarqet Shkodër, Vlorë, Elbasan e Tiranë. Ndërkohë, gjejnë pasqyrim edhe blloqet apo zonat për legalizim në proces në Tiranë, Paskuqan-Bathore; Kukës; Gjirokastër; Tepelenë; Fier, zona Bishanakë; Durrës, zona e ish-Kënetës; bashkitë Sarandë, Vlorë, Shkodër e Elbasan, si dhe lagjen Marlekaj të Lezhës. Po kështu, pasqyrohet lista e dytë emërore e pronarëve që kompensohen dhe sipërfaqet takuese për shpërblim në proces në Tiranë, Shkodër e Elbasan. Listën e plotë mund ta gjeni duke blerë numrin e sotëm të “Gazeta Shqiptare” .


(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)