23/08/2011  Rrëfimet e personazheve, ndjesitë e tyre për këtë eksperiencë të paharrueshme


TIRANË- “Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara” dhe “Fondacioni Vodafone Albania” iu dedikuan për një vit çështjes së punësimit të personave me aftësi të kufizuara. Sukseset e kësaj eksperience janë përfshirë në librin “Unë Jam - Histori Suksesi të Punësimit të Personave me Aftësi të Kufizuara”. Tre historitë e mëposhtme janë marrë nga ky libër.


Dritan Hoxha, 41 vjeç, Specialisti i marrëdhënieve me publikun në Bashkinë e Elbasanit


Metalurgu i dikurshëm kishte pasione të ndryshme dhe një prej tyre ishte biçikleta. Por 20 vjet më parë, pikërisht duke i dhënë biçikletës ndodhi aksidenti që do ta ulte në karrige me rrota. Pas një traume të tillë për pothuajse 9 vjet Dritani pati një mbyllje në vetvete. Miqtë e vizitonin herë pas here. Nëna e tij i është përherë pranë me të gjithë forcën dhe mundësitë e saj. Dritani vlonte nga brenda me dëshirën për të dalë nga kjo gjendje, dëshironte të ishte mes njerëzve. I nxitur për të ndryshuar ditën e tij, ai filloi të përshtaste makinën që kishte blerë me qëllim të siguronte kontrollin e saj edhe me aftësinë e tij të kufizuar. Besonte shumë që me të jeta e tij do ishte aktive, do kishte mundësi të ishte i integruar në organizime e iniciativa ku edhe ai mund të kish kontributin e tij. Makina i dha Dritanit një shkallë lirie e pavarësie të madhe, e ndihmoi të lëvizte e të takonte shumë njerëz, dhe jo vetëm kur ata e vizitonin, por kudo ku ato ndodheshin. Me ndihmën e shoqatës “Në familje për familjen” dhe me mirëkuptimin e pritjen e mirë të Bashkisë Elbasan, u bë e mundur punësimi i tij në këtë institucion ku punon edhe sot e kësaj dite në pozicionin e specialistit në Drejtorinë e Marrëdhënieve me Publikun dhe Informacionit pranë këtij institucioni. Dallohet për sjelljen dhe korrektësinë në komunikim. “Një nga vështirësitë e mia ishte plotësimi i kritereve të arsimit të lartë. Lashë me shumë dëshirë statusin e invalidit bashkë me paketën e asistencës, për të zgjedhur statusin e nëpunësit civil sepse sot ndihem i barabartë mes të gjithëve”, – na tregon Dritan. Natyrshëm, Dritani është bërë pjesë e jetës dhe punës së ekipit të këtij institucioni. Me ndihmën e FSHDPAK, janë bërë përpjekje që jo vetëm të mbështet më tej në pozicione edhe më të specializuara brenda bashkisë, por edhe që shembulli i Dritanit të jetë udhërrëfyes për shumë të tjerë, në institucione të administratës, bizneseve, apo shoqërisë civile për të pasur më shumë të punësuar nga radhët e personave me aftësi të kufizuara. Ai është optimist për të bërë akoma më shumë për të tjerët, dhe bën çdo gjë që të ndihmojë edhe miqtë e tij të tjerë. “Eksperienca e punësimit tim tregoi se ka nevojë të bëhen ndryshime në procedura, madje edhe përmirësime legjislacioni në mënyrë që të krijohen kushte dhe lehtësira të reja për punësim, gjë e cila do angazhojë si punëdhënësin, ashtu edhe punëmarrësin me aftësi të kufizuara”, – shton Dritani.


Emiljano Lule, fitues i programit “Bota e Ndryshimit” 2010/11, 30 vjeç, diplomuar (MSC në psikologji) në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës


