17/03/2005  Drejtoria e Shërbimit Spitalor në Durrës urdhëron


DURRËS - Drejtoria e Shërbimit Spitalor në Durrës ka urdhëruar të gjithë repartet si dhe ambulancat në lagje të marrin masa për djegien në kushte të përcaktuara sipas udhëzimeve, të mbetjeve siptalore. Urdhëresa, e cila i rikthehet një të tille të nënshkruar nga drejtori Kristaq Huta, në tetorin e vitit të kaluar, ka ardhur pas reagimit dhe akuzave të ngritura nga Bashkia e Durrësit për rrezikun në shpërthimin e infeksioneve dhe epidemive, si pasojë e hedhjes në vendin e grumbullimit të mbeturinave urbane edhe të mbeturinave të rrezikshme spitalore.


Mbeturinat


Sipas burimeve të Bashkisë mësohet se, “nuk bëhet asnjë lloj trajtimi i mbetjeve spitalore dhe se administrimi i mbetjeve është një problem madhor në shëndetin publik për shkak të rrezikut të infeksioneve”.


Drejtori i spitalit të Durrësit, Kristaq Huta, ka urdhëruar që në mbetjet spitalore, që grumbullohen çdo ditë nga urgjenca, materniteti, pediatria, patologjia dhe repartet e tjera, detyrimisht mbeturinat duhet të digjen në krematoriumin e spitalit, në të njëjtin vend ku është edhe kaldaja.


Në analizën që Bashkia e Durrësit ka bërë për gjendjen e mjedisit në Durrës, ka theksuar se mbetjet spitalore në qytetin e Durrësit llogariten në rreth 500 kg në ditë, por nëndrejtori Spitalit, Gazmir Demiri, ka mohuar shifrën, duke thënë se sasia është shumë më e vogël. Ai ka pranuar se në këtë drejtim ka shumë për të bërë, por nga ana tjetër është shprehur se, “në kontenierët e mbeturinave janë hedhur vetëm ambalazhe dhe materiale të ndyshme të parrezikshme”.


Djegia


Furra e djegies së mbeturinave spitalore ka një kapacitet prej 10 kg mbeturina spitalore në një proces, ndërkohë që çdo ditë mësohet se realizohen 4 deri në 5 djegie.


“Djegia e mbeturinave spitalore, te të cilat futen shiringa, age, aparate serumi plastike, copa, garza do të bëhen nën mbikëqyrjen e personave përgjegjës”, tha Demiri.


Por ai ka cilësuar se problem për krematoriumin është pamundësia për të përballuar sasinë, pasi krahas djegieve të mbeturinave të kompleksit spitalor, aty çdo javë vinë edhe mbeturinat e forcave italiane. Sipas Demirit, për djegien e tyre ka kosto të lartë dhe vetëm për mbetjet italiane çdo muaj spitali shpenzon 700 litra naftë. Krahas kësaj edhe furra e spitalit shpenzon shumë naftë dhe në çdo proces, që zgjat një orë, shpenzohen 30 litra naftë.


Nisur nga sa është pohuar nga nëndrejtori, çdo muaj, për të djegur mbeturinat e rrezikshme spitalore, drejtorisë i duhet të nxjerrë nga arka 400 mijë lekë për të blerë naftë.


Megjithatë, problem për drejtorinë e spitalit paraqesin ambulancat e lagjeve, pasi ato i djegin mbetjet spitalore të rrezikshme pa praninë e një komisioni. Për këtë arsye, drejtoria ka kërkuar që brenda këtij muaji të ndërmerret një studim i hollësishëm për sasinë e tyre që do të pasojë me grafikun e depozitimit të tyre në furrën e djegies.


500 kg në ditë


mbeturina spitalore


14 mijë tonë në vit


mbetje inerte


61 mijë tonë në vit


mbetje urbane depozitohen e digjen


850 tonë helme të lëngshme


depozituar në Porto Romano, Bisht Pallë