07/06/2005  Do të verifikohen lidhjet, aktivitetet, konfliktet dhe vazhdimësitë e këtyre bandave deri më sot


Duket se Prokuroria ka filluar të praktikojë fjalën e urtë, që “e ardhmja është vazhdimësi e të kaluarës”. E ndodhur përballë krimit të organizuar shqiptar mjaft të sofistikuar, që edhe nga ndërkombëtarët konsiderohet si një nga klanet mafioze më të rrezikshme në Botë, Prokuroria ka vendosur që ta fillojë punën që prej bërthamave të bandave. Në plan të parë të këtij hetimi dhe verifikimi masiv janë vendosur emrat e ish-“të fortëve” të Tiranës, aktivitetit të tyre, lidhjeve dhe ekzekutimeve mafioze, që e kanë fillesën prej viteve të para postkomuniste. Kështu janë rihapur të gjitha dosjet e vrasjeve të “të fortëve” të Tiranës, ku do të verifikohet edhe hetimi që është kryer në atë kohë nga drejtësia. Duke parë si pikënisje të organizatave kriminale, pikërisht këta të fortë, organi i akuzës ka filluar shfletimin e dosjeve të vjetra për të hedhur dritë mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e krimit. Kjo në kuadër të luftës dhe parandalimit të krimit të organizuar. Për çështjet e vjetra, organi qendror i akuzës ka kërkuar që të rihapen të gjitha ato që kanë të bëjnë me vrasjen e të ashtuquajturve “të fortët” e Tiranës, ku disa prej tyre mbeten ende enigmë. Lajmi është bërë i ditur dje për gazetën “Metropol” nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat sqaruan se rishikimi i këtyre dosjeve mund të hedhë dritë mbi sfondin e bandave dhe organizatave të tanishme kriminale. Kjo, pasi dyshohet se këto banda e kanë fillesën e tyre pikërisht në atë kohë, kur të ashtuquajturit “të fortë” krijuan bandat e para të strukturuara kriminale. Gjithashtu do të verifikohet edhe hetimi i bërë atëherë, për të parë nëse ka ende veprime të reja hetimore që mund të kryhen.


Verifikimi


Në këto dosje do të specifikohen në mënyrë të veçantë, motivet e vrasjeve të këtyre emrave që për një farë kohe u kthyen edhe në “mite” për të rinjtë. Pikërisht në këto motive pritet të gjenden fillesat e mjaft hasmërive dhe konflikteve mes grupeve rivale, të cilat kanë pasuar edhe me vrasje të tjera deri vitet e fundit. Gjithashtu do të verifikohen me imtësi hetimet e bëra atëherë, për të parë nëse mund të kryhen të tjera veprime hetimore tani, për zbardhjen e plotë të këtyre ngjarjeve, theksojnë burimet. Tjetër qëllim i verifikimit të dosjeve do të jetë edhe njohja me aktivitetin e këtyre personave. Do të veçohet gjithçka që ata kanë kryer, dyshohet të kenë kryer, apo vepra penale për të cilat mund të jenë dënuar. Tjetër pjesë e rihetimit do të jetë edhe njohja me lidhjet e miqësitë e “të fortëve”. Por më kryesorja mësohet të jenë konfliktet dhe hasmëritë që ata kanë pasur me bandat rivale, pohojnë burimet e Prokurorisë.


Rihetimi


Pas një viti punë intensive, duket se Prokuroria e Krimeve të Rënda ka parë të arsyeshme edhe retrospektivën e krimit. E ndodhur para bandave dhe organizatave kriminale që sa vijnë e sofistikohen, Prokuroria i ka hedhur sytë në lindjen e këtyre grupeve. Sipas burimeve të organit qendror të akuzës, një pjesë e këtyre organizatave dyshohet ta kenë fillesën që në vitet ’90, kur u hapën kufijtë. Të ashtuquajturit “të fortët” e Tiranës, dyshohet të kenë krijuar të parat banda të strukturuara kriminale, por të një stadi shumë të thjeshtë nga ato të sotmet. Burimet thonë se do të studiohen vazhdimësitë e këtyre bandave të vogla, për të parë nëse ato vazhdojnë të kryejnë aktivitetin e tyre kriminal dhe stadin në të cilin kanë arritur. Do të hetohet edhe mbi aktivitetin që kanë kryer atëherë dhe kryejnë tani këto banda të strukturuara kriminale. Gjithashtu do të veçohen konfliktet e hershme që këto banda kanë pasur me njëra-tjetrën dhe rrjedhën e tyre. Sipas Prokurorisë, pritet që nga këto konflikte të vjetra të hidhet dritë mbi vrasje mafioze të ndodhura vitet e fundit. Në bazë të këtij hetimi masiv, shpresohet që të zbardhen edhe konfliktet brenda çdo bande dhe pasojat që kanë pasur, thonë burimet. Ato shtojnë se prej afro një muaji, ka filluar ky rihetim dhe një pjesë e dosjeve janë verifikuar. Për shkak të kalimit të shumë viteve dhe pamundësisë për gjetjen e provave të reja materiale, disa prej këtyre vrasjeve mbeten ende pa autor. Por më e rëndësishmja është njohja me lidhjet, konfliktet, aktivitetin dhe vazhdimësitë e këtyre bandave kriminale, përfundojnë burimet.