Ndërsa shkruaj këto rreshta, kujtoj që bëhen 10 vite që kam humbur shikimin. Mund të ishte ndryshe…..., por tanimë kjo nuk është tjetër veç një lojë fjalësh, të cilat më provojnë ekzistencën e realiteteve në të cilat kam jetuar dhe kam shpresuar se mund të ishte ndryshe. Për të gjithë ju që do lexoni këto histori njerëzore do doja t’ju rrëfej realitetet, pështjellimin e ndjenjave, forcën dhe vetëbesimin, holokaustin apo dashurinë, vlerat që njeh e mbart qenia njerëzore, e që më provojnë se këto realitete mund edhe të jenë ndryshe. Mendoj se në institucionin e punësimit matet një nevojë e madhe, ajo për vlerësim, e cila për çudi megjithëse renditet më pak e rëndësishme në librat e psikologjisë që kam studiuar, është kaq kuptimplote kur flitet për komunitete të njerëzve me aftësi të kufizuara. Këtë të fundit ndjej ta quaj mundësi të kufizuar. Ekzistojnë dy lloje mundësish të kufizuara: të padukshme dhe të dukshme. Unë kam jetuar dhe kam punuar në secilën prej këtyre gjendjeve, brenda e jashtë Shqipërisë. Ruaj në memorien time momentin kur kam tërhequr rrogën e parë si njeri me statusin e mundësisë së kufizuar. E kujtoj këtë çast sepse më bëri të rinjoh veten, rigjej kuptimin për jetën. Historia ime e punësimit ndoshta është vërtet e rrallë. Të jesh paralelisht si një njeri i verbër, pjesë e një stafi të një spektakli televiziv dhe pjesë e një stafi inxhinierësh në një kompani Hi-Tech, ku shumëkush do donte të punonte, nuk është diçka që ndodh shpesh. Disa kanë konsideruar si një histori suksesi. Në media e kanë etiketuar gjeniale, e në disa raste është paraqitur si histori model. Por për mua është më e rëndësishme të ndaj me ju se besoj thellësisht se gjithkush mund t’ia dalë edhe me vështirësinë që mbart mundësia e kufizuar fizike. Në një reflektim personal kam kuptuar se një njeri nën stigmën e “paaftësisë” është gjeni vetëm kur gjen forcën të mposhtë inferioritetin dhe të pranojë veten për të rifilluar nga e para, qoftë edhe për të disatën herë. Në kohën kur humba shikimin jetoja në Qytetin Studenti, dhe aty kam vëne re shumë herë një djalë të verbër, portretin e të cilit e kam edhe sot në mëndje. Mbante një kapele dhe syze të zeza. Interesi im për të zgjaste vetëm 5 sekonda, koha që më duhej për t’u shkëmbyer në rrugë, madje mund edhe të ndjehesha në siklet kur qëndroja pranë më gjatë. Sot njoh shumë njerëz që në punën e tyre kanë në fokus përballjen me nevojat dhe integrimin e komuniteteve në të cilët bëj pjesë edhe unë, dhe për të cilët tanimë i kushtoj edhe kontributin tim. Ka më se një vit që punoj për “Botën time të ndryshimit”, zbatimin e një ideje inovative në teknologjinë e komunikimit, të cilën ma besoi Fondacioni Vodafone Albania. Kam vendosur në qendër të kësaj sfide kontributin tim për një komunitet prej më shumë se 1200 individë të verbër në të gjithë Shqipërinë për të cilët kam punuar me përkushtim përgatitjen e udhëzuesve në gjuhën shqipe për përdorimin e kompjuterit nga të verbrit. Nuk do doja të flisja për emocionin që ndjeva kur më njoftuan se isha fitues. Do doja të kujtoja se që në vitin 2004 kisha një kërshëri të madhe të punësohesha në Vodafone. Në atë kohë do më lumturonte posti i një operatori të thjeshtë. Por do kalonin vetëm pak vite kur Bordi Drejtues i Fondacioni Vodafone Albania do vlerësonte fitues projekt propozimin tim. Ky është një motivim i bukur jo vetëm për të bërë maksimumin në realizimin e sfidës time, por jep shumë energji për të bërë akoma më shumë për të ardhmen. Me mirënjohje do përmendja regjisoren e mirënjohur Vera Grabocka, ekipin e kompanisë Infosoft dhe Fondacionin Vodafone Albania për forcën e madhe që pasur për të parë përtej asaj që duket, empatikë për të kuptuar e lexuar edhe “botën” time. Dikush më kishte thënë dikur ndërsa ecnim së bashku: "Çfarë vlere ka të fitosh besimin për të zbatuar një projekt me impakte sociale, të punosh në një kompani Hi-Tech apo në një televizion, madje të bëhesh edhe i famshëm kur nuk arrin të shikosh dhe t’u kthesh buzëqeshjen njerëzve në rrugë”. Mbaj mend që përgjigja ime doli spontane: “Është e rëndësishme të shikosh se shumëkush të jep buzëqeshjen, por është edhe më e rëndësishme të kuptosh se askush dhe asgjë s’është aq e rëndësishme që të të heqë ty buzëqeshjen!”


