Skema e deklarimit të detyrimeve tatimore në mënyrë elektronike është shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Të gjitha llojet e detyrimeve që biznesi ka ndaj administratës tatimore mund të deklarohen nëpërmjet sistemit elektronik, duke ulur edhe koston e kohës që biznesi shpenzonte për këtë lloj shërbimi. Burime zyrtare pranë DPT-së thanë dje se administrata tatimore ka përfunduar zgjerimin e skemës së deklarimit elektronik të detyrimeve tatimore për të gjithë tatimpaguesit. Tashmë kjo skemë funksionon me efikasitet dhe të gjithë tatimpaguesit e regjistruar në të gjitha drejtoritë rajonale tatimore, duke përfshirë edhe tatimpaguesit e biznesit të vogël kanë mundësinë të shkarkojnë dhe deklarojnë elektronikisht Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH); Tatimin mbi të Ardhurat nga Punësimi (TAP); kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore; Tatimin mbi Fitimin, i cili përfshin si parapagesën mujore ashtu edhe deklarimin vjetor; Tatimin mbi të ardhurat personale për biznesin e vogël. Burimet e DPT-së thanë se regjistrimi për deklarimin elektronik është një proces i shpejtë dhe i thjeshtë. Ky është një shërbim që i ofrohet të gjithë tatimpaguesve pranë sporteleve të shërbimit ndaj tatimpaguesve në të gjitha Drejtoritë Rajonale Tatimore. Nëpërmjet web site www.tatime.gov.al mundësohet printimi i formularëve dhe deklarimi sipas llojit të tatimit. Ky sistem funksionon në bazë të standardeve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare për aplikimin e teknologjisë së informacionit në administratën tatimore. Përfundimi i këtij procesi jep një kontribut të rëndësishëm për modernizimin e administratës tatimore në Shqipëri, duke siguruar një trajtim të drejtë dhe të paanshëm të tatimpaguesve, si dhe rritjen e efektshmërisë dhe transparencës.





Ndërtimi, rriten shpenzimet për bazën materiale


Të ndërtosh po bëhet gjithnjë e më i vështirë si aktivitet. Ajo që Shoqata e Ndërtuesve ka deklaruar disa ditë më parë se ndërtimi po has vështirësi në këtë kohë krize, duket se vërtetohet edhe nga dhënat që jep INSTAT. Sipas Institutit të Statistikave, kostoja e ndërtimi është rritur, pasi shpenzimet për këtë aktivitet janë rritur.


INSTAT publikoi dje të dhënat mbi indeksin e ndërtimit në 3 muajt e fundit të vitit 2008, ku vërehet se ka një rritje të shpenzimeve për këtë sektor. Sipas INSTAT, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim për tremujorin e katërt të vitit 2008 shënoi një rritje prej 0.1%, krahasuar me tremujorin e tretë të këtij viti. Rritje kanë pësuar shpenzimet direkte, si dhe ato mbi pagat. Ndërtuesit tani kanë më shumë shpenzime për pagat e punonjësve, për materialet e ndërtimit, për makineritë. Të gjitha këto bëjnë që dhe kostoja në shitje e ndërtimeve të jetë më e lartë, gjë e cila rëndon mbi xhepat e qytetarëve, të cilët kohët e fundit po ngurojnë të blejnë shtëpi të reja. Sipas INSTAT, në 3-mujorin e katërt të vitit 2008, indeksi i grupit “Shpenzime direkte” shënoi një rritje prej 0.2% krahasuar me tremujorin paraardhës. Gjithashtu, brenda këtij grupi, rritje kanë shënuar dhe indekset e nëngrupeve “Shpenzime për paga” me 1.6% dhe “Shpenzime makinerie” me 0.3%. Ndërkohë që ulje ka shënuar grupi “Shpenzime materiale” me 0.2%, ku brenda këtij grupi mund të përmendim uljen e çmimeve të materialeve të ndërtimit me 0.3%. Indeksi i kushtimit në ndërtim i tremujorit të katërt të vitit 2008 krahasuar me tremujorin korrespondues të vitit 2007 ka shënuar një rritje prej 1.4%. Një vit më parë ky ndryshim ishte 1.6%.


Ndërtuesit kanë dhënë alarmin për vështirësinë që po kalon ky sektor në këtë kohë krize dhe ka kërkuar ndihmën e qeverisë për të marrë një paketë masash anti-krizë, që do t’i shpëtojë ata nga falimentimi. Sipas tyre, në sektorin e ndërtimit gjatë vitit 2008 nuk kanë kryer asnjë lekë xhiro mbi 600 shoqëri nga rreth 2500 shoqëri ndërtimi të regjistruara në shkallë vendi. Ndërsa gjatë tremujorit të katërt të vitit 2008, shitjet kanë pësuar një rënie të dukshme në krahasim me tremujorin e tretë të po atij viti dhe numri i apartamenteve të pashitura është më i madh se 4 mijë, pa llogaritur këtu dhe mijëra metra katrorë ambiente tregtare të pashitura.