Problemet sociale

Në periudha tronditjesh e kapërcimesh gjigante, historia e një shoqërie përsërit në mënyrë të përshpejtuar e të koncentruar etapat e zhvillimit të shoqërisë njerëzore. Tabloja shqiptare e tranzicionit ka ofruar dukuri që bota e zhvilluar perëndimore i ka kapërcyer dhe zgjidhur në kohë. E rëndësishme është që tranzicioni shqiptar po e ndan të kaluarën nga e tashmja shqiptare dhe po e inkuadron të tashmen tonë në të tashmen botërore, e tashme kjo, që duke patur parasysh se megjithëse jetojmë të njëjtën periudhë kohore kalendarike, nuk jemi bashkëkohorë me Perëndimin, ashtu sikurse megjithëse jemi në Evropë dhe evropianë, prapë kemi mbetur jashtë Evropës. Por tranzicioni, si rruga për tek shoqëria demokratike, apo për tek e tashmja e përparuar perëndimore, ofron njëherazi edhe dukuritë e reja që po përjeton bota sot.

Kultura përshkohet nga një ndjenjë e shfrenuar gëzimi, e dhënë pas lojës, zbavitjes, demonstrimit dhe kënaqësisë. Shpërblimi i shtyrë në kohë "puno sot dhe gëzo mot" është zëvendësuar nga rryma e re "të gëzosh sot dhe (ndofta) të punosh mot". Kjo është në kulturë e re, - vëren Ralf Dahrendof, - që pritet të sjellë ndryshime në planin global. Tranzicioni shqiptar filloi me alternativën "më mirë një vezë sot, sesa një pulë mot", si kundërvënie ndaj frymës socialiste të regjimit të kursimit, vazhdoi me lulëzimin e bingove dhe lojrave të fatit, me ngritjen e piramidave dhe euforinë e miss-eve për tek zhgënjimet e mëdha, korrupsioni i shtrirë nga lart-poshtë, por i përqendruar vçanërisht në majën e piramidës shtetërore, deri tek borxhet qeveritare, ku duket sikur çdo qeveri është vënë në garë me të mëparshmet për t'ia kaluar, por asnjëra nuk mendon se kush do t'i shlyejë.

Në shoqërinë tonë në tranzicion po bëhet përherë e më e dukshme shpërfillja e normave dhe e vlerave të shoqërisë zyrtare, në radhë të parë nga vetë shtresa e politikanëve dhe ç'ka është më keq, transmetimi i kësaj shpërfillje edhe poshtë, në shtresa të tjera shoqërore, e shoqëruar me kriza politike brenda grupimeve kryesore. Ndërprerjen e efektshmërisë së normave shoqërore nga kriza politike ose ekonomike, sociologu Emil Durkheim e ka quajtur "anomi". Nëse të rinjve sot u predikohet të mësojnë, të punojnë me dinjitet në profesionet e tyre, të përpiqen për lulëzim e personalitetit të tyre, ndërsa realiteti i përditshëm tregon se mënyra më e thjeshtë për të rritur mirëqënien, për të pasur sukses dhe para është korrupsioni, tregtia e paligjshme, kambizmi, etj.., ajo që rezulton është anomia. Si pasojë janë shtuar krimet e dhunshme, krimet kundër pronës e personit, abuzimet e të gjitha llojeve, vetëvrasjet. Fenomen tjetër i ri i tranzicionit është edhe krijimi i të ashtuquajturave "zona të ndaluara" ku rendi dhe ligji nuk veprojnë. Kujtojmë zonat ku vepron ligji i gjakmarrjes dhe dhjetëra njerëz janë detyruar të ngujohen, rrethe të ndryshme në Veri me një klimë të tensionuar ku organet shtetërore nuk funksionojnë, larjet e hesapeve mes bandave rivale, zonat e trafikimit të drogës mes të rinjve, kalimet e lëndëve narkotike dhe mallrat kontrabandë në dogana, etj.

Si shkak i vorbullës që ka sjellë tranzicioni vërehet një fakt i hidhur, ai i tërheqjes nga jeta, që vihet re jo vetëm tek të droguarit, por edhe më gjerë. Ai shprehet si një armiqësi e theksuar ndaj realitetit mediokër, banal, të palëvizshëm, të përditshëm.

"Kauza e mendimit do të jetë më e mirë në qoftë se do të takoheshin mbrojtës të pikëpamjeve të kundërta dhe jo kundërshtarë të thjeshtë". (Hajdeger)

Sa aktuale tingëllon kjo shprehje kur shohim tablonë e debatit politik të vitit 2001 –2002. Ndërsa pritej logjikisht që pas një periudhe 10-12 vjçare, politika shqiptare të kapërcente polarizimin armiqësor drejt paraqitjes së alternativave të ndryshme, qoftë edhe të kundërta, debati u përqendrua tek lufta për kolltukët.



Problemet që solli tranzicioni tek fëmijët



Varfëria e fëmijëve në Shqipëri sot është masive në mënyrë kritike, e aftë të kompromentojë produktivitetin e shoqërisë së ardhshme dhe shoqërisë në përgjithësi.

