Provat e bllokuara nga policia


TIRANE – Një 33-vjeçar me precedentë penalë është arrestuar nga policia teksa po planifikonte kryerjen e një vrasje të mundshme pranë stadiumit Qemal Stafa në Tiranë. Në një deklaratë zyrtare, policia u shpreh se u arrestua Vladimir Gjuta, në afërsi të stadiumit Qemal Stafa, por pa dhënë detaje në rast se ekzistonin prova për vrasjen që do kryente, përveç armës pa leje dhe një parukeje që iu sekuestrua në momentin e ndalimit. Burime nga policia thanë se Gjuta ka qenë duke udhëtuar me motor mbrëmjen e së enjtes, bashkë me një mikun e tij, Baftjar Bruka, 20 vjeç, në rrugën pranë stadiumit Qemal Stafa, kur i është bërë shenjë nga postblloku për të ndaluar. Fillimisht, ata nuk i janë bindur thirrjes së policisë dhe kanë tentuar të largohen, por janë ndaluar brenda pak minutash. Gjatë përleshjes mes tyre dhe forcave të policisë, Vladimir Gjutës i ka rënë nga koka një paruke e zezë, për të cilën ende nuk ka dhënë shpjegime se me çfarë qëllimi e kishte vendosur. Gjithashtu, i është gjetur në brez edhe një pistoletë TT dhe një palë doreza të zeza. Burime nga policia thanë se Gjuta ka qenë i arrestuar në vitin 2001, për një vrasje në fshatin Shtiqen të Kukësit, por tri Shkallët e gjyqësorit e lanë të lirë për shkak të mungesës së provave të drejtpërdrejta. Në një kohë që edhe vetë babai i tij e një kushëri e akuzonin që ishte ai autor i vrasjes. Ndërsa së fundmi, 33-vjeçari me origjinë nga Kukësi akuzohet të jetë autor edhe i një pengmarrjeje për motive grabitjeje të një çifti në fshatin Çekrezë të Tiranës, ngjarje e ndodhur në vitin 2010.