Vetëm në datën 15 maj mësuesit do të marrin vesh nëse përfitojnë apo jo shtesën në pagë. Për secilën kategori ku ata kanë aplikuar, vetëm rezultatet pozitive në testimin e zhvilluar 3 javë më parë, mund t'ua japë këtë mundësi. Ndërkohë një grup specialistësh po merret me korrigjimin e testeve e më pas do të listojë "fituesit" në këtë minikonkurs karriere. Vitin e kaluar u vërejtën jo pak mangësi në formimin e mësuesve. Sidomos në rrethe shumë prej tyre e kaluan testin me "paterica". Por specialistët u treguan dorëlëshuar, duke cilësuar mbetës fare pak prej tyre. Në rast se një mësues nuk kalon testin e bërë për shkallët e karrierës, ai humb këtë vit të drejtën e shtesës në pagë. Për të njëjtën shkallë mësuesit mund aplikojnë vitin që vjen. Aplikimi bëhet me anë të portofolit personal, ku grumbullohen të gjitha kualifikimet dhe trajnimet. Këtë vit testimit iu nënshtruan 2500 mësues. Sipas kushteve të vendosura nga Ministria e Arsimit, provimit të kualifikimit për vitin 2010 iu nënshtruan të gjithë mësuesit, të cilët kishin plotësuar 5, 10, 20 vite pune në arsim, deri në fund të dhjetorit të vitit 2009. Mësuesit që deri në datën 31 dhjetor 2009, kishin siguruar 5 vite pune si arsimtar aplikuan për shkallën e tretë të kualifikimit. Për shkallën e dytë të kualifikimit, u testuan arsimtarët që kanë punuar 10 vjet në arsim. Edhe më e madhe bëhet vjetërsia e punës në arsim, kur bëhet fjalë për shkallën e parë të kualifikimit, e cila është edhe më e preferuara nga mësuesit. Për t'i dhënë mundësinë vetes që të testohet për të fituar shkallën e parë të kualifikimit, një mësuesi i duhet të ketë punuar plot 20 vjet arsim. Nga vlerësimi sipas meritës, mësuesit do të marrin edhe rritjen mbi pagë, që varion sipas tri shkallëve të kualifikimit. Në bazë të këtij kategorizimi, mësuesi përfiton shtesë në pagë, që për kategorinë e tretë është plus 5 për qind, për të dytën plus 10 për qind dhe për të parën plus 20 për qind. Nga një studim i bërë pak kohë më parë rezultoi se 20% e mësuesve janë pa shkollimin dhe kualifikimin përkatës. Ministria e Arsimit pak kohë më parë ka vënë si kusht që mësuesit e rinj duhet të kenë master për t'u punësuar.

Konferenca për edukimin, çertifikohen 60 mësues

Vlerat e edukimit për mësuesit dhe edukatorët e më shumë se 50 shkollave publike ishin pjesë e konferencës së mbajtur 3 ditë më parë në Muzeun Historik, në kryeqytet. Kjo konferencë u organizua në kuadër të stinës Italo shqiptare "Dy popuj, një det një miqësi". Mësuesit dhe edukatorët pjesëmarrës u certifikuan për edukimin dhe cilësinë e mësimdhënies. Përfituan "diploma" më shumë se 60 prej tyreVeç përfaqësues nga ambasada italiane të pranishëm në këtë konferencë ishin edhe drejtues të lartë të ministrisë së arsimit si dhe përfaqësues nga drejtoritë arsimore.Shëndetësia dhe arsimi kanë pasur një sërë eventesh në kuadër të stinës shqiptaro -italiane.Në to janë promovuar shumë investime që pala italiane ka bërë në vendin tonë në sajë të bashkëpunimit të madh mes dy vendeve.