Gëzim Metaliaj, 32 vjeç, diplomuar në shkollën e mesme industriale, Shkodër


Ka lënë pas kujtimet e vitit të mbrapshtë ’97 që i shkaktoi dhe aksidentin me pasojat e tij dhe sot është një shembull i suksesshëm punësimi. Disa vite më parë, me këmbënguljen e tij, Gëzimi iu fut përgatitjeve për konkursin e punësimit pranë Fondacionit “YAPS”. Mes 300 pjesëmarrësve u përzgjodhën 27, prej të cilëve Gëzimi ishte vlerësuar i gjashti për nivelin e njohurive dhe aftësisë në përdorimin e kompjuterit dhe gjuhëve të huaja. Karakterizohet nga dëshira dhe kurioziteti për të renë, duke përshtatur mundësitë fizike, madje duke synuar shpesh edhe të pamundurën. Për këdo nuk do ishte e lehtë për të siguruar vendin e punës, por aq më shumë për një person me aftësi të kufizuar. “Fillimet kanë qenë të vështira. Nuk mendoja se do isha në gjendje të bëja atë që pritej prej meje. Pyesja veten se a do mund ta vazhdoja me sukses atë punë? A do mund ta përballoja transportin apo pengesat e tjera? A do mund të përshtatesha duke mposhtur edhe ndikimin e opinionit, që për hir të së vërtetës shpesh është jo shumë dashamirës ndaj personave me aftësi të kufizuar”, – mendonte shpesh Gezimi në ditët e para të punës në “YAPS”. Aftësia fizike nuk ka qenë asnjëherë pengesë për sytë e atyre që i ofruan të ishte pjesë e stafit. Ka pasur disa vende të ndryshme pune në “YAPS”, të përmbushura me suksese, që më tej i dhanë atij forcën dhe mundësinë të përfshihet edhe në disa eksperienca të tjera punësimi. Në listën e punëve, Gëzimi përmend përveç Fondacionit “YAPS” edhe eksperiencën si operator transkriptimi dhe redaktimi për seancat parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë; përfshirjen në hartim projektesh e trajnues informatike pranë Shoqatës së Invalidëve Para&Tetraplegjikë; eksperienca në organizimin e kurseve të informatikës tek universiteti “VITRINA”, si dhe bashkëpunime me qendrën e internetit “Infopoint”. Një tipar tjetër i rëndësishëm për Gëzimin është dhe pasioni për leximin dhe të mësuarit. Përveç punës, ai dëshiron të mbetet në kontakte me mundësi të reja për formimin profesional dhe për të zgjeruar njohuritë. “Pajtohem me idenë e të mësuarit gjatë gjithë jetës dhe ngelem i hapur ndaj eksperiencave të reja”, – shton Gëzimi. Pavarësisht disa përmirësimeve në infrastrukturë, barrierat mbeten gjithsesi një pengesë e vazhdueshme për Gëzimin dhe shumë të tjerë. Kërkohet të rritet më shumë ndërgjegjësimi i opinionit, i bizneseve dhe kryesisht i politikanëve për punësimin e personave me aftësi të kufizuara. Ekzistojnë ligje që në institucione shtetërore apo edhe biznese të ndryshme sanksionojnë mundësinë e punësimit për persona me aftësi të kufizuara, por për fat të keq kjo mbetet në nivele shumë të ulëta zbatimi. Me optimizëm për të ardhmen e shumë të tjerëve, na mjafton të lexojmë nga eksperiencat e suksesshme të shumë prej atyre që guxuan dhe ia arritën, pikërisht në ato eksperienca ku bën pjesë dhe historia e Gëzimit. “Të jesh i punësuar është një mbrojtje e fortë ndaj realitetit të egër ekonomik në kohët kur jetojmë. Të jesh në marrëdhënie pune si person me aftësi të kufizuar është një terapi më vete. Natyrshëm e shikon jetën më me optimizëm, dhe e gjithë kjo ndikon fuqishëm edhe në gjendjen shpirtërore e emocionale”, – na tregon Gëzimi.