05/03/2005  TIRANË – Telefonatat anonime vijnë si provë në sallën e gjyqit. Këtë provë, e cila deri pak ditë më parë gjendej në sallën operative të policisë së Shkodrës, u sigurua nga ana e Gjykatës për Krime të Rënda. Janë më shumë se katër telefonata anonime, të cilat në datën 14 prill 2003, kur u vra shtetasi Luan Muça, kanë njoftuar sallën operative. Që të gjithë personat që kanë telefonuar në këtë sallë kanë identifikuar autorin e vrasjes, madje, kanë dhënë hollësi të shumta edhe për veshjen e tij, pamjen e jashtme si dhe drejtimin që mori kur braktisi makinën BMV me targa të huaja. Ndërkohë, njëra nga telefonatat ka dhënë hollësi edhe për personat që kanë ndihmuar Astrit Kurmemën për t'u arratisur. Flitet për një pronar lokali afër Liqenit. Ndërsa njëra nga telefonatat ka dhënë hollësi për pamjen e jashtme, tjetra e ka parë duke vrapur dhe e ka njohur Astrit Kurmemën. Pothuajse të gjitha telefonatat anonime, e kanë cilësuar Kurmemën si autor të vrasjes së Luan Muçës, në datën 14 prill 2003. Prova e sjellë nga ana e gjyatës u kërkua për njohje nga avokati Vladimir Meçi. Ndërkohë, dëshmitari që avokati kishte premtuar të sjellë për t'i ardhur në ndihmë klientit të tij, Leandro Matia, nuk dihet se ku ndodhet. Vetë i pandehuri Kurmemaj, pasi dëgjoi provën e lexuar nga gjyqtarja Etleva Deda, nuk bëri asnjë reagim. Personat që e kanë identifikuar Kurmemën, janë shprehur se ai ishte veshur me rroba sportive, kishte flokë pak të rëna përpara dhe me kaçurrela. Ndërkohë, Kurmemaj, tani në sallën e gjyqit, paraqitet me flokë të rënë përpara dhe të qethura zero. Personat që kanë dhënë informacion të fshehtë për Kurmemën, janë shprehur se ai vrasjen e ka kryer për gjakmarrje. Vrasje me paramendim për gjakmarrje dhe armëmbajtje pa leje, janë akuzat për të cilat po gjykohet para Gjykatës së Krimeve të Rënda, i pandehuri Kurmemaj. Sipas akuzës, Kurmemaj kishte kohë që e gjurmonte gjaksin e tij. Mësohet se disa kohë para se të ndodhte vrasja, djali i xhaxhait të viktimës, ka vrarë vëllain e Kurmemës. Ky i fundit ka ndjekur hap pas hapi kushëririn e vrasësit të vëllait, dhe në një moment ka mundur të qëllojë mbi të. Vrasja është kryer nga një pistoletë, e cila më pas është gjetur disa metra larg vendit të ngjarjes. Sipas prokurores që përfaqëson akuzën, i pandehuri në momentin e kryerjes së krimit ka qenë me një makinë tip BMV, me targa të huaja.