Një dokument zyrtar i quajtur Karta e Pacientit do të hedhë themelet për ndërtim. Dje në një konferencë, Ministria e Shëndetësisë, Qendra e Kontrollit të Cilësisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore, si dhe Avokati i Popullit, kanë diskutuar mbi zhvillimin e një projekti për themelimin e dokumentit të Kartës së Pacientit. Duke qenë se shumica e pacientëve, mbi 80 për qind, nuk njohin të drejtat e tyre dhe shoqatat në mbrojtje të çështjeve të të sëmurëve nuk janë shtrirë dhe pozicionuar ashtu siç duhet, në këtë kohë është menduar të shqyrtohet një dokument tek i cili të renditen të gjitha të drejtat e pacientit, ku të përcaktohen qartë të gjitha rastet kur pacientët mendohet se u është bërë një padrejtësi, si dhe rastet e dëmshpërblimit në një situatë ku evidentohen gabime mjekësore.



"Karta e pacientit do të marrë përsipër të rendisë të drejtat e të sëmurëve, të përcaktojë qartë mënyrën e dhënies së kujdesit mjekësor dhe nga ana tjetër, të jetë një paketë informuese për të gjithë të sëmurët shqiptarë, që marrin kujdes shëndetësor", tha Arben Ivanaj, zëvendësministri i Shëndetësisë.



Karta e pacientit



Dokumenti që do të listojë një nga një dhe në mënyrë të detajuar të drejtat, përgjegjësitë dhe mënyrën e rregullimit të marrëdhënieve pacient-mjek do të miratohet zyrtarisht, do të afishohet në spitale e qendra shëndetësore dhe do të promovohet nga institucionet shëndetësore, si qendra e matjes së cilësisë së shërbimit shëndetësor. Kjo do të bëjë promovimin e të drejtave, fushatat informative, ndërsa Avokati i Popullit do të ndihmojë në mbrojtjen e këtyre të drejtave. Emir Dobjani sqaroi dje se çështje të cilat janë ankimuar nga pacientët pranë institucionit të Avokatit të Popullit, janë dërguar pranë Urdhrit të Mjekut për t‘u shqyrtuar dhe për t‘u verifikuar. Avokati i Popullit sqaroi se prioritet për të ardhmen duhet të jetë krijimi me urgjencë i legjislacionit të munguar për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve, krijimi i mekanizmave rregullatorë dhe të një kulture të re të përgjegjësisë për gjithçka që bëjmë dhe nuk bëjmë për pacientin. Në të drejtat e pacientit përfshihen 14 pika, ndër të cilat e drejta për informim, për akses, për t‘u ankuar, për t‘u kompensuar.



Njohuritë e pacientëve



Shumica e pacientëve nuk i njohin të drejtat e tyre, nuk kanë informacion për rastet kur duhet të ankimohen, mënyrën si të parashtrojnë të gjitha pakënaqësitë, si dhe rrugën për të kërkuar dëmshpërblim në rastet kur evidentohen gabime mjekësore.



Karta e Pacientit mendohet të jetë një dokument që do të ndihmojë në të shumtën e rasteve në dhënie të informacionit të saktë për mënyrën e kujdesit, atë të sjelljes së mjekëve me pacientët, dhe mbi të gjitha, ofrimin e kujdesit shëndetësor.



Sakaq, kutitë e vendosura në spital për ankimim apo denoncim të rasteve të korrupsionit janë vendosur pothuajse në të gjitha shërbimet kryesore, ku jepet kujdes shëndetësor, por ato nuk kanë qenë efikase.



Nga ana tjetër, jo vetëm për mungesë informacioni, por edhe për mungesë mbrojtjeje, pacientët shqiptarë nuk e çojnë deri në fund ankimimin apo kërkesën për vendosjen e drejtësisë për çështjen e tyre karshi shërbimit shëndetësor.