Në dosjet e vjetra mund të gjenden prova mbi vrasjet mafioze të viteve të fundit


Edhe pas krijimit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, disa prej vrasjeve më të bujshme vitet e fundit mbeten ende pa autor dhe pa motiv. Rishikimi i dosjeve të vrasjeve të “të fortëve” të kryeqytetit, pritet që të nxjerrë në dritë motive të këtyre vrasjeve, që pasuan edhe pas vitit 1997, duke u sofistikuar përsa i përket natyrës së ekzekutimeve. Prokuroria ka hedhur dyshimet se janë pikërisht këta të fortë, të cilët me njerëzit që mblodhën rreth tyre pas viteve ’90, krijuan bandat e para të strukturuara, të cilat kishin edhe rivalitetet mes tyre. Duke studiuar edhe kohën dhe psikologjinë e periudhës kur kanë ndodhur, do të specifikohen motivet e këtyre vrasjeve. Gjithashtu do të verifikohen lidhjet dhe miqësitë e “të fortëve”. Pikërisht në këtë moment, verifikimi do të shtrihet mbi hakmarrjet e mundshme të kryera mes bandave. Kjo me qëllim zbardhjen e vrasjeve, që prej vitesh mbeten pa autor. Nisur në motivet dhe veprimet hetimore të përcaktuara në dosjet e vjetra, do të shikohet edhe vazhdimësia e këtyre bandave. Bëhet fjalë për aktivitetin, lidhjet dhe konfliktet e tyre. Kjo, pasi dyshohet që rivaliteti mes këtyre grupeve të ketë vazhduar. Ndonëse mund të jenë harruar hasmëritë, konfliktet mund të kenë vazhduar për shkak të konkurrencën dhe rivalitetit në trafiqe e zona, pohojnë burimet e Prokurorisë. Ato thonë se dyshohet që disa prej vrasjeve mafioze të viteve të fundit, mund ta kenë prejardhjen nga konfliktet e vjetra për shkak të hasmërive dhe rivalitetit në trafiqe.


Bandat e ’90-ës, fillesat e organizatave kriminale


Prokuroria ka hedhur dyshime të forta se bërthamat e pjesës më të madhe të organizatave kriminale janë pikërisht ato grupe që u krijuan pas viteve ’90, nga “të fortët”. Sipas burimeve të akuzës, këto grupe, në vitet në vazhdim u strukturuan dhe u sofistikuan, duke e përqëndruar aktivitetin e tyre kryesisht në trafiqet e drogës, armëve dhe qenieve njerëzore. Ndërsa në fillimet e tyre aplikonin kryesisht me vendosjet e gjobave dhe duke trafikuar femra si prostituta. Por, në vazhdimësi këto grupe dyshohet të jenë organizuar dhe të kenë krijuar struktura të përcaktuara për secilin anëtar të bandës. Madje, Prokuroria ka dyshime se disa prej vrasjeve mafioze të ndodhura në Tiranë, pas trazirave të viteve ’97, të jenë pasojë e konflikteve të trashëguara prej kohësh. Ndërkaq në dosjet e vjetra pritet që të gjenden prova materiale ndaj personave nën hetim për trafiqe të të gjitha llojeve. Kjo, pasi në fillim të viteve ’90, nuk ekzistonin ligje për parandalimin dhe dënimin e trafiqeve, duke u lënë dorë të lirë këtyre grupeve. Burimet e Prokurorisë përfundojnë se është e rëndësishme që organizatat kriminale të goditen që nga rrënjët e tyre.


