Shpallen përgjigjet zyrtare të testit të Letërsisë për të gjitha shkollat e vendit. Kështu, 33 mijë maturantët do të kenë mundësi të njihen me mënyrën se si duhet të ishin përgjigjur në test. Përgjigjet e vlerësimit shpallen për shkollat social-kulturore, seksioni dygjuhësh, korrespondencë, shkollat profesionale 3+2 dhe 5 vjeçare, Pedagogjike, Gjuhët e Huaja, si dhe shkollat e mesme të përgjithshme profili shoqëror dhe natyror. Sot maturantët do të njihen me përgjigjet e sakta për secilin profil, ndërkohë që “standard” boton edhe 2 teste të provimit të Maturës Shtetërore, Varianti A, profili natyror dhe Varianti A, profili shoqëror. Ndërsa vlerësimet për përgjigjet e dhëna në testet e tyre do t’i mësojnë pas dy javësh. Testet e plotësuara me të njëjtat masa sigurie do të nisen në drejtim të shkollës “Sabaudin Gabrani” në Tiranë, ku do të shpërndahen për t’u korrigjuar në 4 qendra vlerësimi në Tiranë, Elbasan, Shkodër dhe Fier.


Afro 155 korrigjues të testeve do të fillojnë nga puna ditën e enjte, 12 qershor 2008, në këto 4 qendra.