Prokuroria akuzon Endrit Doklen se drejtonte grupin me telefon nga burgu, ku është i arrestuar për llogari të një procesi tjetër





Hetimet nisën në vitin 2008, dhe zgjatën dy vjet. Policia italiane ka arrestuar më parë katër korrierët e grupit





TIRANË- Shkatërrohet "banda nr. 2" e Durrësit, për trafik droge nga Shqipëria në Itali, ndërsa Endrit Dokle dyshohet se drejtonte grupin me anë të telefonit celular nga paraburgimi "Jordan Misja" në kryeqytet. Aty ai ndodhet i arrestuar për llogari të Krimeve të Rënda, bashkë me të pandehur të tjerë të akuzuar për një sërë veprash të rënda penale në kuadër të "Bandës së Durrësit".





Lajmi u pohua dje nga prokurori i çështjes, Anton Martini, gjatë një konference për shtyp, ku shoqërohej nga zv/ prokurori i Krimeve të Rënda, Kosta Beluri, shefja e misionit Interforce në Tiranë Ana Poxhi (Anna Poggi), si dhe Drejtori i hetimit të Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit, Edmond Rizai.





Martini njoftoi arrestimin e shtatë të dyshuarve për akuzën e "trafikut të lëndëve narkotike" në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe "shitjes së lëndëve narkotike" në bashkëpunim. Në operacionin e koduar "Ura", u arrestuan Isuf Buna i njohur me pseudonimin "Lalushi", Shefqet Vata i njohur si "Qeti", Jorid Xhunga i njohur me emrat "Ruçi" apo "Redi", Edmond Taullai i njohur në përgjime si "Moke", Vito apo Vehap Biba, si dhe bashkëshortja e tij Eglantina Biba (Lulo) e njohur si "Tina".





Si organizator i rrjetit dyshohet Endrit Dokle, aktualisht i paraburgosur në burgun e "Jordan Misja", për llogari të procesit të "Bandës së Durrësit".





Për gjashtë të dyshuarit, Gjykata e Krimeve të Rënda, pas kërkesës së prokurorisë, caktoi masën e sigurisë "arrest me burg" në mungesë. Për Eglantina Bibën u vendos masë shtrënguese "ndalimin e largimit nga vendi", për shkak se ka katër fëmijë. Sipas prokurorisë, gjatë periudhës shtator 2008- prill 2009 të dyshuarit, kanë nisur drejt Italisë 40 kg heroinë, që iu është sekuestruar katër "korrierëve", një shqiptari, një kosovari, një kroati, e një boshnjaku.





Këta të fundit janë arrestuar në zona të ndryshme të Italisë, si në Abruco, Milano e Trieste, ku janë kapur pas njoftimit nga prokuroria shqiptare që kishte në përgjim "shefat" e tyre. "Arrestimi i tyre në Shqipëri nuk është kryer në atë kohë, pasi donim të zbulonim gjithë rrjetin,- thanë zyrtarët e Prokurorisë, dhe të Policisë.





Ata pohuan edhe bashkëpunimin e zyrës së Interforcës. Katër nga personat janë ndaluar në Tiranë në banesat e tyre, njëri në qytetin e Durrësit dhe dy të tjerë pasmesnatës në një disko në qytetin e Sarandës. Është shpallur në kërkim një person tjetër, që hetohet me rreth 20 të dyshuar të tjerë të këtij rrjeti.





Hetimi nisi pas vrasjes së vëllait të Klodian Saliut





Hetimet ndaj këtij grupi kanë nisur nga prokuroria e Durrësit, menjëherë pas vrasjes së Shkëlqim Saliut të vëllait të Klodian Saliut në shtator të 2008 në lokalin e tyre në Durrës. Emrat e disa prej të arrestuarve të djeshëm janë vënë në përgjim, ku nuk rezultoi se ata kishin marrë pjesë në vrasjen e Saliut, por, merreshin me "trafik droge" duke biseduar hapur për mënyrën e organizimit.





Sipas prokurorit Martini, ky grup kriminal ka pasur si aktivitet trafikimin e heroinës në drejtim të Italisë në rrugë tokësore duke bashkëpunuar me elementë të tjerë kriminale në vende si Kosova, Bosnja, Kroacia dhe Italia.





Gjithashtu, mësohet se prokuroria në bazë të ligjit "Anti-mafia" po verifikon pasuritë e dy të arrestuarve që merren edhe me aktivitete private, si hoteleri apo prodhim të birrës. Këto të dhëna u mësuan dje në konferencën për shtyp, ku foli prokurori i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Anton Martini, zv/Prokurori për Krime të Rënda prokurori Kosta Beluri, Drejtori i Hetimit të Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit, Edmond Rizai dhe shefe e zyrës së Inter-forcës së policisë italiane në Shqipëri, Ana Poxhi.





I dyshuar si organizator



Endrit Dokle

I izoluar në parabugimin "Jordan Misja"



Të arrestuar

Isuf Buna i njohur gjatë përgjimeve si "Lalushi"

Shefqet Vata "Qeti",

Jorid Xhunga i njohur si "Ruçi" dhe "Redi",

Edmond Taullai i njohur "Moke",

Vito apo Vehap Biba,

Eglantina Biba (Lulo) e njohur si "Tina",