Me gjithë ndjeshmërinë ndaj fëmijëve në shoqërinë shqiptare duket ende i pakët kuptueshmëria e impaktit të varfërisë mbi fëmijët dhe komplikimeve të saj.

Cikli i varfërisë së fëmijëve midis nyjeve shkak pasojë është mjaft i ndryshëm nga ai i të rriturve dhe pasojat janë edhe më të rënda, sa më afër zvogëlimit të moshës së fëmijës vjen efekti i saj.

Efekti i këtij impakti në sfondin e faktorëve kompleks familjar dhe social të varfërisë tek fëmijët kërcënon fazat intensive të formimit simbolik të qënies së çdo fëmije.

Kostoja psiko-sociale nga humbjet zhvillimore të pakapërcyera është shumë e lartë për shkak të absorbimit të pasojave të varfërisë tek fëmijët në mënyrë shumë të ndryshme nga të rriturit dhe të shanseve të pakta për tejkalimin e efekteve edhe pas tejkalimit të mundshëm të varfërisë.

Dimensioni i kësaj emergjence nuk duhet të zbehet duke u trajtuar si çështje e adresuar vetëm në grupet sociale (zona rurale, familje të varfra, fëmijët e rrugës, fëmijët e braktisur etj).

Impakti i vërtetë i varfërisë mbi fëmijët nuk i ka limitet vetëm në termat e shëndetit, ushqyerjes, arsimimit, por shtrohet përtej këtyre limiteve prej cilësive krejt të vçanta të natyrës komplekse të fazave të zhvillimit, dhe dobësisë fëmijërore duke e kërcënuar drejtëpërsëdrejti hapësirat e oportunitetit për aftësim fizik, mendor, psikoafektiv dhe aftësim social.



Disa nga problemet që paraqiten:

• Periudhat e çrregullimeve me anarki dhe konflikte shqetësuan një shoqëri të qetë në përgjithësi. Siguria që karakterizonte jetën e fëmijëve u zëvendësua me efekte të varfërisë, dhunës dhe krimit.

• Migrimi intensiv - nga zonat rurale në zonat urbane dhe nga Shqipëria drejtë shteteve fqinje evropiane - krijon ende mundësi për një shkallë të frikshme rreziku duke përfshire trafikimin, prostitucionin, përdorimin e drogës si dhe të përhapjes së HIV/AIDS.

• Sistemi efektiv i mëparshëm i arsimit vazhdon të dështojë në përpjekjet e tij për t'i garantuar shkollim gjithë fëmijëve. Ata që shkojnë në shkollë përballohen çdo ditë me moralin e ulur, me infrastrukturën e shkatërruar si dhe me mbi popullimin e klasave.

• Standartet e shëndetit të nënës dhe fëmijës, edhe pse po përmirësohen gradualisht, janë ende larg atyre evropiane.

• Në kohën kur familjet edhe pse punojnë të dy prindërit mezi e përballojne jetën, mungon një sistem i gjerë mbështetjeje nga ana e shtetit për arsimimin e fëmijëve.



Krimi

Përsëritjet e krimeve që po ndodhin vitet e fundit në Shqipëri dëshmojnë se këto janë fakte sociale që nuk përbëjnë më raste të izoluara, e që nuk i përkasin aq më tepër një shtrese të caktuar në shoqëri. Krime ndaj biznesmenëve, krime në familje, gjakmarrje e kërkuar prej kohësh, vetëvrasje që dëshmojnë peshën e rënduar të një shoqërie që kërkon të integrohet. Përpara se të jepet një shpjegim i bazuar në analizën sociologjike, që i bëhet krimit duke ia përshtatur fenomeneve e tipareve shqiptare, mund të përmenden disa koncepte sociologjike lidhur me krimin, e së pari do ta filloja me termin e funksioneve shoqërore të nocionit të krimit. Në historinë e analizës së funksioneve shoqërore të nocionit të krimit, amerikanët Sellin e Wolfgang i sollën kërkuesve një element të ri për të matur mënyrën se si perceptohej graviteti i një krimi nga popullsia. Kjo u organizua në formën e një pyetësori që përmbante një listë të gjatë pyetjesh lidhur me lloje të ndryshme aktesh të dhunshme e krimesh.

Sociologu Emil Durkheim (1858-1917) hodhi dritë në nocionin e krimit me reflektimin e tij mbi "normalitetin e krimit". Ai ushtroi një influencë indirekte mbi kriminalitetin falë analizës së tij mbi vetëvrasjen. Sipas tij, numri i vetëvrasjeve rritet gjatë fazave të ndryshimeve ekonomike të menjëhershme, kjo qoftë në periudha hopi a rënie të proçesit ekonomik të një vendi. Durkheim mendon se mosqëndrueshmëria në ekonomi ose në familje prodhon "anomie"-në: normat sociale humbasin pushtetin e tyre shtrëngues.

