Instituti i Kurrikulës dhe Trajnimit (IKT), pas një përvoje dy vjeçare për trajnimin e mësuesve, këtë vit e ka orientuar punën kualifikuese mbi bazën e strategjisë së zhvillimit profesional të mësuesve dhe drejtuesve të shkollës.  Reforma për kualifikimin e mësuesve është përpjekje profesionale për instalimin e një sistemi gjithëpërfshirës, që mundëson gjithë burimet profesionale, njerëzore dhe materiale, vlerëson drejtori i IKT-së, Robert Gjedia.

Sipas tij, trajnimet kualifikuese për mësuesinë të arritura së fundi, përbëjnë përvojat më të mira pas viteve 90,  përmes sistemit të trajnimit të mësuesve dhe drejtuesve në punë nëpërmjet rrjetit të formatorëve. Instituti i Kurrikulës dhe Trajnimit po përpiqet të institucionalizojë idetë dhe modulet, mbështetur në strategjinë për trajnimin e mësuesve në një terren sa më real dhe të zbatueshëm. Vetë filozofia për trajnimet është konceptuar nga ministria e Arsimit si mjet zhvillimi profesional, bazuar në gjithë përfshirjen e palëve të interesuara për të kontribuar në motivimin dhe nxitjen e mësuesve dhe drejtuesve për trajnim dhe certifikim, duke aplikuar titujt e karrierës profesionale.
Njëkohësisht, kjo reformë nxit tregun e lirë të trajnimeve, pasi çdo mësues i lirë apo dhe i detyruar, ka mundësi zgjedhjeje për zhvillimin e tij profesional, që mund të jetë i paguar nga shteti, dhe në disa raste, mësuesi duhet të paguajë dhe vetë. IKT po shfrytëzon të gjitha burimet e saj njerëzore, bashkëpunëtorët dhe bashkëpunimet me institucionet publike dhe joqeveritare për të mbështetur nevojat për trajnim të mësuesve dhe drejtuesve, shprehet drejtori i IKT-së, Robert  Gjedia. Në planet e saj, IKT ka shumë veprimtari për trajnimet si dhe ato parësore, që lidhen ngushtë me mësuesit dhe drejtuesit e shkollës, ndër të cilat janë, trajnimi i mësuesve të klasave të pesta dhe të nënta për kurrikulat e reja lëndore që zbatohen për herë të parë në vitin e ardhshëm shkollor 9-vjeçar, kualifikimin e drejtuesve të shkollës për manualin e drejtorit, etj. Sipas drejtorit Gjedia, në bazë të udhëzimeve të ministrisë së Arsimit, po zhvillohen skema për krijimin e trajnerëve në çdo zonë të vendit. Kështu, në vitin 2008, Instituti i Kurrikulës dhe Trajnimit trajnoi mbi 120 trajnerë në të gjithë vendin si dhe rreth 16 mijë mësues të të gjitha profileve të arsimit parauniversitar.