Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit zhvillon sot tenderin për operatorin e katërt celular në Shqipëri. Shtimi i një operatori të ri mobil në treg do të mundësojë edhe uljen e tarifave për telefoninë celulare, pasi konkurrenca në treg do ofrojë edhe çmime të leverdishme për konsumatorët. AKEP parashikon një çmim mesatar prej 10 lekësh për minutë, duke iu referuar edhe metodologjisë së re, të miratuar së fundmi në shtator 2008. Kompania që do të ofrojë tarifat më të ulëta të bisedave telefonike do të ketë më shumë mundësi për të fituar tenderin për operatorin e katërt celular në vend. Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, vlerësimi i ofertave do të kryhet në bazë të çmimit të ofertës, kohës së mbulimit me shërbim në shkallë gjeografike, tarifës së shportës së shërbimeve, si dhe në bazë të aftësive dhe eksperiencës që ka kompania. Ekspertë të telekomunikacionit shpjegojnë se me hyrjen e operatorit të katërt në treg, konsumatorët do të kenë mundësi që të komunikojnë mes tyre me tarifa më të lira se tani. Në kuadër të përmirësimit të tregut, qeveria ka miratuar metodologjinë e rregullimit të tarifave të operatorëve të telefonisë celulare dhe “Albtelekom”, duke vendosur çmime tavan për kompanitë. Sipas kësaj metodologjie, janë reduktuar me 20 për qind shpenzimet e konsumatorëve gjatë vitit 2008, si dhe do të ketë një reduktim prej 20 për qind brenda këtij viti. Prej gati një viti në tregun vendas operojnë tri kompani celulare AMC, “Vodafone” dhe “Eagle Mobile”, konkurrenca e të cilave ka sjellë reduktim të tarifave deri me 15 lekë për minutë. Shqipëria numëron rreth 2.5 milionë abonentë.





HEC-et mbi Devoll, Kuvendi diskuton projektligjin





Kuvendi diskutoi të enjten projektligjin "Për miratimin e kontratës së koncesionit, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, si autoritet kontraktues dhe AVN AG, Statkraft AS dhe Devoll Hydropower sh.a, si bashkëkoncesionarë, për projektin, financimin, ndërtimin, marrjen në pronësi, shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e projektit të hidrocentralit në lumin Devoll, në Republikën e Shqipërisë”. Projekti për kontratën e koncesionit për kaskadën e Devollit është konsideruar si më i madhi në Evropë në fushën e energjisë elektrike ujore. Ai parashikon ndërtimin e tre hidrocentraleve, përfshirë hidrocentralin e Banjës në kaskadën e lumit Devoll, sipas një sistemi që bazohet në ndërtimin e 60 kilometrave tunel, i cili do të shmangë pasojat e sedimenteve të shumta që sjell ky lum. Kompanitë partnere do të planifikojnë dhe ndërtojnë tre hidrocentrale me rezervuar, prodhim dhe në kohë piku me kapacitet prej rreth 340 MW dhe një prodhim mesatar prej rreth 1.000 GWh. Tre hidrocentralet që do të ndërtohen janë: Lozhan-Grabovë me fuqi 173 MW, Skënderbegas-Driza, me fuqi 138 MW dhe Banjë me fuqi 28 MW. Projekti me një investim prej rreth 1 miliard euro siguron shfrytëzim afatgjatë të ujërave të lumit Devoll, çka përbën epërsinë më të madhe të tij.