Transplanti i veshkave, ndërhyrja më e famshme dhe më e përfolur 5 vitet e fundit, do të realizohet me patjetër deri në fund të muajit dhjetor. Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë. Analizat për çiftin e parë që do të kryejë këtë ndërhyrje tashmë kanë përfunduar. Pas tyre renditen edhe çifte të tjera, të cilët plotësojnë kushtet e nevojshme për të realizuar operacionin. Transplanti i veshkave do të kryhet nga mjekë shqiptarë, nën asistencën e mjekëve italianë. Shpenzimet dhe të gjitha kostot për infrastrukturën, specializimin e mjekëve, diagnostikimin, analizat dhe sallën ku do të realizohen janë paguar nga projekti italian. Për dy vite me radhë mjekët specialistë nga të gjitha fushat janë specializuar dhe kanë marrë formimin e nevojshëm për të qenë të aftë aq sa duhet për realizimin. Transplanti i veshkave do të realizohet në qendrën universitare "Nënë Tereza".



Salla specifike, e përllogaritur për të qenë speciale në të gjitha kuptimet, ashtu siç e kanë kërkuar mjekët e huaj, pritet të përfundojë në fund të këtij muaji. Pasi kanë kaluar shumë rishikime të infrastrukturës së saj, meremetime e ndryshime, mendohet se ajo do të jetë e plotësuar dhe e kompletuar me të gjitha kushtet e nevojshme. Aty do të kryhet edhe ndërhyrja e shumëpërfolur. Duke qenë se projekti italian ndodhet në fund të misionit të tij, mbyllja e tij me realizimin e transplantit të veshkës, një nga operacionet më të vështira, do të ishte përfundim i pritur dhe objektiv i përmbushur si nga financuesit, ashtu edhe nga shteti shqiptar. "Nuk mund të japim data dhe afate fikse, por mund të them se në fund të këtij muaji presim të përfundojnë punimet në sallën kirurgjikale, ku do të kryhet transplanti. Kjo sallë do të jetë moderne me të gjitha aparaturat, kushtet higjieno-sanitare dhe me të gjitha pajisjet e nevojshme për të kryer ndërhyrje si në vendin fqinj", tha Bardh Spahia, drejtor i Përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë. Sipas tij, mbyllja e projektit "do të pagëzohet" me realizimin e një transplanti për të cilin do të jepen informacione në detaje, sapo të vendosen afatet konkrete. Plot 500 mijë euro u vendosën në dispozicion vetëm për blerjen e aparaturave për realizimin e ndërhyrjes kirurgjikale. Ky fond prej 500 mijë eurosh do të shërbente për blerjen e aparaturave të nevojshme. Këto pajisje shërbejnë për Laboratorin e Imunologjisë në QSUT, të cilat do të ndihmojnë në krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për dhuruesin e veshkës dhe pacientin, si dhe pajisje të nevojshme për sallën e kirurgjisë për kryerjen e operacionit. Sipas mjekëve të huaj dhe shqiptarë, më e rëndësishmja për procesin e realizimit të transplantit të veshkës është aparatura e veçantë, EKO, e cila vëzhgon deri në imtësi ndërhyrjen kirurgjikale që do të realizohet te pacienti.



Pjesë e setit të pajisjeve është edhe aparatura e matjes së medikamenteve në gjak të pacientëve dhe pajisja për monitorimin e të sëmurëve pre-post operacionalë.