Intervistë me kryetarin e Bordit Mbikëqyrës të SIGMA-s, z. Christoph Wolf


Kompanitë e sigurimeve në tregun shqiptar kanë vendosur që t’i kundërpërgjigjen pasojave të krizës globale financiare me ofrimin e shërbimeve të reja për të gjithë klientët. Sipas përfaqësuesve më kryesorë të këtij tregu në Shqipëri, kriza globale nuk e ka prekur ende tregun e sigurimeve, por sigurisht që fitimet e kompanive nuk do t’i shpëtojnë efekteve të saj. Një mendim të tillë ka edhe kreu i Bordit Mbikëqyrës të kompanisë “SIGMA”, z. Christoph Wolf, i cili shprehet gjatë një intervistë dhënë për mediat duke prezantuar produktet e reja që kjo kompani po ofron për tregun shqiptar. Ai flet edhe mbi zgjerimin e tregut privat të pensioneve, ku kompania “SIGMA”, pjesë e “Vienna Insurance Group” është duke përmirësuar cilësinë e shërbimit dhe të paketave që kompania ofron për klientët. Sipas Wolf, tregu i sigurimeve në vend është zgjeruar gjatë dy viteve të fundit dhe këtë trend do të vijojë të ndjekë, sepse tashmë komuniteti i biznesit dhe vetë shoqëria shqiptare janë ndërgjegjësuar për rëndësinë që ka sigurimi i jetës, shëndetit, apo pronës.



Çfarë risish ofron “SIGMA” në krahasim me kompanitë e tjera të sigurimeve në vend?



Që nga koha kur “Vienna Insurance Group” bleu “SIGMA”-n para dy vjetësh kishte si synim të saj përmirësimin e shërbimeve ndaj klientit dhe futjen e produkteve të reja në treg, duke përmirësuar cilësinë e stafit dhe punonjësve të kompanisë dhe duke kontribuar për kulturën e sigurimeve në Shqipëri. Mbi të gjitha ne po përpiqemi që të sjellim një ndryshim në atë që ofrojmë për tregun sigurimeve në Shqipëri, për të qenë shumë më mirë se sa konkurrentët tanë dhe për të ofruar shërbimet e cilësisë shumë të lartë, që është ajo që klientët tanë presin nga ne.



Cilat janë disa nga produktet e reja që ofron aktualisht “SIGMA”?



Që prej vjeshtës së vitit të kaluar ne nxorëm në treg produktin e ri të sigurimit të shëndetit për klientët. Kjo paketë mbulon sigurimin shëndetësor jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Në këtë momente produkti u ofrohet kompanive të mëdha këtu në vend, që mund të sigurojnë punonjësit e tyre. Gjithashtu në fusha të tjera ne po mundohemi të përmirësojmë produktet ekzistuese dhe të fusim në treg produkte të reja, kryesisht në linjat e sigurimit vullnetar si për shembull sigurimi i shtëpisë i cili për momentin nuk është dhe aq i përhapur në Shqipëri, si dhe sigurimin e pronës për kompani të vogla dhe të mesme.



A ka ndryshuar pjesa juaj e klientelës gjatë këtyre viteve të fundit, në raport me kompanitë e tjera?



Në krahasim me vende të tjera të rajonit ku ne operojmë, Shqipëria është akoma një treg i vogël, megjithatë tregu po rritet dhe zhvillohet. Ne duam të marrim pjesë në këtë rritje dhe të japim kontributin tonë në këtë proces. Kemi vënë re që të paktën në periudhën e fundit se ka një rritje dhe më shumë klientë po e kuptojnë se vlera e sigurimit është e madhe. Kjo jo vetëm në linjat e detyrueshme si kartoni jeshil, por edhe në linjat vullnetare.



A ka pasur efekte nga kriza globale tregu i sigurimeve në Shqipëri dhe në veçanti i kompanisë suaj?



Kemi vënë re që të paktën deri tani tregu i sigurimeve dhe ekonomia në përgjithësi nuk duket të jenë prekur nga kriza financiare, në krahasim me rënien që kanë pësuar vendet e tjera. Pra nga njëra anë kjo është një gjë pozitive dhe nga ana tjetër nuk mund të mohohen ato efekte që tashmë janë vënë re në Shqipëri. Tregu i sigurimeve gjatë dy muajve të fundit është vënë nën presion për nivelin e çmimeve, të cilat padyshim do të japin efektin e tyre në rezultatin e tregut të sigurimeve. Kompanitë shqiptare dhe bizneset nuk janë të pritura aktualisht që të harxhojnë shumë për sigurimet, një ndikim ky i drejtpërdrejtë dhe i dukshëm. Por ne si “SIGMA” po përpiqemi që të bindim kompanitë shqiptare dhe klientët për përfitimet që kanë nga sigurimet. Efektet do t’i shohim në fund, por ne parashikojmë që presionet e ushtruara deri tani në çmime do të kenë efekt në përfitimet e kompanisë.



Sa është numri i klientëve të “SIGMA”-s dhe drejt cilave paketa janë më të interesuar ata?



Janë rreth 50 mijë klientë të siguruar në kompaninë “SIGMA”. Ashtu si në të gjithë tregun sigurimi i TPL-së është më i përhapuri, kështu që edhe një pjesë e madhe e klientëve tanë është i orientuar drejt këtij produkti. Neve po përpiqemi që të zgjerohemi në linja të tjera të biznesit përveç linjave jovullnetare. Ne po përpiqemi t’u tregojmë klientëve që edhe shërbimi i ofruar në linjat e tjera të biznesit është me po aq cilësi të lartë.



A është i zhvilluar tregu i pensioneve private dhe cili është mendimi juaj në lidhje me legjislacionin në këtë fushë?



Ky treg është shumë i vogël aktualisht dhe i pazhvilluar, por pensionet private janë një fushë shumë interesante. Ne kemi diskutuar edhe me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare dhe jemi të informuar rreth reformave që do të ndërmerren në këtë drejtim në Shqipëri. “SIGMA” ka një fond privat të pensioneve dhe ne jemi të integruar në këtë proces, pasi ofrojmë një produkt për pensionet private. Në të ardhmen, kur reforma të jetë adoptuar dhe të përfshihet në shtyllën e dytë të skemës së detyrueshme, siç është edhe në vende të tjera të rajonit, ky do të jetë akoma më interesant edhe për kompaninë tonë, por edhe për kompanitë e tjera që të jenë më aktive në këtë drejtim. Ne kemi fonde të tjera pensionesh private në vende të tjera. Kemi marrë pjesë në të tilla diskutime për reforma të ngjashme në Bullgari, Rumani, Kroaci që e kanë futur në shtyllën e dytë të skemës së pensioneve të detyrueshme. Nëse autoritetet shqiptare vendosin të vënë në zbatim këtë reformë, ne jemi të gatshëm që të marrim pjesë dhe të japim kontributin dhe eksperiencën tonë në tregun privat të pensioneve.







14 Maj 2009