Tiranë, 7 janar NOA - Në datën 11 janar Teatri Aleksandër Moisiu mbush 57 vjet nga dita e krijimit  të tij.

Për të festuar këtë ditë, trupa e teatrit  shfaq më datë 10 janar ora 19.00  Ana Kristi  fituese e çmimit Pulitzer e dramaturgut amerikan Eegene ONeill, me regji nga Driada Dervishi. Ana Kristi një nga dramat më të mëdha të kohës, me një tingëllim tejet njerëzor,  impresivisht të vërtetë në karakterin e saj dhe në momentet më kulminante, intensivisht dramatike. Të gjithë ata që e ndjekin teatrin dhe mezi presin që të shohin diçka të re, duhet të shënojnë në agjendën e tyre emrin e shfaqjes Ana Kristi, si një pjesë që nuk duhet t`u shpëtojë pa e parë. E shkruar nga dramaturgu amerikan Eugene O`Neill fitues i katër çmimeve Pulitzer dhe i një çmimi Nobel, Ana Kristi është një pjesë veçanërisht tërheqëse. Për kronikët që shohin teatër ajo vjen si një gllënkë e fortë kafeje e zezë për dikë që sapo ka pirë një limonatë. Nëse Një udhëtim i gjatë brenda natës është kryevepra e Eugene ONeillit, Ana Kristi vjen pas saj dhe është pjesa e tij më popullore dhe më e vëna nëpër skenat teatrore botërore, e cila vetëm me vëniet e fillimit në vitin 1922 numëron 117 shfaqje. Ana Kristi është adaptuar tri herë për ekran. Ajo më e suksesshmja është hera e dytë, prodhimi i Hollivudit, ku në rolin e Ana Kristit luan Greta Garbo, në filmin e saj të parë me zë, film që mbahet si nga më të mirët  e Hollivudit (1931). Me rolin e Ana Kristit, Garbo merr dhe Oskarin e saj të parë. Përpara se të shfaqej në Teatrin Vanderbilt të Brodueit më 2 nëntor 1921, Ana Kristi u rishikua dhe pati ndryshime të shpeshta nga Eugene ONeill . Suksesi i Ana Kristi e ndihmoi ONeillin të fuqizonte reputacionin e tij si një nga dramaturgët më të mirë amerikane. Ana Kristi është një studim i jetës moderne, e cila dramatizon përzierjen e komedisë dhe tragjedisë, karakteristika të përjetshme të jetës. Dama fokusohet në marrëdhënien problematike ndërmjet një marinari dhe vajzës së tij të cilën ai nuk e ka parë prej gati 20 vitesh dhe kjo marrëdhënie ndërlikohet edhe më shumë nga lidhja e saj romantike me një njeri të detit dhe për të kaluarën e saj me probleme. ONeill prezanton një pamje realiste dhe të dhimbshme të konfliktit familjar dhe të një  realiteti të ashpër të jetës femërore. Publiku dhe kritika e cilësojnë pjesën si një konfirmim të pushtetit të dashurisë dhe të faljes. Ana Kristi tragjedia e një nostromi të vjetër, i cili ka frikë dhe ka mbledhur shumë urrejtje për detin. Në det janë mbytur të gjithë burrat e fisit të tij dhe prej tij janë trishtuar  të gjitha gratë e tyre. Pjesa përfundon me një fund të lumtur dhe për këtë ka pasur kritika të ndryshme. O`Neill duket sikur i sugjeron publikut që ata ta shohin këtë si një fund të lumtur, nëse janë aq miopë sa ta besojnë një  gjë e tillë dhe aq mendjeshkurtër sa ta dëshirojnë këtë gjë.. Ai, më në fund ka kënaqësinë e aludimit në fjalët e mbylljes, ku çdo gjë duket  mjaft e gëzuar për momentin edhe pse ndoshta nuk ka fund për fatkeqësitë, apo vuajtjet e gjithkujt të fshehur në mjegullën e detit.  Kemi një fund të lumtur, me autorin që i mban gishtat të kryqëzuar .   Me rastin e marrjes se çmimit Pulitzer për Ana Kristin 1921, ai shkruan për Neë York Times:  Unë doja që publiku të largohej me një ndjenjë të thellë të jetës që vazhdon, me të shkuarën që asnjëherë nuk është një e shkuar, por gjithnjë lindja e së ardhmes, të një problemi të zgjidhur për momentin, por që për nga natyra e zgjidhjes së tij, përfshihet në një problem të ri. Emërtojeni si të doni, një komedi të ëmbëlhidhur, dramedi, apo një tragjedi të pazhvilluar, e rëndësishme është që si elementet komike, apo tragjike të mos e kalojnë masën. Regjisore Driada Dervishi As/Regjisor: Xhelaj Tafaj Muzika: Metila Dervishi, Eduart Tereziu, Efektet  muzikore: Julian Shyti Skenografia: Beqo Nanaj          Interpretojnë në role : Ana Kristi Klodjana Keco, Krisi Hysen Bashhysa, Met Burke Marvin Tafaj, Marta Ouen Sanie Hoti, Xhoni Xhelal Tafaj, Postierja Mimoza Marjanaku. m.s/NOA