Jonida Tashi



Universiteti i Tiranës mbyll procesin e përzgjedhjes së studentëve që kanë preferuar t’i transferojnë studimet në fakultetet e tij gjatë vitit 2009-2010. Burime nga Drejtoria e Kurrikulës dhe Standardeve pranë Universitetit të Tiranës, bëjnë të ditur se tashmë janë detajuar edhe emrat e studentëve të përzgjedhur, që kanë fituar të drejtën për të vijuar pjesën e mbetur të studimeve të larta në këtë universitet. Vendimin për pranimin e studentëve të propozuar për transferim, e merr Rektorati i çdo universiteti, pasi ka marrë mendimin e dekanatit përkatës, si dhe duke pasur parasysh mundësitë e kapacitetin e degës.

Përgjigjet

Studentët që kanë aplikuar për të transferuar studimet në Universitetin e Tiranës duhet t’i drejtohen fakulteteve përkatëse për të mësuar nëse janë përzgjedhur ose jo. Drejtoria e Kurrikulës dhe Standardeve në UT, sqaron se përgjigjet e transferimit janë dërguar në sekretaritë e tetë fakulteteve në varësi të Universitetit të Tiranës (UT), të cilat pas dhënies së konfirmimit përfundimtar të studentëve që pranojnë të transferohen, do të kryejnë regjistrimin e tyre në vitin dhe degën përkatëse. Për studentët që duan të transferohen në Universitetin e Tiranës, Komisioni i Ekuivalentimit, i ngritur pranë çdo Departamenti, mbi bazën e dokumentacionit që ka dërguar universiteti përkatës, ka përcaktuar detyrimet që do të ketë studenti, sipas planit mësimor në fuqi si dhe njohjen e shlyerjes së lëndëve me ekuivalencë. Përveç përcaktimit të detyrimeve që duhet të shlyej studenti, vendimi i transferimit shoqërohet edhe me disa të dhëna të hollësishme si: dega, kursi, sistemi i studimit, detyrimet e shlyera dhe notat përkatëse, certifikatë e gjendjes civile me fotografi, nëse gëzon të drejtën e bursës ose jo, programet e lëndëve që ka kryer.

Tarifat

Studentët, që transferojnë studimet nga një program studimi apo nga programe të mëparshme studimi të ciklit të parë, në një program tjetër studimi në institucionet publike të arsimit të lartë, do t’i nënshtrohen tarifës së përgjithshme vjetore të shkollimit të programit të studimit përkatës, në të cilin ata kanë kërkuar të transferojnë studimet. Për vitin akademik 2009-2010, në total, në 11 universitetet publike të vendit do të pranohen 700 studentë të transferuar. Kjo është shifra zyrtare e miratuar nga qeveria për transferimin e studimeve e ciklit të parë me kohë të plotë për vitin e ri akademik. Gjithmonë në marrjen e vendimit për transferimet, universitetet i referohen kushtit të vendosur nga qeveria, se transferimet e studentëve do të bëhen deri në 5 për qind të numrit të pranimeve të reja të vitit. Kjo do të thotë se për vitin akademik 2009-2010, Universiteti i Tiranës do të mirëpres 260 studentë të transferuar, kurse ai Politeknik vetëm 67 të tillë.





Masterat 1-vjeçarë



Qeveria miraton 21 programe të tjera për Universitetin e Tiranës



Qeveria miraton 21 programe të tjera për studimet e ciklit të tretë “Master i nivelit të dytë”, për Universitetin e Tiranës. Në mbledhjen e fundit, para fillimit të vitit të ri akademik 2009-2010, qeveria ka marrë parasysh deklaratën e rektorit të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, që do të rrezikohej nisja e studimeve nëse nuk do të miratoheshin masterat e nivelit të dytë. Në mbledhjen e djeshme, qeveria ka miratuar disa propozime të Universitetit të Tiranës për këto programe studimi. Konkretisht janë miratuar disa mastera për Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Programet e studimeve të ciklit të tretë, “Master i nivelit të dytë”, realizohen me jo më pak se 60 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre, është, të paktën, një vit. Këto programe studimi ta fillojnë veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2009-2010.



Universiteti i Tiranës

Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë:

Master i Nivelit të Dytë në “Histori”

Master i Nivelit të Dytë në “Arkeologji”

Master i Nivelit të Dytë në “Trashëgimi kulturore”

Master i Nivelit të Dytë në “Marrëdhënie ndërkombëtare”

Fakulteti i Gjuhëve të Huaja:

Master i Nivelit të Dytë në “Shkenca gjuhësore”

Master i Nivelit të Dytë në “Letërsi botërore”

Fakulteti i Shkencave Natyrore:

Master i Nivelit të Dytë në “Matematikë teorike”

Master i Nivelit të Dytë në “Sisteme informatike të avancuara”

Në “Fizikë”, në profilet:

Master i Nivelit të Dytë me profil “Fizikë teorike llogaritëse”

Master i Nivelit të Dytë me profil “Fizikë e aplikuar”

Master i Nivelit të Dytë me profil “Biofizikë”

Master i Nivelit të Dytë në “Fizikë dhe kimi materialesh”

Master i Nivelit të Dytë në “Inxhinieri e proceseve kimike”

Master i Nivelit të Dytë në “Teknologjitë dhe mikrobiologjitë e ushqimeve”

Master i Nivelit të Dytë në “Analiza kimike dhe instrumentale”

Në “Biologji”, në profilet:

Master i Nivelit të Dytë me profil “Biologji shtazore”

Master i Nivelit të Dytë me profil “Biologji bimore”

Master i Nivelit të Dytë me profil “Edukim biologjik”

Në “Biologji eksperimentale”, në profilet:

Master i Nivelit të Dytë me profil “Biologji qelizore”

Master i Nivelit të Dytë me profil “Gjenetikë e popullatave”

Master i Nivelit të Dytë me profil “Mikrobiologji”









Politekniku

Miratohen pesë mastera të nivelit të dytë për Inxhinierinë Mekanike



Hapen pesë mastera të nivelit të dytë në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, pranë Universitetit Politeknik të Tiranës. Qeveria ka miratuar dje hapjen e programeve të studimeve të ciklit të tretë, “Master i Nivelit të Dytë”, për degët Inxhinieri mekanike dhe atë Materiale. Konkretisht për Inxhinierinë mekanike, janë miratuar tre mastera në profilet: “Sistemet e prodhimit dhe proceset teknologjike”; “Sistemet e energjisë dhe proceset termike”; “Sistemet e transportit dhe menaxhimi i trafikut”. Ndërsa për Inxhinierinë materiale, do të hapen dy mastera të nivelit të dytë në profilet: “Materiale metalike dhe alternative” dhe “Materiale tekstile”.







9 Tetor 2009