Vrasjet e bujshme të kryqytetit në vite


Gaz Muça, i vrarë më 7 prill të vitit 1992, tre muaj pasi ishte kthyer nga Gjermania. Në atë kohë dy grupet rivale në Tiranë ishin ato të Gaz Muçës dhe Naim Zyberit. Ky i fundit arrestohet pas vrasjes së Muçës dhe del nga burgu gjatë trazirave të ’97-ës


Artur Grori, vritet me plumb në zemër para derës së shtëpisë më 2 korrik të vitit 1997. Për këtë vrasje akuzohet Naim Zyberi, i cili largohet më pas në Itali


Në fund të vitit 1999, Naim Zyberi plagoset në Milano të Italisë dhe ekzekutohet në spital disa muaj pas vrasjes së Artur Grorit. Për vrasjen e Naim Zyberit, Prokuroria italiane akuzoi Arben Grorin, vëllain e Arturit, i cili ndodhet në burg në Shqipëri


Taulant Muça i vrarë më 31 korrik të vitit 1998. Për vrasjen e tij akuzohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, Besnik Keta dhe Dorian Stafa. Prokuroria dyshon se Besnik Keta e ka vrarë Taulant Muçën për t’u hakmarrë për ekzekutimin e vëllait të tij, Fatos Keta


Në vitin 1999 ekzekutohen me antitank Denis Gina dhe Medjan Shehu, teksa po udhëtonin me një fuoristradë të blinduar në Fushën e Druve në Tiranë. Për këtë vrasje u akuzuan Ilir Bardhi dhe Genc Ferhati


Më 9 mars të vitit 2000, ekzekutohet me snajper Ilir Bardhi, ndërsa ndodhej në qelinë e ajrimit në Burgun 313 në Tiranë. Bardhi akuzohej se në bashkëpunim me Genc Ferhatin kishin vrarë Denis Ginën dhe Medjan Shehun një vit më parë. Autori Roland Kostare arrestohet nga RENEA, teksa po largohej me makinë


Në dhjetor 1999, te Pallati i Sportit “Asllan Rusi” vritet Elton Zaimi. Për këtë vrasje akuzohet Andi Hasani


Më 23 dhjetor 1999, te lokal “Aldrin” përballë ish-ambasadës kroate, disa metra larg Presidencës, vriten Santilian Elezi dhe Fatmir Hodo, si dhe u plagosën Andi Hasani, Gerti Xhanai, Edmond Karanxha e Dorjan Bejo. Për këto vrasje e plagosje akuzohet Elidon Kotorri, i cili ndodhet në burg.


Më 11 janar 2000, pranë shkollës “Vasil Shanto” vriten në autoveturën e tyre tip “Volksvagen”, Andi Hasani, Sokol Alushi, Gazmend Zeneli dhe u plagos rëndë Grigor Stefani. Për këtë masakër akuzohen Elidon Kotorri dhe Altin Lame, të cilët aktualisht janë në qeli dhe po gjykohen


Në vitin 2000, ekzekutohet në zonën e ish-Bllokut, Alban Çela, djali i ish-ministrit të Drejtësisë, Kudret Çela. Për këtë vrasje akuzohet Altin Lame, i cili po gjykohet


Më 16 gusht të vitit 2000, vritet pranë lokal “Piaca” në qendër të Tiranës, Sul Dema. Ai dyshohej se ishte autor i disa vrasjeve dhe se mund të jetë ekzekutuar për motive hakmarrjeje


Më 13 janar të vitit 2003, ekzekutohet në zyrën e tij, Sekretari i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman, Sali Tivari. Ende nuk ka një motiv të përcaktuar për vrasjen e tij dhe nuk dihen autorët


Më 29 mars të vitit 2003, ekzekutohet në pronën e tij te “Kartodromi” në Tiranë, Fatmir Rama, 35 vjeç, i ashtuquajturi Miri i Xhikes. Ende nuk ka një motiv të përcaktuar për vrasjen e tij. Si një nga autorët, Prokuroria akuzon Lavdërim Tufën nga Lundra, i cili është në gjykim


Më 9 prill të vitit 2003, vritet para derës së shtëpisë së tij biznesmeni i tregtimit të hekurit, Florian Vila, 38 vjeç. Dyshohet të jetë ekzekutuar për shkak të konkurrenës në biznes, ende nuk dihen autorët


Më 29 gusht të vitit 2003, vritet tregtari i njohur i mishit, Arben Pojani (Fodulli), pranë “Rozafës” në Tiranë. Dyshohet të jetë vrarë nga frika e një hakmarrjeje të mundshme për vëllanë e tij, Petraq Fodullin, i ekzekutuar në vitin 1998. Ende nuk dihen autorët


Më 28 shkurt 2005, ekzekutohet me eksploziv në ashensor, biznesmeni i njohur Vajdin Lame dhe miku i tij, Artan Arsi. Lame u plagos gjatë një atentati edhe në tetor të vitit 2004, te Pallati i Kulturës. Ende nuk ka ndonjë motiv të përcaktuar për ngjarjen. Nuk dihen autorët


Më 5 mars të vitit 2005, vetekzekutohet me eksploziv lushnjari Enver Rabiaj. Dyshohet se ai kishte qëllim kryerjen e një atentati të mundshëm, por aksidentalisht i ka shpërthyer eksplozivi në duar. Sipas policisë, ai ishte anëtar i bandës së Lushnjës