Për të, procese të tilla si zhvillimi ekonomik, tregtia, divorci trondisin gjendjen e zakonshme sociale. Në këtë mënyrë rregullat e vjetra nuk kanë më vazhdim dhe humbasin aftësinë për t'i vënë kufi dëshirave individuale. Në kundërshtim me nevojat fizike që rregullohen nga organizmi, dëshirat sociale për Durkheim nuk njohin caqe natyrore.

Rregulli social i sotëm në Shqipëri është i prekur, së pari, nga një rënie ekonomike, e shprehur kjo në defiçiencën e lartë në balancën e tregut. Kësaj strukture i bashkangjitet dhe një humbje e kontrollove sociale. Individët, duke mos ditur të përcaktojnë kufijtë e dëshirave të tyre. "Mbrojtja sociale" duhet parë e gërshetuar me shkallën e ndërgjegjes kolektive në Shqipëri. Ky term lidhet me konceptin dhe masën e rëndësisë që populli i jep krimit. Në Shqipëri krimi në familje, e në përgjithësi aktet kriminale, përpiqen të strehohen mbas "nderit", "besës", "riteve të ashpra shqiptare", simbolikë që tingëllon mjaft e fuqishme në kohën e sotme. Në kuadrin e ndryshimeve të menjëhershme në Shqipëri, mbas zgjedhjeve të para demokratike, "liria e tranzicionit" sjell bashkë me progresin një anarki e një pasiguri morale. Baza e fushës sociale që zë kriminaliteti në Shqipëri, ushqehet në një kontekst mosprodhimi e pamjaftushmërie sociale e ekonomike.

Krimi në të gjitha format e tij vazhdon të godasë me intensitet të lartë duke rritur pasigurinë sociale, duke ndikuar edhe në veprimtarinë ekonomike e politike. Anketa e Qendrës Shqiptare për Kërkimet Ekonomike, rendit kriminalitetin si problemin e dytë, pas korrupsionit, që shoqëria shqiptare po vuan në periudhën pas vitit 1996. Afro 55% e të anketuarve mendojnë se situata kriminale në vend përbën faktorin e thellimit të krizës.

Largimi nga organet e rendit publik të një numri të konsiderueshëm specialistësh me përvojë dhe përfshirja në to e një numri të madh militantësh politikë dhe individë të inkriminuar, kontribuan më shumë në shkatërimin e institucioneve dhe në terrorizimin e popullsisë në pranverën e vitit 1997. Në dhjetëra fakte të publikuara nga mediat dëshmohet e vërteta se janë vetë struktura të organeve të rendit publik të të gjitha niveleve që drejtojnë trafiqet e kontrabandës, të drogës, të prostitucionit, të klandestinëve, etj. është pikërisht krimi i organizuar që e ka çuar Shqipërinë atje ku është sot. Është një ndër të vetmit faktorë që po minon themelet e një Shqipërie të paksa mëkëmbur nga totalitarizmi i egër komunist. Për këtë ka ndikuar edhe heqja e dënimit me vdekje. Kështu në një sodazh të një të përditshmje shqiptare në internet mbi 80% e votuesve shprehej në favor të rikthimit të dënimit me vdekje.

"Shqiptarët e duan dënimin me vdekje si një forme drejtësie dhe pagese që kriminelet i detyrohen shoqërisë civile për ato çka kanë bërë kundër saj dhe jo si një akt barbar në vetvete."



Konkluzion

Shqipëria ka bërë një zgjedhje strategjike, atë të integrimit në Bashkimin Evropian (BE). Kjo është një zgjedhje e mbështetur nga qytetarët e nga politika. Në kuadrin e integrimit të Shqipërisë në BE, integrimi tregtar, që do të thotë krijimi i një zone ekonomike pa dogana Shqipëri-BE është një kusht i domosdoshëm. Në term më të thjeshtë, kjo do të thotë se pas disa vitesh, sipërmarrësit shqiptarë duhet të jenë në gjendje t'i bëjnë ballë konkurrencës shumë të fuqishme evropiane. Logjika e integrimit në BE, imponon në formën e një strategjie rajonale edhe krijimin e një zone të tregtisë së lirë në Ballkan. Pra trendi liberalizues vazhdon, kësaj radhe i justifikuar me zgjedhjen strategjike të qytetarëve shqiptarë per t'u bërë pjesë e familjes së madhe, demokratike dhe evropiane.

Për ne megjithëse tranzicioni erdhi me vonesë, kjo nuk do të thotë që ne të mos kërkojmë të drejtat legjitime jetësore. Të gjithë ne, brenda dhe jashtë shtetit duhet të krijojmë hapësira të reja për mbarvajten e një Shoqërie të Re Shqiptare.

Shpresoj se koha në të cilën jetojmë, t'i bëjë Shqiptarët më të vetëdijshëm se pa balancimin e realitetit shqiptar me atë ndërkombëtar asnjëherë nuk do të arrijmë ate çka ëndërruan të parët tanë.





Mastër në Sociologji dhe Shkenca Politike